E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turk: Shpresoj për bashkëpunim të fortë rajonal



Presidenti i Sllovenisë, Danilo Turk, ka deklaruar se beson që në të ardhmen do të gjenden formula, të cilat do të mundësojnë bashkëpunimin e të gjithë liderëve të shteteve të formuara nga Jugosllavia e dikurshme. Në një intervistë për Radio Bosnje e Hercegovinën, Turk ka komentuar për mospjesëmarrjen e Serbisë në konferencat ndërkombëtare në të cilat marrin pjesë përfaqësuesit e Kosovës. "Sllovenia e ka pranuar Kosovën dhe ka marrëdhënie diplomatike, prandaj sillet ndaj Kosovës si shtet sovran, në fakt ngjashëm sikurse me të gjitha shtetet e tjera në këtë rajon, me të cilët ka të vendosura marrëdhënie të tilla", ka thënë Turk. Presidenti slloven ka thënë se edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po citohet në mënyrë shumë gjithëpërfshirëse. "Në atë rezolutë nuk flitet për Serbinë si Serbi, dhe do të ishte mirë po të mendohej për interpretimin e asaj rezolute, për të cilën besoj se nuk duhet t'i shtohen elemente të cilat nuk janë në rezolutë", ka thënë Turk, duke shtuar se vendi i tij mbështet vendet e Ballkanit Perëndimor për integrim në BE, dhe është i gatshëm që t'i ndihmojë në këtë rrugë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›