E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqia rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

TRUQI- Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, me ftesë të kryetarit të Kuvendit të Madh të Turqisë, Cemil Çiçek.

Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës njofton se kryetari i Kuvendit të Madh të Turqisë, Cemil Çiçek, duke ju uruar parlamentarëve të Kosovës mirëseardhje në Kuvendin e Madh të Turqisë, theksoi se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë janë shumë të mira, ndërsa këtë vizitë e cilësoi si mundësi shumë të mirë për thellimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në përgjithësi e në veçanti thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve. Ai theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në të gjitha aspektet, si në vazhdimin e konsolidimit te institucioneve, ashtu edhe në zhvillimin ekonomik të saj.

Delegacioni parlamentar i Kosovës është pritur në një takim të veçantë edhe nga presidenti i Republikës së Turqisë, Abdullah Gül. Kryeparlamentari Krasniqi e njohu presidentin Gül me zhvillimet e fundit në Kosovë, me përparimet që ka bërë Kosova dhe me sfidat me të cilat ajo po përballet, duke kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Turqisë si në procesin e njohjeve ndërkombëtare, ashtu edhe në proceset e tjera.

Presidenti Gül theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në të ardhmen në procesin e njohjeve, por edhe në fushat të tjera.
Duke folur për raportet me fqinjët dhe integrimet rajonale, Krasniqi theksoi se Kosova ka raporte të shkëlqyera me fqinjët, përveç Serbisë, e cila nuk e ka njohur Kosovën dhe vazhdon t'i krijojë pengesa zhvillimit dhe afirmimit ndërkombëtar të vendit. Në këtë vështrim ai kërkoi nga autoritetet turke që në takimet me zyrtarët serbë të ushtrojnë ndikimin e tyre për ndërrimin e qasjes së Serbisë ndaj Kosovës.

Pasdite delegacioni kosovar do të ketë takim me ministrin e Punëve të Jashtme, Ahmet Davutoglu. Nesër, delegacioni parlamentar i Kosovës, i kryesuar nga Krasniqi, do të ketë një takim me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›