E Shtunë, 31 Tetor 2026

2011 në muzikë

Edhe ky vit në muzikë ishte njëri prej filmave më të suksesshëm. Ai filloj shkëlqyeshëm me hitet e reja të shumë grupeve muzikore që sigurisht do të lënë gjurmë në vitet e ardhshme në muzikë.

2011’shi filloi shkëlqyeshëm, me publikimin e albumit të parë të James Blake dhe të PJ Harvey, 'Let England Shake', që shumë shpejt u përcollën edhe nga Fleet Foxes (Heplessness Blues), The Antlers (Burst Apart), dhe nga Wild Beasts (Smother).

Gjithashtu një rikthim të kënaqshëm bënë dhe Cut Copy me albumin 'Zonoscope' i cili nuk arrin lartësitë e albumit të tyre të mëparshem por tenton dhe ndonjëherë u afrohet (shiko këngët 'Need You Now' dhe 'Sun God').

Në vazhdim të vitit kemi pasur kënaqësinë të dëgjojmë albume të reja nga Bon Iver, M83, John Maus, Pure X, Lykke Li, Feist, Wilco, The Black Keys, Girls, Destroyer, Real Estate, etj... E po gjatë 2011 dëshmuam bashkëpunimin e cuditshëm të Lou Reed me grupin pop-metal 'Metallica' në albumin 'Lulu'.

Në mënyrë krejt të palajmëruar u lëshua në treg dhe albumi më i ri i Radiohead me titull 'King of Limbs' i cili shpresojmë të mos jetë pikëmbërritja finale e grupit pasi megjithëse krahasohet në mënyrë të favorshme me albume të grupeve të tjera, nuk i mban gjallë pritshmëritë e admiruesve, duke qenë se në karrierën e tyre kanë sjellë një seri prej 6 albumesh perfektë (nga 1995 e deri në 2009 ).

Rikthime të tjera të sukseshme kanë qenë ato të Kate Bush dhe Tom Waits të cilët kanë mbi supet e tyre mbi 30 vite karrierë muzikore dhe të krijojnë ndjesinë e ngrohtë të rilidhjes së kohëve të sotme me dekadat e shkuara.

Gjithashtu R.E.M lëshuan albumin 'Collapse Into Now' i cili do të ishte i fundit për ta. Për sa i përket ndarjeve, grupi Sonic Youth lajmeruan së fundmi se nuk do të ketë me Sonic Youth dhe kjo me sa duket për shkak të divorcit të Thurston Moore me Kim Gordon, lajm i cili kalon lehte duke ditur se Sonic Youth na kanë dhënë mjaftueshëm gjatë viteve 80'-90' e për këtë i falenderojmë, dhe se nga ana tjetër Thurston Moore ka filluar punën e tij solo, produkt i së cilës është dhe 'Demolished Thoughts', albumi më introspektiv dhe tradicional i vitit 2011. Fatkeqësisht edhe The White Stripes zyrtarisht njoftuan ndarjen e grupit të tyre !

Edhe më të trishtueshme ishin vdekja e parakohshme e anëtares së grupit avantgardist Broadcast, 40 vjecares Trish Keenan dhe vdekja me sa duket e kërkuar me cdo kusht e Amy Whinehouse. Megjithëse për këtë të fundit janë gjendur menjëherë alternativat zëvëndësuese (Lana Del Rey dhe Adele, etj...), e gjora Trish do të mbetet e pazëvendësueshme.

Sa i përket frontit të muzikës eksperimentale elektronike ka pasur këtë vit një lukuni grupesh të panjohura të cilët kanë dalë nga garazhet/dhomat e tyre duke gjetur ndoshta terrenin e përshtatshëm për të lëshuar tinguj dhe forma këngësh të cuditshme.

Kaq të shumtë janë këto grupe/artistë saqë është e veshtire t’i mbash mend saktë emrat e tyre.

Muzika shqiptare jokomerciale për këtë vit ka të njëjtat probleme si gjithmonë : mungesë ofertash dhe mungesë shpërndarjeje. Gjatë vitit kanë mundur të dalin në sipërfaqe albumet e reja të Gillespie dhe Genc Salihut ndërkohë që tentativat e Linda në botën e cudirave (Jam) dhe Projekti (Limbo-undertow) mbeten ide të mira e shpresëdhënëse për albume por të paekzekutuara mirë. Për t’u ndjekur me interes në vitin e ardhshem mbetet grupi Ora 3 i cili me gjasa do të dale me albumin e parë.

Për sa i përket këngëve që na kanë shoqëruar, si cdo vit tjetër nuk mungojnë ato të mirat. Pas dëgjimit të përsëritur të tyre me poshtë do të gjeni 10 këngët që kanë ngjitur më shumë dhe i kanë rezistuar më së miri testit (relativ) të kohës:

10 këngë më të mira të vitit 2011

M83 – Midnight City

Pj Harvey – The Words That Maketh Murder

James Blake – Wilhelms Scream

Girls – Vomit

Dirty Beaches – Lord Knows Best

The Horrors – Still Life

Wild Beasts – Albatross

John Maus – Believer

Real Estate – It’s Real

Atlas Sound – Modern Aquatic Nightsongs

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›