E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, rritet dhuna. Qindra arrestime dhe të plagosur

Turqia po "digjet" dhe Rexhep Tajip Erdogan tregon për herë të parë në 10 vjet, pafuqinë e tij për të "shuar" zjarrin. 

Ditën e shtatë të demonstratave numëron sot Turqia, teksa dhuna vazhdon e rritet. Protesta për mbrojtjen e parkut të fundit të Stambollit është shndërruar tashmë në një nga sfidat më të vështira të viteve të fundit për kryeministrin turk Recep Tayyip Erdogan. 

Qindra njerëz dolën sërish dje në rrugë për të mbështetur mobilizimin e iniciuar kundër ndërtimit të qendrës tregtare dhe bllokut të banimit në afërsi të sheshit “Taksim” në Stamboll, por që tani është kthyer në një protestë kundër kryeministrit Erdogan. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe rrëzimin e qeverisë. 

Nata e kaluar ishte një tjetër natë e konfliktit të egër. Policia përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve që kaluan urën e Bosforit, lidhjen simbolike mes Europës dhe Azisë. Në Ankara, marshimi u orientua drejt godinës së parlamentit dhe incidentet e dhunshme ishin te pranishme kudo. Mediat thonë se numri i të arrestuarve ka tejkaluar tani 1700 dhe të plagsurit janë gjithashtu me qindra. 

Spitalet nuk kanë vend për të plagosurit, ndaj në ndihmë të tyre janë vënë xhamitë, universitetet dhe dyqanet. 

Përballë presionit në rritje, kryeministri Erdoπan shprehet i vendosur për vazhdimësinë e projektit të zhvillimit të parkut të Stambollit dhe bën thirrje për një përfundim të menjëhershëm të demonstratave më të ashpra antiqeveritare të viteve të fundit. 

Protestat filluan të premten (më 31 maj) duke degjeneruar në përleshje me policët, që u përpoqën të dëbojnë protestuesit nga parku. Protestuesit në Stamboll nuk i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit Erdogan për të ndalur protestat e dhunshme dhe e akuzojnë atë se jo vetëm po zhduk hapësirat e gjelbra, por se po përpiqet të krijojë një pushtet autoritar të stilit osman.

Në Ankara dhe 49 qytete te tjera njerëz të shumtë protestuan kundër ligjit për ndalimin e përdorimit të pijeve alkoolike në ambientet publike pas orës 22:00. 

Reagimet
Komuniteti ndërkombëtar përfshirë edhe shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin për dhunën dhe metodat e ashpra të përdorura nga qeveria kundër protestave.

Organizatat mbrojtëse të të drejtave të njeriut shprehin shqetësim rreth ngjarjeve të fundit në Turqi, të cilat kanë të ngjarë të përhapen dhe në fronte të tjera, si përshembull tensionet me kurdët. 

Në Shtetet e Bashkuara, Departamenti i Shtetit tha se ishte i shqetësuar nga numri i të plagosurve, ndërsa Amnesty International dhe Parlamenti Evropian kanë ngritur shqetësim në lidhje me përdorimin e tepruar të forcës policore. 
(an.jo/Balkanweb) Lidhje te tjera Protestat në Turqi, grekët manifestime solidariteti me turqit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›