E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

RUSI – Kremlini: Zelensky të detyrohet të bëjë paqe

MOSKË, 3 mars /ATSH-AFP/ – Kremlini bëri thirrje sot që ”të detyrohet presidenti ukrainas të bëjë paqe”, duke fajësuar Volodymyr Zelenskyn për një grindje “të paprecedentë” me presidentin amerikan Donald Trump, i cili mbron përfundimin e konfliktit në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur.

“Dikush duhet ta detyrojë Zelenskyn të ndryshojë mendje. Ai nuk dëshiron paqe. Dikush duhet ta detyrojë atë të dëshirojë paqe”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

“Nëse evropianët e bëjnë këtë, nder dhe lavdi atyre”, shtoi ai duke iu referuar një samiti të aleatëve evropianë të Kievit, të mbajtur dje në Londër.

Dmitry Peskov gjithashtu fajësoi liderin ukrainas për një grindje spektakolare me presidentin amerikan Donald Trump që ndodhi gjatë takimit të tyre në Uashington.

Të premten në Shtëpinë e Bardhë, para kamerave botërore, Zelensky u akuzua nga Trump se “e kishte vënë veten në një pozitë shumë të keqe” dhe urdhëroi të bënte një pakt me Rusinë.

Si përgjigje, Zelensky ndërpreu qëndrimin e tij në Uashington dhe marrëveshja për shfrytëzimin e mineraleve të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara, e cila do të nënshkruhej me atë rast, nuk u nënshkrua.

”Ajo që ndodhi të premten në Shtëpinë e Bardhë tregoi se sa e vështirë do të jetë gjetja e një rruge për një zgjidhje në Ukrainë”, tha Dmitry Peskov, sipas të cilit ”Zelensky tregoi mungesë të plotë diplomacie”.

”Në këtë situatë, nuk do të mjaftojnë vetëm përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe vullneti i mirë i Moskës për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë”, theksoi Peskov./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›