Çekia pranon kërkesën e Berishës për kandidimin në BE
Kryeministri Sali Berisha e ka mbyllur axhendën e davosit me takimin me presidentin e Çekisë, Vaslav Klaus, vendi i të cilit ka presidencën e BE-së. “Sukseset e Shqipërisë janë në sytë e të gjithëve, mbështesim kërkesën si vend kandidat për në BE”, theksoi publikisht presidenti Vaclav Klaus, i cili u dha fund dilemave lidhur me paraqitjen e kërkesës për marrjen e statusit të vendit-kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian
TIRANE - Reformat në vend dhe aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës çeke kanë zënë pjesën kryesore të bisedës mes kryeministrit Sali Berisha dhe presidentit të Çekisë Vaslav Klaus, i cili konfirmoi mbështetjen e Çekisë për pranimin e kërkesës së Shqipërisë, si vend kandidat për në BE.
Presidenti çek, vendi i të cilit kryeson presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, shpreh vlerësimet e tij për arritjet e gjithanshme të qeverisë shqiptare dhe garantoi se Çekisë do të mirëpresë kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat në BE, pasi sipas tij, sukseset e Shqipërisë janë në sytë e të gjithëve.
Në mbyllje të axhendës së punimeve të forumit Ekonomik në Davos, kryeministri Berisha dhe presidenti Klaus zhvilluan një takim kokë më kokë, për sa u takon proceseve integruese të vendit tonë, zhvillimin ekonomik, atë politik dhe progresit të pamohueshëm në drejtim të forcimit të shtetit ligjor dhe sukseset e arritura në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Biseda mes dy liderëve u përqendrua në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe paraqitjen e kërkesës nga Shqipëria për statusin e vendit kandidat në BE, për të cilën kryeministri e informoi Presidentin çek se Shqipëria do të paraqesë kërkesën për statusin e vendit kandidat gjatë presidencës çeke. Lidhur me këtë, presidenti i Klaus u shpreh qartësisht se Çekia do të mirëpresë dhe mbështesë këtë kërkesë, duke shtuar se sukseset e Shqipërisë janë në sytë e të gjithëve.
Kryeministri Berisha dhe Presidenti çek u ndalën edhe në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, duke konstatuar se ka një rigjallërim të këtyre marrëdhënieve. Privatizimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga një kompani e madhe çeke si CEZ i ka hapur rrugën dhe i ka dhënë shpresë afrimit të shumë kompanive të tjera të këtij vendi,të cilat janë të mirëpritura për të investuar në vendin tonë.