E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tymnajë

Dikur një palë mustaqe, disa anekdota dhe duhani Tarabosh, ishin disa nga kriteret për t’u bërë burrë. Nga këto vese, ka mbetur vetëm duhani. Ai nuk simbolizon më burrërinë, por varësinë kolektive. Në shtëpi, autobus, zyrë, shkolla, universitet, qeveri, parlament, gjykata, kisha e xhamia – duhani pihet çdo kund.

Si rrjedhojë, mushkëritë e dy milionë kosovarëve po tymosen çdo ditë. Derisa janë në rrugë, tymosen nga 350 mijë automjete, kryesisht të vjetra. Duhet të durojnë tymin dhe pluhurin që del nga oxhaqet e KEK-ut. Nuk shpëtoheni edhe nëse ngujoheni në zyrë, shtëpi apo kafene. Aty vazhdon tymosja nga duhanxhinjtë.

Në krejt këtë tym, Ligji kundër duhanit nuk sheh dritën. Për një arsyeje të mirë. Ata që me gjysmë zemre votuan për këtë ligj, i kanë rënë pishman. Salla e Kuvendit u ngjan çajtoreve të Vushtrrisë dhe Mitrovicës, ku një re e zezë nga tymi qëndron gjithmonë në tavan. Policët dhe inspektorët që duhet të ekzekutojnë ligjin, pinë duhan, madje duke patrulluar dhe inspektuar. Më shumë se 600 mijë kosovarë janë duhanxhinj të rregullt, derisa pjesa tjetër konsiderohen pirës pasivë.

Në mesin e kësaj varësie kolektive, ekziston një lokal, ku tymi i duhanit nuk depërton brenda. Natyrisht nuk është kafeneja më e vizituar në Prishtinë. Ka vetëm pak ulëse dhe tavolina. Emri i kafenesë po ashtu është simbolik “Te na”, i përcjellë me një slogan të madh “Smoking Out”, i cili është bërë për t’i trembur duhanxhinjtë.

Slogani, ndonëse i shkruar në anglisht, ishte kuptuar shumë shpejt nga vizitorët. Pronari i lokalit me zero nikotinë është Agon Xharra. Ai thotë se me këtë lokal ka dashur të sjellë vlera të reja në shoqërinë kosovare. Agoni tregon se nuk ka dashur të dalë me një produkt që e ha tregu. “Nuk kemi dashur me dalë me një produkt gjithmonë çka kërkon tregu, por me ia imponu tregut disa vlera të reja”, vlerëson ai.

Ankesat e shumë njerëzve dhe kërkesat për një ambient pa cigare e kanë shtyrë Agonin të hapë një kafene të tillë. Sipas tij, qytetarët nuk duhet të presin gjithmonë shtetin.

“Ne nuk kemi kohë me pritë shtetin me marrë vendime të tilla për ndalimin e duhanit nëpër vende publike. Ne mund të ndryshojmë rrjedhën në shoqërinë kosovare”, shton Agoni.

Ndërkohë, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë imunë edhe ndaj shenjave ku shkruan “ndalohet pirja e duhanit”. “Nuk e respektojnë ata në Kuvend, e lëre më qytetarët. Ai që e pi duhanin, e pi aty ku është shenja e ndaluar”, tregon Gani Geci, deputet i parlamentit të Kosovës, i cili është ndër të rrallët që nuk është i varur nga nikotina.

E, sipas Xhavit Bicajt, shef i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, ata që pinë vazhdimisht duhan, për një kohë të gjatë kanë nënshkruar kontratë me kancerin.

“Tymi i duhanit është njëri nga faktorët për shkaktimin e kancerit të mushkërive. Ka shumë punime shkencore që e vërtetojnë këtë ndikim të drejtpërdrejtë. Varet natyrisht nga sasia dhe kohëzgjatja”, thekson Bicaj.

Ai shton se numri i njerëzve të sëmurë me kancer në mushkri, që e shkakton më së shumti pirja e duhanit, është rritur dukshëm në Kosovë. “Llogaritet që 6000 mijë është numri i njerëzve që konsumojnë duhan në Kosovë. Faktikisht është një numër shumë i madh. Jemi popullata që më së shumti e praktikojmë këtë të keqe. Ka rritje të numrit me kancer në Kosovë”, thekson Bicaj.

E, ata që duan t’i ikin tymit të duhanit, rrjedhimisht kancerit dhe vdekjes, të mos rrinë më në sallën e Kuvendit të Kosovës!

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›