E Shtunë, 31 Tetor 2026

Twitter i mangët dhe sundimi i së drejtës

Në faqen e tij në Twitter datë 7 nëntor 2011, z. Edi Rama, Kryetar i Partisë Socialiste (PS), u shpreh: “U shpërblye edhe në natyrë Sashenka! Dy vjet zgjatje mandati në kundërshtim me ligjin për të vazhduar rrjepjen e lëkurëve”. Dy vjet zgjatje mandati në kundërshtim me ligjin për të vazhduar rrjepjen e lëkurëve”.
Sipas z. Rama, Sashenka Jonuzi, gjyqtare e Gjykatës së Apelit Vlorë, si anëtare e Kolegjit Zgjedhor, ndihmoi në mënyrë të paligjshme Partinë Demokratike (PD) për të fituar zgjedhjet lokale për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Për këtë, Sashenka Jonuzi u shpërblye, thotë ai, duke iu zgjatur afati i mandatit si gjyqtare edhe me dy vjet të tjera mbi cakun prej 65 vjeç të parashikuar si moshë pensioni për gjyqtarët në Ligjin nr. 9877, datë 18.12.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, gjë që është në kundërshtim me këtë ligj dhe së fundi gjatë këtij mandati të zgjatur, Sashenka Jonuzi shpërblehet në natyrë sepse po sipas z. Rama ajo do të vazhdojë të rrjepë palët në gjykimet ku ajo do të marrë pjesë si gjyqtare edhe për dy vjet të tjera!
Ky do të ishte interpretimi i plotë i mesazhit në Twitter-in e mësipërm. Po vetëm kaq? D.m.th. më shumë rëndësi ka jehona politike për të lidhur e demaskuar këtë gjyqtare me zgjedhjet, që i humbi z. Rama, si dhe me faktin se ajo u shpërblye për shërbimin që i paska bërë PD-së për të fituar këto zgjedhje, se sa veprimi i kryer nga KLD-ja për zgjatjen e mandatit të saj?
A nuk do meritonte nja dy fjalë në Twitter veprimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD) që e zgjati në mënyrë antikushtetuese e të paligjshme me dy vjet mandatin e gjyqtares Sashenka Jonuzi? A nuk do meritonte nja dy fjalë në Twitter fakti se zgjatja e mandatit të Sashenka Jonuzit u bë nga KLD-ja dhe jo PD-ja, megjithëse nën influencën e PD-së që përfitoi në zgjedhje nga Sashenka Jonuzi?
Nuk ka dyshim, nisur edhe vetëm nga këto pyetje të patrajtuara e të papërgjigjura ende, se mesazhi i mësipërm në Twitter i mëshon fort dhe në mënyrë të pabalancuar aspektit politik të veprimit të Sashenka Jonuzit në ndihmë të PD-së për të fituar zgjedhjet në Tiranë, si dhe shpërblimit të kësaj për këtë shërbim, duke lënë haptazi mënjanë dhe pa analizuar shkeljen e hapur antikushtetuese dhe ligjore, si dhe njëherazi krejt të patolerueshme, të KLD-së, fakt i cili duhet të jetë alarmisht shqetësues për cilëndo parti politike dhe për cilindo individ.
Nëse këtë shkelje KLD-ja e bëri nën influencën e PD-së, të Berishës apo të simpatizantëve të këtyre të fundit, kjo ka pak rëndësi. Shkeljen e bëri KLD-ja, ai është ‘ekzekutori’, prandaj me këtë duhet marrë, nëse ka vlerë shprehja se ‘demi duhet kapur nga brirët’. Prandaj mesazhi në Twitter është i mangët dhe jo orientues për të zbuluar, analizuar, gjetur e ndëshkuar shkaqet si dhe shkaktarët e asaj shkeljeje.
***
Në datën 7 nëntor 2011 KLD-ja vendosi të zgjasë mandatin e gjyqtares Sashenka Jonuzi me dy vjet edhe pse kjo gjyqtare kishte mbushur moshën e pensionit sipas ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor. Arsyetimi duket të ishte se ajo është anëtare e Kolegjit Zgjedhor dhe si anëtare e këtij Kolegji mandati i saj mbaron kur të mbarojë afati i Legjislaturës afat që është i vlefshëm edhe për Kolegjin Zgjedhor dhe anëtarët e tij.
Mandati i çdo gjyqtari, përfshi edhe gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, është parashikuar e rregulluar me ligj. Neni 20 i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor parashikon se: “gjyqtari nuk mund të lëvizë nga detyra, përveç rasteve kur: (a) jep dorëheqjen; (b) mbush moshën 65 vjeç, të daljes në pension; (c) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi; (ç) shkarkohet nga detyra”.
Me t’u vërejtur këto raste, mandati i gjyqtarit mbaron dhe për këtë nuk është nevoja të bëhet ndonjë deklarim nga ndonjë organ tjetër gjyqësor ose administrativ, që mbarimi të marrë fuqi juridike.
Pavarësisht kësaj dispozite ligjore, KLD-ja e zgjati moshën e daljes në pension për gjyqtaren Sashenka Jonuzi ose e thënë ndryshe, e zgjati mandatin e kësaj gjyqtareje me vendim!
Shtrohet pyetja: Si mund të rritet caku i moshës së daljes në pension të një gjyqtareje apo të zgjatet mandati i qëndrimit të saj në detyrë me vendim të KLD-së? D.m.th., e thënë ndryshe, juridikisht, si mund të ndryshohet neni 20 i ligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor, që parashikon cakun e moshës së daljes në pension të gjyqtareve, ligj ky i miratuar nga Kuvendi, që është organi i vetëm i ngarkuar me kompetenca legjislative sipas Kushtetutës? A ka KLD-ja kompetenca legjislative për të bërë një ndryshim të tillë ligjor me një vendim të saj? Nëse po, cili akt kushtetues ose tjetër i ka dhënë KLD-së kompetenca legjislative, të cilat Kushtetuta, siç u tha, ia vesh vetëm Kuvendit?
KLD-ja, nisur nga nenet 136 dhe 147 të Kushtetutës, propozon emrat e personave për t’u emëruar si gjyqtarë në Gjykatat e Rrethit dhe të Apelit nga Presidenti i Republikës, si dhe vendos për transferimin e gjyqtarëve, përgjegjësinë e tyre disiplinore dhe për shkarkimin e tyre. Ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor nuk bën gjë tjetër, veçse trajton e detajon më tej këto kompetenca të KLD-së.
Siç rezulton qartë, KLD-ja nuk ka kompetencë të ndryshojë ligj. Ose thjesht, KLD-ja nuk ka kompetenca legjislative! Nuk e di vallë këtë KLD-ja dhe anëtarët përbërës të saj, po të mbajmë parasysh se të gjithë ata, veç Presidentit të Republikës, janë juristë? Madje edhe kompetencën për të nxjerrë akte nënligjore KLD-ja e ka shumë të kufizuar dhe vetëm në përputhje me delegimet e ligjit, pa pasur asnjë të drejtë, të ndryshojë ligje.
Sigurisht, caku i moshës së daljes në pension të gjyqtarëve është një kriter ligjor dhe si i tillë ai nuk mund të ndryshohet veçse me ligj. Prandaj, ndryshimi i cakut të moshës së daljes së tyre në pension me vendim KLD-je është antikushtetues, sepse KLD nuk ka pushtet të ndryshojë një dispozitë ligjore, siç është rritja e cakut të moshës së pensionit të gjyqtarit nga 65 në 67 vjeç.
Vendimi i KLD-së për zgjatjen e mandatit të gjyqtares Sashenka Jonuzi është njëherazi një akt absolutisht i pavlefshëm, në kuptim të nenit 116(b) të Kodit të Procedurave Administrative, pasi ky vendim është nxjerrë nga një organ në kapërcim të kompetencave ligjore. Asnjë dispozitë kushtetuese ose ligjore, siç u tha edhe më sipër, nuk i jep një të drejtë të tillë KLD-së. Aq më shumë kur KLD-ja, edhe pse nuk është një gjykatë, përfshihet në pushtetin gjyqësor për shkak të kompetencave të saj në lidhje me gjyqtarët që u përmendën më sipër.
Nëse gjyqtarja Sashenka Jonuzi është edhe anëtare e Kolegjit Zgjedhor, e zgjedhur në këtë detyrë në bazë të nenit 146 të Ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, ajo ka mundur të zgjidhet si anëtare e këtij Kolegji vetëm dhe për shkak se ajo është gjyqtare. Nenit 146/1 i Kodit Zgjedhor përcakton qartë se Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit Tiranë përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga KLD-ja.
Asnjë tjetër veç një gjyqtari ka mundësi të zgjidhet në Kolegjin Zgjedhor. Ndaj edhe detyra e anëtarit të Kolegjit Zgjedhor rrjedh dhe përcaktohet nga qenia gjyqtar, kusht pa të cilin nuk mund të zgjidhesh anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Për pasojë, funksioni i anëtarit të Kolegjit është një funksion që rrjedh nga një mandat tjetër, nga mandati i gjyqtarit, i cili është mandati themelor. Rrjedhimisht, kur një gjyqtar humbet të drejtën e qenies si i tillë, gjyqtari automatikisht humbet të gjitha të drejtat që i ka fituar nga qenia gjyqtar, pra humbet edhe të drejtën të jetë anëtar i Kolegjit Zgjedhor.
Përpjekje të tilla për të përfituar nga funksione të tjera rrjedhëse, që zgjasin më shumë në kohë sesa mandati themelor, janë vërejtur edhe më parë.
Kështu për shembull, në vitin 1999, kryetari i Gjykatës së Kasacionit (sot Gjykata e Lartë) dëshironte të zgjaste mandatin 7-vjeçar të anëtarit të Gjykatës së Kasacionit me arsyetimin se ende nuk i kishte mbaruar mandati si kryetar i kësaj Gjykate dhe për këtë ju drejtua me kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të mbajtur e vazhduar detyrën e kryetarit të Gjykatës edhe pse i kishte mbaruar mandati si anëtar i Gjykatës së Kasacionit.
Me pak fjalë, ky person u zgjodh si anëtar i kësaj Gjykate në vitin 1992, për një mandat 7-vjeçar (neni 6 i Ligjit 7561, date 29.04.1992, “Për disa ndryshime e plotësime në Ligjin nr. 7491, datë 29.04.1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese”), ndërsa u zgjodh si kryetar i saj në vitin 1995.
Në vitin 1999, në përfundim të mandatit 7-vjeçar si anëtar i Gjykatës së Kasacionit, kryetari kërkoi të vazhdonte të shërbente si anëtar i kësaj Gjykate, me pretendimin se nuk i kishte mbaruar ende mandati si kryetar i Gjykatës, mandat i cili sipas tij ishte po 7-vjeçar.
Në lidhje me këtë kërkesë të kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, Gjykata Kushtetuese, në vendimin e saj nr. 51, datë 13.7.1999, u shpreh se “dispozita konkrete kushtetuese nuk e veçon, përkundrazi e njëson mandatin e gjyqtarit me atë të kryetarit të kësaj gjykate. Sipas kësaj dispozite kushtetuese, mandati i anëtarit, i zëvëndëskryetarit dhe i kryetarit të Gjykatës së Kasacionit, janë të unifikuar në mandatin e gjyqtarit. Pikërisht nga pasja e cilësisë themelore të gjyqtarit të Gjykatës së Kasacionit, buron edhe funksioni i kryetarit … të kësaj Gjykate, si drejtues administrativ. Vetë kjo dispozitë kushtetuese parashikon një afat mandati prej 7-vjetësh, si për gjyqtarin ashtu dhe për kryetarin pa pasur qëllimin për të vënë gjyqtarin në një pozitë të ndryshme dhe të pabarabartë në raport me të tjerët”.
Rrjedhimisht edhe funksioni ose mandati i anëtares së Kolegjit Zgjedhor (funksion ose mandat i rrjedhur) nuk mund të përcaktojë kohëzgjatjen e mandatit të gjyqtares (mandat themelor). Funksioni ose mandati i anëtares së Kolegjit rrjedh nga mandati i gjyqtares, ndërsa funksioni ose mandati i anëtares së Kolegjit nuk mund të ekzistojë më vete. Përndryshe, anëtar i Kolegjit Zgjedhor mund të ishte çdo person që nuk është gjyqtar, gjë që vjen në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, i cili përcakton në nenin 146/1 të tij, që Kolegji Zgjedhor përbëhet nga tetë gjyqtarë.
Së fundi, duke qenë një akt absolutisht i pavlefshëm, në zbatim të nenit 117/1 të Kodit të Procedurës Administrative, vendimi i KLD-së për zgjatjen e mandatit të Sashenka Jonuzit, si gjyqtare, nuk prodhon pasoja ligjore, edhe nëse është deklaruar ose jo si absolutisht i pavlefshëm. Pra, vendimet e trupit gjykues të Gjykatës së Vlorës, në përbërje të së cilës do të jetë Sashenka Jonuzi, nuk do të prodhojnë asnjë pasojë ligjore, pra do të jenë absolutisht të pavlefshëm, si dhe vendimet e çdo trupi gjykues, që përfshin këtë gjyqtare, do të jenë të cënueshëm nga Gjykata e Lartë, si të pavlefshëm.
***
Çdo analizë e mëtejshme apo më e detajuar juridike të lë pa frymë. Madje mund edhe t’i mbysë të gjithë dhe secilin prej juristëve (si edhe të gjithë profesionistët e çdo fushe) që preferojnë t’u përmbahen rregullave ligjore të shtetit ligjor. Prandaj po e mbyll me një thirrje politike, duke qenë më tepër i detyruar nga Kushtetuta dhe ligjet për këtë.
Duke marrë një vendim të tillë, faktikisht dhe juridikisht, KLD-ja (anëtarët që e përbëjnë këtë dhe që votuan pro këtij vendimi) ka evidentuar një mungesë të theksuar profesionalizmi, një subjektivizëm të tejskajshëm, si dhe një papërgjegjshmëri të pashembullt.
Mund të pritet një vendim i tillë nga një jurist, nga një gjyqtar ose trup gjykues – sigurisht me keqardhje, por kurrsesi nga një organ i tillë kushtetues me 15 anëtarë! Çfarë mund të presësh nga një KLD e tillë? Të ndëshkojë disiplinarisht gjyqtarët apo t’i shkarkojë ata për shkelje të ligjeve apo për pamjaftueshmëri profesionale, kur KLD-ja vetë shkel Kushtetutën ‘në mënyrë profesionale’?
E pakta që mund të thuhet është se kemi të bëjmë me një paudhësi të kryer nga persona të papërgjegjshëm, e cila duhet të analizohet nga organet përkatëse shtetërore, si dhe nga tërësia e gjyqtarëve, si dhe të merren masat për rivendosjen në vend të ‘nderit’ të Kushtetutës dhe të ligjit, që u përdhosën nga vendimi i KLD-së.
Menjëherë lypset të vihet në lëvizje Gjykata Kushtetuese për shfuqizimin e një vendimi të tillë monstruoz antikushtetues, i cili merr kompetencën legjislative të Kuvendit dhe ia vesh një organi, siç është KLD-ja.
Gjykata mund të vihet në lëvizje nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, një e pesta e deputetëve, ose nga organizatat si konferenca gjyqësore ose Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë (ose Shoqata e Gjyqtarëve), në bazë të nenit 134 të Kushtetutës, për mosmarrëveshje kompetencash sipas nenit 131/ç të Kushtetutës.
Këtë gjë mund ta rekomandonte ose rekomandojë z. Rama në një twitter të veçantë tek deputetët e PS-së në Kuvend, në vend të deklaratave thjesht politike.
Nëse askush nuk merr një inisiativë të tillë, atëherë paudhësia ka marrë përparësi, çka është jo më alarmante, por tërmet social e politik, rast në të cilin do të kishte vlerë slogani “na rroftë që kemi kapur e mbajmë bishtin e demit se brirët i kemi brenda”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›