Kristin, e huaja sensuale e Francës
Kristin Scot Thomas mban ende mend kritikën e parë në revistë që i shkruan për shfaqjen e saj të parë në ekran. Ishte viti 1986 dhe ajo debutoi për herë të parë në filmin “Under the Cherry Moon” një projekt i çuditshëm dhe jo shumë i qartë në të cilin merrnin pjesë aktorë shumë pak të njohur dhe kryesisht aktorë të rinj. Por mes tyre ishte edhe një djalosh i famshëm, që u bë edhe më i famshëm më vonë me emrin Prince. Atëherë Kristina sapo kishte përfunduar shkollën e dramës dhe e kishte pranuar rolin e parë, edhe pse i parëndësishëm, pa e menduar dy herë. “Ishte një shkrim që nuk do ta harroj kurrë. Në të shkruhej: Kristin është një kurë më e mirë për gjumin sesa një gotë qumësht i nxehtë”.
Edhe pse kanë kaluar thuajse 25 vjet nga ajo thënie, Kristin ende ndien dhembje kur e kujton një gjë të tillë. “Ishte një grusht i fortë hundëve, të cilin nuk e prisja, por ja që më ndodhi në hapin tim të parë dhe më ndodhi për të më lënë përgjithmonë gjurmë”.
Sot ajo është kthyer në Paris, qytetin që e ka bërë të sajin këto 30 vitet e fundit. Edhe pse e zotëron shumë mirë frëngjishten, të paktën sipas francezëve ajo ende ka një theks anglez që me kalimin e viteve nuk ka ndryshuar. “Tashmë ndihem si një franceze e vërtetë dhe jo sepse kam jetuar shumë në këtë vend, apo kam fëmijët gjysmëfrancezë, por se përkas këtu, duhet të jetoja këtu për një arsye apo për një tjetër dhe kur them shtëpi mendja më shkon gjithmonë në buzë të Senës”.
Kristin pati një martesë 17-vjeçare me një mjek me të cilin pati edhe fëmijë dhe një jetë të bukur dhe të qetë deri në momentin që vendosi të jetojë më vete. Sot nga një e huaj e padëshiruar ajo është shndërruar në aktoren e preferuar edhe të kinemasë franceze. Zakonisht i pëlqen që të ketë një pamje shumë të thjeshtë, por në raste të caktuara, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrëmje apo evente të rëndësishme arrin që të shndërrohet e tëra nga një grua ujë dhe sapun në një femër fatale. Sapo ka mbushur 50 vjeç dhe disa linja të holla rrudhash kanë pak kohë që kanë nisur të thellohen poshtë syve të saj blu. Megjithatë, lëkura e saj ende duket e mrekullueshme dhe e freskët si ajo e një trëndafili. E dobët dhe elegante me nofullat e dala ajo është nga ato gra që tërheqin vëmendjen jo aq për bukurinë dhe sharmin që përçojnë sesa për faktin se janë tërheqëse përmes misterit dhe një force të brendshme karakteri që u del në pah në çdo lëvizje dhe grimasë. Për vite me radhë Kristin ka luajtur shumë role aristokratesh, ca të përkëdhelura, ca heroike, ca të përfshira në histori dashurie e pasioni. “Ka qenë një kohë kur nuk më ndaheshin role të tilla. Nuk e kuptoj se çfarë gjenin në portretin tim të gjithë regjisorët që më kishin shndërruar në fytyrën e preferuar të filmave me aristokratë. “Një rol i tillë ishte edhe ai i luajtur në filmin “Pacienti anglez” një rol tragjik, por shumë pasionant që bëri për vete edhe jurinë e “Oskarit”. Ky ishte roli që e çoi Kristinën për pak kohë në Hollivud për të luajtur në disa filma të tjerë përkrah Roberd Redford, apo Tom Kruz. Edhe pse ishin të gjitha role që i sollën sukses, famë dhe kontrata të tjera shumë të dëshirueshme, ajo nuk ishte e lumtur. “Mund të them vetëm se po ia kalonim mirë, por filmat që luajta pas “Pacientit anglez”: nuk kishin asnjëri emocionin dhe plastikët e rolit tim tragjik. “Ky ishte një rol që më ndryshoi dhe i bëri edhe regjisorët që të më shihnin me një sy tjetër me syrin e një aktoreje që dinte të nxirrte edhe role shumë të thella dhe të dhembshura dhe mbi të gjitha të përcillte me shumë emocion një situatë emocionale të rënduar”.
Pas periudhës në Shtetet e Bashkuara ajo u rikthye edhe njëherë në atdheun e saj të dytë, Francë ku u përfshi në projektet lokale, jo më pak të ndjerë, edhe pse jo shumë të ndjekur botërisht sa ç’ndodh me filmat e Hollivudit. “Kinemaja franceze ka një tjetër mënyrë vështrimi për gratë, një tjetër këndvështrim që është i ndryshëm nga ai i kinemasë amerikane që për mua është disi sipërfaqësor, bota e brendshme e gruas hulumtohet deri në imtësi, me mikroskop, ndërsa kinemaja amerikane është më gjithëpërfshirëse. Kështu për shembull tani po kaloj një periudhë të mirë, sepse në Francë, ndryshe nga Amerika ka interes për femrën e çdo moshe dhe madje më shumë për botën e brendshme të grave të moshës sime. Një grua 50-vjeçare në Amerikë ka një karrierë të vështirë dhe me propozime të rralla, ndërsa në Francë mund të bësh karrierë në kinematografi edhe pas të 50-tave.”
Roli i saj i fundit është ai i nënës së dy djemve e martuar me një fizikan, e cila duke lënë pas sërën e saj dhe gjithçka sfidon realitetin duke rënë në dashuri me një emigrant. Dhe sigurisht këtu fillon një dramë e madhe xhelozie, përveçse dashurie. Për aktoren ky është një rol i jashtëzakonshëm, nga ato role që i kanë shkuar gjithmonë për shtat, sepse eksploron thellësisht botën emocionale të grave. “Për hir të së vërtetës duhet thënë se gratë janë qenie shumë të paparashikueshme, por jo gjithmonë, vetëm atëherë kur e ndiejnë brenda vetes nevojën për ndryshim”. Edhe jeta e saj private i ngjan pak asaj të personazheve që ka interpretuar. Pas viteve të gjatë të martesës ajo u divorcua dhe megjithëse është shumë diskrete për jetën private thuhet sa ka pasur disa lidhje me meshkuj të ndryshëm.
#