E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia dhe Iraku, në një aleancë-surprizë kundër PKK-së së Oçalanit

Turqia dhe Iraku ranë dakord javën e kaluar që të rrisin bashkëpunimin në luftën kundër Partisë terroriste të Punëtorëve të Kurdistanit në Irakun e veriut. Të dy vendet sinjalizuan gjithashtu përmirësim në marrëdhëniet e Ankarasë me qeverinë rajonale kurde të Irakut.

“Southeast European Times”

Turqia, Iraku dhe Shtetet e Bashkuara do të ngrenë një qendër të përbashkët bashkërendimi në qytetin Arbil të Irakut të veriut si pjesë e një plani të ri për të mposhtur organizatën terroriste të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), tha javën e fundit në Ankara Ministri i Jashtëm i Irakut Hoshjar Zobari, vetë një kurd i shquar. "Ne kemi një klimë të re...bashkëpunimi dhe mirëkuptimi midis Turqisë, Irakut dhe Irakut të veriut", tha Zebari pas bisedimeve të premten në Ankara me Ministrin e Jashtëm turk Ali Babaçan. "Ne do të duam të ringjallim mekanizmin trepalësh ... me qëllim për të hequr këtë çështje të helmuar", tha ai. Qendra e bashkërendimit pritet të përqëndrohet në shkëmbimin e inteligjencës me qëllim që të garantojë sigurinë e kufirit dhe të parandalojë sulmet ndërkufitare mbi Turqinë. Për vite, militantët e PKK kanë përdorur pjesën malore të Irakut të veriut si bazën e tyre kundër Turqisë. Terrorizmi i PKK ka marrë gati 40,000 jetë që nga 1984. Për pesë vitet e fundit, Ankaraja ka akuzuar grupet kurde të Irakut për strehimin e PKK dhe vazhdimisht ka kërcënuar të fillojë një ofensivë tokësore në Irakun e veriut. Pas një shtimi të sulmeve të PKK më 2007, Uashingtoni miratoi sulme ajrore të kufizuara ndaj bazave në Irakun e veriut. Ai vazhdon të shkëmbejë inteligjencën me Ankaranë. Përpjekjet për të ngritur një mekanizëm konsultimi trepalësh u zvarritën për shkak të mosbesimit të ndërsjelltë midis Turqisë dhe kurdëve të Irakut. Por që nga maji 2008, një klimë e përmirësuar ka lejuar dialog më të afërt midis Ankarasë dhe kurdëve të Irakut. Babaçan përshëndeti këtë atmosferë të re, duke pranuar fushatën e qeverisë kurde të Irakut për të izoluar PKK. Megjithatë, ai tha se Ankaraja pret më shumë si nga Bagdadi dhe nga Arbili. "Eleminimi i PKK në Irakun e veriut është një kusht sine qua non për normalizimin e marrëdhënieve tona me Irakun," tha Babaçan. Ekspertët e antiterrorizmit në Turqi e shohin bashkëpunimin e fundit midis Turqisë dhe Irakut si të dobishëm, por të pamjaftueshëm në vetvete. "Ngritja e një qendre bashkërenduese është padyshim një hap i rëndësishëm," i tha Southeast European Times eksperti anti-terrorist Nihat Ali Ozkan i Fondacionit të Turqisë për Studimin e Politikave Ekonomike. "Por lidhur me funksionalitetin e saj operacional, unë ende kam dyshime". Evolucioni i problemit të PKK dhe marrëdhënieve të Turqisë me kurdët e Irakut do të varet nga dy zhvillime, tha Ozkan. Së pari, janë zgjedhjet lokale turke në mars, që do të vlerësojnë qëndrimin e popullsisë kurde të Turqisë ndaj kandidatëve në lidhje me PKK. Së dyti, janë politikat e presidentit të ri Barak Obama lidhur me Irakun. "Çdo vendim lidhur me tërheqjen e trupave do të ndryshojë ekuacionin brenda Irakut," tha Ozkan. "Në rrethana të tilla, nuk është asgjë më shumë se e natyrshme për kurdët e Irakut që të kërkojnë lidhje të mira me Turqinë, të bashkëpunojnë kundër PKK".

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›