Turqit votojne per parlamentin e ri

Pas tetë vite në pushtet të Erdogan, Turqia ka njohur një zhvillim të vrullshëm ekonomik dhe një politikë të jashtme që ka cuar në forcimin e pozitave të shtetit turk.
AKP e Erdogan synon të marrë 2/3 në parlamentin e ri që do të dalë pas zgjedhjeve të ditës së sotme, në mënyrë që të realizojë amandamentet që do të sjellin ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Fushata e Erdogan është bazuar në arritjet ekonomike të vendit në këto 8 vite qeverisje, uljen e papunësisë nën 10 përqind nga mbi 14 përqind që ishte vitin e shkuar dhe premtimet për investime të mëdha në infrastrukturë, shkolla e spitale.
Sfidantja kryesore e AKP-së mbetet Partia Republikane, e njehësuar deri para këtyre zgjedhjeve me “shtetin ushtarak”. Por në këto zgjedhje, lideri i ri i kësaj partie, në përpjekje për të tërhequr sa më shumë elektorat ka reformuar partinë duke nxjerrë si kandidatë për deputetë mjaft figura të reja.