E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turizmi, një leksion që vjen nga Italia

Përvoja italiane e zonës së Paestumit ofron shembullin më të mirë sesi edhe Shqipëria mund të bëhet një vend atraktiv për turizmin vjetor dhe jo vetëm atë veror


Klima, historia, kultura dhe pozita gjeografike duket sikur e kanë parathënë fatin e Shqipërisë, që sikundër fqinjët e saj Italia apo Greqia nuk i mbetet tjetër, vçse të bëhet destinacion i konkurueshëm turistik. Jo përpjekje e sforcuar për turizëm të ngutshëm veror, por mundësi për thithje turistësh gjatë gjithë vitit.


Një sfidë me të cilën po përballen sot edhe vende shumë më të zhvilluara se vendi ynë. Por, që ndryshe nga ne, e kanë gjetur çelësin e suksesit duke u mbështetur tek rrënjët dhe shfrytëzuar mjeshtërisht të shkuarën për të ndërtuar të ardhmen.


Në ndihmë për këtë vjen përvoja italiane që me gjithë numrin e madh të turistëve (renditet aktualisht në vendin e pestë në botë), ka kuptuar se për të qëndruar në elitën e vendeve me turizëm të zhvilluar nuk mjafton vetëm të kesh, por të dish të servirësh.


"Kemi qenë të tretët në botë për të bërë turizëm dhe jemi zhvendosur pak e nga pak në vendin e 5-të, duke na e kaluar edhe Kina. Nuk është shaka. Shangai e mund Firencen 1 me 0 në turizëm, ndërsa Pekini e mund Romën 2-0. Po flasim gjithnjë për mbërritjet ndërkombëtare.


E ndërsa Europa rritet me 0.1%, 0.2%, 0.3%, në tregun ndërkombëtar turistik, vendet aziatike rriten me nga 7, 8 , 9 %. Pra vija apo treni i destinacionit turistik po zhvendoset drejt vendeve aziatike, kështu që Europa ose duhet të ndryshojë modelin e shërbimeve turistike, ose do të humbasë përfundimisht konkurrencën në tregun ndërkombëtar".


Me këto fjalë iu drejtua Profesor Salvatore Messina, ish-këshilltar i Komisionit Europian për turizmin, një grupi gazetarësh shqiptarë dhe drejtuesve vendor të Torre Del Grecco, një qytet i vogël


Duke vizituar jugun e Italisë (rajonin e Kampanjës dhe Pulias), i cili ndryshe nga veriu nuk i ka besuar industrisë por turizmit, përballemi me një përvojë që vlen të merret shembull.


Udhëtimi drejt zonës Paestum, një destinacion turistik natyror ( me bregdet tërheqës dhe me ekosistem shumë të ruajtur), por dhe arkeologjik, shfaqen para nesh ndërtime të shumta, të reja e moderne, por të vendosur me strategji dhe zhvillim racional të turizmit familjar dhe atij hotelier.


Rajoni i Paestumit, ashtu si Shqipëria, është dëshmi e gjallë e një kombinimi të resurseve natyrore (deti, klima mesdhetare), vlerave historike dhe atyre kulturore. Vendi i parë që vizitojmë është qyteti i vogël Agropolit, që nga vet emri tregon se është një qytet bujqësor, por që kohët e fundit i është kthyer tërësisht turizmit.


I ngritur në faqen e një kodre, që bie thikë mbi det, Agropoli na kujton shumë qytete shqiptare, si Saranda, apo Pogradeci, të gjalla e masivisht të populluara gjatës verës, por të fjetura në stinët e tjera. Më të vetmin ndryshim, për Agropolin nuk ka dallim nëse është verë apo dimër. Shëtitoret janë të populluara njësoj.


Një tjetër vend pjesë e vizitës tonë, sot pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s ishte edhe Pallati Vargas në fshatin Vatolla, i njohur ndryshe si fshati i filozofëve. Syri të zinte rrugica të ngushta, kalldrëme të sistemuara mirë, fasada të vjetra shtëpish, por të mirëmbajtura.


Në qendër të fshatit qëndronte kështjella plot histori e familjes Vargas. Brenda saj ishte ngritur një shkollë e një formacioni të lartë, një bibliotekë e pasur dhe një muze, e lidhur ngushtësisht me figurën e Gian Batista Vicco, filozofit që pikërisht në këtë kështjellë duke mësuar fëmijët e familjes princërore, u ndal e përpunoi pjesën më të madhe të mendimit të tij filozofik. Kështjella muze përbëhet nga 7 salla të mëdha, tre prej të cilave i janë kushtuar pikërisht atij.


Në sallën e parë sapo hyn përballesh me një arkiv të pasur të librave të Benedeto Kroçes, me piktura të viteve 700. Salla e dytë është ajo ku jetoi Vicho, gjatë qëndrimit të tij prej 9 vjetësh në Vatolla. Në sallën e tretë ndodhet biblioteka me dëshmitë e së drejtës dhe të filozofisë.


Një pasuri, që nëse nuk do të ishte pjesë e agjendës turistike të zonës do të mbetej e pazbuluar, për shkak të largësisë nga qendrat urbane. Ashtu si ndodh me shumë vende të ngjashme në Shqipëri, që mbeten peng i harresës.


Destinacion i pashmangshëm jo vetëm në këtë zonë por në gjithë Italinë është padyshim Napoli (Napuli siç thonë mes tyre napolitanët). I rrëmujshëm për shkak të numrit të madh të popullsisë, por edhe të vet karakterit të napolitanëve, qyteti i vjetër i themeluar nga greket në shekujt IX-VIII para erës së re, ofron një larmi vlerash historike dhe kulturore.


Ai gërsheton dëshmi të vazhdueshme të qytetërimeve nga antikiteti deri në ditët tona, ku natyrisht gjejmë kalldrëmet mijëra vjçar, pallatet princërore, rrënoja të luftërave të zhvilluara në kohë të ndryshme, gradaçelat moderne, lëvizjet e shumta, larminë e dyqaneve, bareve dhe restoranteve me gatime tradicionale. Kur i sheh të gjitha këto mund t'i besosh thënies së italianëve: Nuk mund të vdesësh pa parë Napolin!


Një tjetër element që spikat në këtë zonë është Parku arkeologjik i Paestum (Poseidoni), dëshmi e gjallë një epoke antike që nuk fle. Qyteti Posedonia është themeluar nga grekët aty nga fundi i shekullit të 7 para erës sonë dhe ai përfaqëson dy kulturat më të ndritura të kohës, atë greke dhe më pas romake.


Në shekullin e III-të u shndërrua në një tempull plot shkëlqim në të cilin gjejmë Bazilikën e Herës si dhe Tempullin e Poseidonit. Bazilika është një nga tempujt më të hershëm të Paestumit. Ai ngrihet solemn, me kolonat e praruara të harqeve që i drejtohen lindjes. Shembulli më klasik i tempullit Dorik të botës greke është pa dyshim tempulli i Poseidonit apo siç njihet nga vendasit tempulli i Neptunit.


Në muzeun arkeologjik kombëtar të Paestumit, i ngritur në krah të parkut shikon mbetje nga tumat prehistorike, mbetje skulpturash të nxjerra nga rrënojat, qeramika të zbukuruara me ornamente, si dhe armë të përdorura nga banorët e kohës. Këtu gjejmë rrasat e më shumë se 120 varreve, ndërmjet tyre një varr shumë të famshëm që daton nga viti 480 para erës sonë.


Nga sa pamë dhe na u tha nga ekspertët Italianë, përpjekja për një turizëm atraktiv dhe jetëgjatë kërkon gërshetim politikash, duke filluar nga azhurnimi i legjislacionit turistik, ndershmëri në klasifikimin e hoteleve, modifikim të sistemit të promocionit, përmirësim të sinjalistikës turistike, privilegjin të kompetencave duke investuar në burimet njerëzore, përdorim sa më të mirë të fondeve europiane, menaxhim të pasurive kulturore dhe natyrore si burim i nevojshëm për një turizëm vjetor, krijim të partneritetit midis administratës publike dhe asaj private për menaxhimin sa më efektiv të shërbimeve publike.


"Ne kemi bërë edhe gabime për të mbërritur këtu ku jemi. Kemi harxhuar madje edhe shume fonde. Ju keni një fat të mirë. Për të arritur në modelet e përsosura të menaxhimit të këtij lloj turizmi, nuk ju duhet të përsërisni gabimet tona.


Përthithni më të mirën e mundshme për të arritur një menaxhim të përsosur"- tha Profesoresha Marina Cipriani një nga menaxhueset e kësaj zone turistike.


Ende për të huajt shqiptarët mbeten ata të viteve të para të pluralizmit, kur mësynin ambasadat dhe anijet


Ndryshimi i imazhit, sfida kryesore për Shqipërinë


Përpjekja për gjetjen e mundësive për një turizëm joshës nuk është e vetmja sfidë për Shqipërinë, e cila më shumë sesa për infrastrukturën, apo zgjerimin e kapaciteteve akomoduese, duhet të investohet së pari në përmirësimin e imazhit.


Gjatë vizitës në Itali përvçse mësuam shumë gjera për mënyrën sesi ky vend punonte për turizmin, u hasëm dhe me një fenomen që po i ndjek si mallkim shqiptarët në gjithë këtë periudhë tranzicioni.


Ende në sytë e italianëve ne përfaqësonim qytetarët e një vendi që lind vetëm hajdutë dhe vrasës. Ndoshta duket pak e rëndë por këto ishin shprehjet e italianë që na shoqëruan shpesh në këtë udhëtim.


"Shqiptarët janë hajdutë"- tha pronarja e një dyqani luksoz veshjesh në Salerno, e befasuar pasi mori vesh që klientët e saj të radhës ishim ne, shqiptarët.


E si për të justifikuar vlerësimin negative që kishte për shqiptarët na rrëfeu historinë e saj, që ia kishte besuar shtëpinë një shqiptareje para se të largohej për në Amerikë dhe kur ishte kthyer e kishte gjetur atë të boshatisur.


Pavarësisht përpjekjeve tona për ta bindur se shqiptarët nuk janë gruaja që ajo i besoi shtëpinë, në të mbeti e pandryshuar ideja e krijuar më parë.


Një rast të ngjashëm me këtë, hasëm edhe në Parkun Arkeologjik të Paestumit, kur një mesoburrë debatoi gjatë me grupin tonë për atë që përfaqësojnë shqiptarët.


I bombarduar me lajme të kronikës së zezë me protagonistë shqiptarët, për të ne nuk ishim tjetër vçse vrasës dhe hajdutë.


Madje ai refuzoi disa herë ftesën tonë për të parë nga afër Shqipërinë dhe mikpritjen e shqiptarëve, me frikën se kushedi ç'mund t'i ngjasë, pavarësisht se në fund, morëm gjysmë premtimi se ai do të vinte në Tiranë.


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›