Turqia do të jetë gjithnjë pranë Kosovës
Në një iftar bashkë me kryetarin e komunës së Vushtrrisë Bajram Mulakun, deputetë të Parlamentit turk, deputetë të Parlamentit të Kosovës Kurtan Kajtazin e Xhevahire Izmakun, kryetarin e komunës së Ankara Mamakut, të komunave Osman Gazi, Bursa dhe Bursa e Madhe, sekretarin gjeneral të Gjysmëhënës së Kuqe, ambasadoren e këtij shteti në Kosovë dhe shumë drejtues tjerë të jetës institucionale, bashkë me qindra qytetarë vushtrrias, kaloi takimi i zv. kryeministrit të Republikës së Turqisë Bekir Bozda, takim ky shumë i përzemërt, e që zgjati gjerë në orët e vona të mbrëmjes.
“Largësia gjeografike nuk na pengon që të jemi pranë njëri-tjetrit, për të ndarë pikëllimin apo gëzimin bashkë”, tha ndër të tjera Bozda dhe shtoi se Republika e Turqisë do ta përkrahë Kosovën si në ditët e saja të mira, ashtu edhe në ato të hidhura.
Zv. kryeministri Bozda tha se t’i gëzohen përparimeve dhe avancimeve që po ndodhin në Kosovë dhe se do t’i jenë pranë Kosovës edhe pas 10 shtatorit, kur përfundon mbikëqyrja e pavarësisë.
“Popullin turk dhe të Kosovës nuk e lidh vetëm feja, na lidh kultura, aspektet e historisë së përbashkët dhe burimi i përbashkët i qytetërimit’, tha ai.
Duke u ndërlidhur në proceset politike të Kosovës ai theksoi se tërësia territoriale e Kosovës, integriteti i saj, pavarësia, janë tema që asnjëherë nuk duhet të diskutohen apo hidhen në mendje.
“Ne ftojmë të gjithë që me maturi ta kuptojmë këtë realitet dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”, theksoi Bozda.
Shkëmbimi i përvojave të menaxhimit institucional, bashkëpunimi në sferën e kulturës, arsimit e sportit, por edhe të të bërit biznes të përbashkët janë sferat, të cilat janë fryt i bashkëpunimit të dy komunave të Vushtrrisë e Anakara Mamakut, të cilat po thellohen për çdo vit, vlerësoi kryetari i komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku.
Ai ndër të tjera bëri edhe një kronologji të ndihmave humanitare të ardhura për popullatën, e që janë fryt i këtij bashkëpunimi.
“Sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ka arritur autoambulanca si dhuratë nga Turqia, gjersa janë edhe plot 1100 pako sociale për qytetarët e komunës sonë, duke përfshirë edhe artikuj tjerë nga tekstili”, theksoi Mulaku.
Ai gjithashtu ka falënderuar kryetarin e komunës Mamak Ankara, Mesut Akgul, për këmbëngulësinë e tij në realizim të projektit të restaurimit të objektit të trashëgimisë kulturore “Hamamit”.