E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia mbështet Kosovën

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka thënë se anëtarësimi i vendit tonë në nismat dhe mekanizmat rajonale dhe ndërkombëtare është i domosdoshëm dhe se në këtë drejtim po punohet në agjendën evropiane për Kosovën.

Ajo këto komente i bëri të enjten gjatë një takimi me një delegacion të Parlamentit të Turqisë, të kryesuar nga anëtari i këtij parlamenti, Rifait Sait, me ç’rast është diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe thellimin e këtij bashkëpunimi.

Presidentja Jahjaga ka çmuar lart ndihmën dhe kontributin e Turqisë për vendin tonë në të gjithë fushat dhe ka thënë se është i nevojshëm thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit.

Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar në parimin qytetar dhe respekton vlerat e secilit komunitet.

Ndërsa, Rifait Sait, në emër të delegacionit të parlamentit turk, ka thënë se paqja dhe stabiliteti në Kosovë nënkupton edhe paqe dhe stabilitet në gjithë rajonin e Ballkanit.

Ai ka thënë se Turqia do të jetë përkrah Kosovës në të gjitha proceset dhe do të jetë një lobuese e fuqishme për Kosovën në vendet e Kaukazit dhe në vendet islamike.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›