E Shtunë, 31 Tetor 2026

Futbolli, rekord shikueshmërie

Shikueshmëria e turneut të futbollit mashkullor dhe atij femëror në Lojërat Olimpike shënoi rekord të ri olimpik të shtunën, pasi që 86,162 shikues e përcollën ndeshjen finale ndërmjet Meksikës dhe Brazilit, e cila u zhvillua në stadiumin Wembley të Londrës.

Kjo e kompletoi totalin e 32 ndeshjeve të meshkujve dhe 26 të femrave, prej 2,186,930 shikuesish, duke e thyer rekordin nga katër vjet më parë në ‘Pekini 2008’, ku ishin regjistruar 2,137,462 shikues në turne.

Në përgjithësi, 1,525,134 njerëz e përcollën në stadium turneun e meshkujve, karshi 1,397,448 sa ishin mbledhur në Pekin. Kurse, 740,014 i ndoqën ndeshjet e femrave në Kinë, në krahasim me 661,796 sa ishin të pranishëm në Londër.

Rekordi olimpik dhe evropian i shikueshmërisë në një ndeshje futbolli të femrave është regjistruar në takimin final ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë, që u zhvillua të enjten në Wembley, e ku të pranishëm ishin 80,203 shikues.

“Shikueshmëria në turneun e futbollit gjatë Olimpiadës ishte fantastike, përkundër preokupimeve fillestare për mos-shitjen e biletave”, njofton Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA). “Mirëpo, ta thyesh rekordin olimpik të shikueshmërisë, nuk tregon vetëm dashurinë e madhe për futbollin që e ka Britania, por gjithashtu fuqinë reale të futbollit si një sport olimpik”, vazhdon shtëpia e futbollit ndërkombëtar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›