E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, një çift vetëhelmohet me bar miu

Policia bën të ditur se personat bashkëjetonin prej një viti, teksa kishin pirë helmin me filxhanin e kafesë

Mbërritja në kohë e familjarëve ka arritur të shpëtojë burrin 28-vjeçar dhe gruan 34-vjeçare


KORÇË- Dy të dashuruar tentojnë t'i japin fund jetës, pas një grindjeje. Vendimi ka qenë i përbashkët, ndërsa tentativa e tyre njëherësh ka qenë dhe prova e dashurisë që ata të besonin se nuk mund të ndaheshin as të vdekur. Ngjarja e rrallë është regjistruar në një fshat që mban emrin e qytetit të vogël të Maliqit.


Një çift të dashuruarish që jetonin prej një viti së bashku, ndonëse nuk ishin celebruar zyrtarisht me martesë, bashkë me kafen që kanë konsumuar, kanë hedhur në të dhe bar miu për t'i dhënë fund jetës së tyre.


Ardhja në kohë e familjarëve të tyre i ka shpëtuar ata, ndonëse çifti tashmë është duke marrë ndihmë të specializuar mjekësore në spitalin rajonal të Korçës. Policia e juglindjes njoftoi zyrtarisht se dy persona janë vetëhelmuar me bar miu në mënyrë të qëllimshme në fshatin Maliq të këtij qarku.


Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në orët e mbrëmjes së të shtunës, ndërsa vetëm gjatë orëve të vona të natës është marrë njoftimi se dy personat janë transportuar nga familjarët për në spitalin e Korcës në gjendje shumë të rëndë mjekësore.


Sipas të njëjtave burimeve policore, në urgjencën e spitalit rajonal mbërritën në gjendje të rëndë të vetëhelmuar dy shtetas. I pari është A.M., 28 vjeç, banor i fshatit Maliq në rrethin e Korçës, si dhe shtetasja me inicialet E.B., 34 vjeçe, banore e po këtij fshati. Të dy personat mësohet nga hetimet e para se bashkëjetonin prej rreth një viti.


Pas marrjes së informacionit për ngjarjen, u ngrit grupi hetimor, i cili shkoi në vendin e ngjarjes, ku nga deklarimet e para të familjarëve të tyre, ka rezultuar se dy personat e vetëhelmuar në momentin që kanë pasur efektet e lëndës toksike, iu kanë thënë familjarëve për atë që kishin bërë dukë kërkuar ndihmë.


Madje ata iu kanë treguar me shumë vështirësi se kishin pirë një ilaç i quajtur bar miu.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u morën dhe sekuestruan dy filxhanë kafeje me mbetje kafe me erë të rëndë.


Të vetëhelmuarit ndodhen në spitalin e Korçës në gjendje kritike për jetën, ndërsa mjekët e këtij spitali janë duke u kujdesur për të shpëtuar jetën e çiftit. Nuk dihen shkaqet reale të kësaj ngjarje, por dyshohet që një grindje mes dy partnerëve të ketë çuar në këtë vendim të tyre. Në këto kushte vendimi i marrë bashkë me konsumimin e kafes në mbrëmje, ka qenë gati fatal për ta.


Burime nga spitali i Korçës bën të ditur për gazetën se gjendja e tyre shëndetësore nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, ndërsa janë duke u mbajtur nën vëzhgimin e rreptë të mjekëve. Ndërkaq, policia ka nisur hetimet për veprën penale të "shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë".

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›