E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA dhe BE, rezolutë për Kosovën në AP të KB

Pavarësisht asaj që do të bëjë Serbia, Kosova planifikon të ketë Rezolutën e saj në OKB. Kjo natyrisht vetëm nëpërmjet aleatëve. Vlora çitaku, zv.ministre e Jashtme e Kosovës, konfirmoi në emisionin interaktiv në KTV, se SHBA-ja dhe shtetet kryesore të BE-së në shtator do të paraqesin në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së një rezolutë për dhe në emër të Kosovës. Ajo ka thënë se aty do të prezantohet qëndrimi i qartë i GJND-së për legjitimimin e pavarësisë së Kosovës. 
çitaku ka folur edhe për lobimin intensiv që po bën Ministria e Jashtme, në koordinim me mbështetësit ndërkombëtarë, për të siguruar njohje të reja për vendin. Sipas saj, i gjithë kori diplomatik do të jetë thellësisht i angazhuar për prezantimin e qëndrimit për njohje te përfaqësuesit e vendeve që nuk e njohin Kosovën. Në këtë maratonë lobimi zyrtarisht është përfshirë edhe Shqipëria. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, konfirmoi dy ditë më parë se diplomacia shqiptare do të vijojë intensifikimin e takimeve dhe vizitave diplomatike për këtë qëllim, duke kontribuar konkretisht në shtimin e njohjeve nga shtete që ende nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›