E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arkitektura patriotike

Restorante dhe shtëpi tip kala, dritare shqiponjë dhe benzinata me elementë që shprehin temën patriotike në arkitekturë. Rastet e një formalizmi absurd


Në nënndarjen që mund t'iu bëjmë objekteve, me një shenjim të veçantë janë dhe ato që marrin një ngarkesë të caktuar emocionale. Kjo arrihet duke theksuar një element ose detaj, por i cili ka një domethënie shumë të rëndësishme për një masë të madhe njerëzish. Dhe unë kam veçuar një numër objektesh që duan të mbajnë vulën e patriotizmit.


Më duhet të them se edhe në një regjim aq represiv dhe gjoja kombëtar sa ishte ai i Enver Hoxhës, nuk na u dha asnjëherë një orientim i tillë. Edhe në rastin e Muzeut Historik Kombëtar, shqiponjat në frizat e gurit janë dekorative dhe nuk janë elementi dominant.

Këto raste që po paraqes janë shprehje e vullnetit individual të personave të caktuar, por marrin një konotacion shoqëror sepse përsëriten dhe janë në unison me shfaqje të po kësaj teme në artet e tjera. Më gjerë, këto mund t'i analizojmë së bashku me një retorikë të vazhdueshme në shtypin gazetaresk, në deklaratat politike dhe në vendimmarrje.


Për mua ka një mospërputhje midis përbetimeve patriotike dhe veprimeve konkrete.
Kjo shfaqet qartazi në pushtimin dhe dëmtimin e territorit nga ndërtimet pa leje.
Prandaj këto vepra gjoja patriotike nuk janë veçse hipokrizi.


Analiza e dytë që bëj, është vazhdimësia dhe transformimi tipologjik i motivit.
Në artin popullor shqiponjën dykrenare e kam gjetur vetëm si element dekorativ në objektet e përdorimit, të zbukurimit apo të dekorimit, por asnjëherë si detyrim formal për një element të rëndësishëm të banesës sikurse është p.sh. dritarja.


Këto edhe i kam botuar: "Shqiponja dykrenare në artin popullor shqiptar", "Hylli i Dritës" 1-2, 1997.


Në atë studim vlerësoja lart aftësitë dekorative të mjeshtërve popullorë në thjeshtëzimin e figurës. Por tani nuk kemi më këtë gjë. Tani më duket sikur përligjim agresionin total kundrejt territorit me parulla gjoja patriotike.


Në foto 1 shohim një dritare shqiponje, në një banesë pa leje (e vetmja për të cilën më vjen keq që është prishur. Ishte shembull i rrallë i një formalizmi hipokrit të paprecedent.)


Në foto 2 po shihni një benzinatë në Përrenjas me një arkitekturë zoologjike. Më duket si një rinoceront por ama me kokat e shqiponjave sipër. Kështu që ky ndërtim i rëndë i lejon pjesëmarrjen në peizazh sepse është patriotik.


Foto 3 është e pafajshme. Është një mozaik me gurë lumi, para një lokali gjatë rrugës Qukës-Librazhd.


Foto 4 është një banesë private, në ndërtim e sipër, në ngjitjen për në Llogara. Ju shikoni se si bastionet bosh janë më të forta se vetë shtëpia, por ai ama është i kënaqur dhe krenar që ka bërë një shtëpi kala. Deri tani kisha ndeshur shume lokale tip kala, por jo shtëpi kala. Ja, edhe këtë e pamë.


Dhe se fundi po ju paraqes Foto 5: një hotel në Vaqar i cili ka bërë gjithë dritaret shqiponjë.
Ky është objekti më i sofistikuar, në kuptimin e kërkimit për të përputhur formën me përdorimin. Dritaret shqiponjë janë të thyera në dy plane dhe kjo ka detyruar edhe për një thyerje volumore të dhomave, gjë që më duket se dëmton planimetrinë.


Mendimi im është se tema patriotike në arkitekturë është formalizmi më absurd. Këtu po fus edhe numrin e madh të objekteve kala, gjatë autostradave tona.


Është vështirë të gjesh një rast të dytë në arkitekturën europiane.
Sidoqoftë arkitektura shkon paralel me gjithë mendimin dhe praktikën e një shoqërie.
Dhe sa për absurdin, ne dallohemi në mënyrë të veçantë, e kemi me shumicë dhe të larmishëm: por gjithmonë jo aty ku duhet.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›