Turizmi në vend, aspak optimal, LSI: Mungon uji dhe dritat, problem siguria
Tiranë- Nën/kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani tha sot se situata turistike në vendin tonë nuk është aspak në nivele normale. Në një konferencë për mediat Manjani tha se në kulmin e sezonit ka mungesa në ujë dhe drita, si dhe siguria paraqitet problematike.
E thirrëm këtë takim në fakt për të shprehur shqetësimin që situata turistike në vend nuk është aspak optimale. Jemi në kulmin e sezonit turistik, është kulmi kur duhet të kishim prenotime, duhet të kishim një dyndje drejt bregut shqiptar dhe në fakt po ndodh e kundërta. Ka një lëvizje me shumë sforco të qytetarëve shqiptarë, por jo vetëm, dhe kjo vjen për shkak se gjithmonë e më shumë emetohen lajme të tipit që, në fakt janë edhe të vërteta, që mungon uji i pijshëm, mungon infrastruktura rrugore, mungon energjia elektrike, madje ngrihen edhe shqetësime deri tek pastrimi i mbetjeve, i ujërave të ndotura apo i plazheve të pastra. Dhe ky është një shqetësim që sigurisht vjen në rritje dhe duke pasur parasysh që qeveria e ikur, tashmë ka kohë që ka ikur nga ky sektor dhe nuk kemi çfarë ti bëjmë thirrje kësaj qeverie,-tha Manjani.
Sipas tij duhet të merren masa urgjente në zhvillimin e turizmit: Përditë ka ngjarje të rënda kriminale derti te shpërthime me eksploziv e që nuk janë edhe këto gjëra të mira, që të marrin situatën në dorë dhe të ndihmojnë qartësisht qytetarët shqiptarë, por jo vetëm, që ti drejtohen bregut të Shqipërisë për të kaluar 10 ditë pushime. Kjo është një detyrë që çdo shtetas i këtij shteti sot duhet ta ketë. Është një moment që duhet ti shërbejmë ekonomisë kombëtare, jo vetëm ekonomisë kombëtare, por ekonomisë së shqiptarëve në tërësi por edhe relaksit të gjithsecilit që të shpenzojë 10 ditë të pushimeve apo më shumë në bregun shqiptar, pasi realisht ne kemi nevojë që të nxisim këtë sektor që është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë kombëtare. Nga kjo pikëpamje nuk përjashtohen nga kjo thirrje sigurisht edhe agjencitë turistike, shërbimeve konsullore kudo që të jenë duke pasur parasysh që ka edhe një situatë disi të favorshme për shkak se dy vende të mëdha që kanë thithur turistë për vite me radhë, Turqia dhe Egjipti janë sot në situatë krize. E për pasojë situata turistike nuk është e favorshme, kështu që është një moment kur të gjitha agjencitë tona të marrin këtë avantazh për ta shfrytëzuar dhe për të sjellë drejt bregut shqiptar sa më shumë turistë të jetë e mundur, për të ndihmuar ekonomitë e shqiptarëve, por edhe ekonominë kombëtare në tërësi,-tha ai.
Manjani tha se është momenti të tërheqim vëmendjen që në këtë situatë, që është praktikisht kulmi i sezonit turistik të mund të nxisim sa më shumë turistë që vijnë në vend.
Është një thirrje që praktikisht e bëjmë edhe për mediat, për të përdorur hapësirat mediatike, është një hapësirë që ushtrohet vërtetë në shumicën e rasteve në mënyrë private, por të mos harrojmë se është një kontribut në ekonominë kombëtare, që edhe hapësira juaj të përdoret dhe të shfrytëzohet sa më shumë të jetë e mundur për të nxitur turizmin në vend,-tha Manjani.