Turqia, kërkesë për të blerë ishujt grekë

Turqia duket se nuk heq dorë nga ideja e saj për të përfituar nga ishujt grekë, këtë herë duke i blerë ata. Kështu, media turke “Anatolia”, citon kreun e një shoqate ndërtimi turke, të ketë thënë se ai dëshiron të blejë të paktën tre ishuj grekë, për shkak të marrëveshjes së fundit të bërë me huadhënësit, BE dhe FMN-në.
“Disa firma të pasurive të patundshme janë ndërmjetësuese në shitjen e këtyre ishujve. Ne jemi tani në bisedime me to dhe jemi duke konsideruar në fakt gjashtë ishuj. Unë dua të blej të paktën tre prej tyre”, tha ai.
E përditshmja turke “Today Zaman”, thekson se në kuadrin e krizës së madhe financiare, dhe në mënyrë që të rrisë sa më shumë shifrat që i kërkohen nga BE dhe FMN-ja për privatizimet, të paktën deri në 50 miliardë euro, Greqia po planifikon që të shesë disa nga shumë ishuj në Egje, ca prej të cilëve ndodhen shumë afër brigjeve perëndimore të Turqisë.
Në fakt, afërsia e këtyre ishujve ka krijuar një mosmarrëveshje në mes të dy vendeve lidhur me masën e ujërave të tyre territoriale.
Çështja nuk është zgjidhur ende, pasi Greqia pretendon se vija e ujërave territoriale të saj duhet të zgjatet nga gjashtë deri në 12 milje detare, duke cituar një marrëveshje ndërkombëtare detare, ndërsa Turqia, që nuk është palë e marrëveshjes, konteston pretendimin e fqinjit të saj veriperëndimor në lidhje me shkallën e ujërave territoriale në Detin Egje.
Shitja e ishujve greke në Egje për investitorët turq pritet të sjellë një tjetër debat të ndezur në Greqi.