E Diel, 1 Nëntor 2026

U-21, Shqipëri – Bjellorusi 1-2Për Shpresën e drejtuar nga Artan Bushati kjo ishte humbja e pestë në shtatë takime për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011. Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë

Rrjetet sociale:

(ALBANIA SPORT) - Një gol i realizuar nga sulmuesi Odise Roshi në minutën e 76-të nuk mundi të shmangte humbjen 1-2 të Kombëtares U-21 në përballjen me Bjellorusinë, që doli fituese nga “Niko Dovana” falë dy golave të realizuar nga sulmuesi Maksim Skavysh i Bate Borisovit.

Për Shpresën e drejtuar nga Artan Bushati kjo ishte humbja e pestë në shtatë takime për eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 dhe e dyta në katër takime të luajtura në Shqipëri pas asaj me Skocinë (0-1) në “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit.

Para jo më shumë se 150 tifozëve në “Niko Dovana”, ku personat “VIP” ishin Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe trajneri i Kombëtares A, Josip Kuzhe, Shpresat bënë një paraqitje të dobët përballë Bjellorusisë dhe në kontrast të plotë më atë që zhvilluan në barazimin 2-2 me Austrinë në “Qemal Stafa” vetëm katër ditë më parë.

Edhe pse tekniku Artan Bushati hodhi nga minuta e parë katër “senatorë” të marrë nga Kombëtarja A (Ujkani, Veliu, Vila dhe Hyka), Shqipëria U-21 ishte në hije deri në momentin kur Roshi realizoi golin e nderit.

Në fakt, Bjellorusia falë edhe një rreshtimi të gabuar në mbrojtje e një mosmbulimi të mirë të Franc Veliut shënoi qysh në minutën e 8-të të ndeshjes me anë të 20-vjeçar Skavysh, duke frenuar para kohe entuziazmin e Kombëtares sonë.

Përpjekja e parë e Shpresave tonë fiksohet në minutën e 19-të, kur mesfushori i Tiranës, Erando Karabeci, tentoi të zinte në befasi portierin bjellorus Gomelko. Dy minuta më pas Emiljano Vila nuk mundi të rrezikonte me anë të goditje së lirë.

Trajneri Bushati në minutën e 33-të zëvendësoi Erando Karabecin për Ahmed Januzin, ndërkohë që dy minuta më pas Kombëtarja jonë pretendon një 11-metërsh, por gjyqtari zviceran Zherom Lapier nuk denjoi ta jepte.

Një minutë më pas erdhi edhe goli i dytë i Bjellorusisë, sërish me anë të Maksim Skavyshit, ky i fundit realizoi me një goditje brenda zonës, me një të majtë cinike, duke mposhtur për herë të dytë Samir Ujkanin.

Pjesa e dytë nisi me zëvendësimin e Franc Veliut nga ana e Altin Hoxhës, lojtar që luan me Teutën në kampionatin shqiptar. Në minutën e 55-të Sivakov goditi shtyllën nga një goditje e lirë, përpara se gjyqtari të anulonte një gol për bjellorusët në minutën e 60-të për pozicion të dukshëm jashtë loje.

Dy minuta më pas, fantazti i Mainc 05, Jahmir Hyka, harkoi një top brenda zonës, bjellorusi Vitus spastroi zonën me kokë dhe aty në ecje e sipër Vila goditi në formë veleji, duke dhënë sinjalin e parë të kthesës së Shqipërisë U-21, deri atëherë në një ditë komplet të errët.

Në minutën e 73-të, Bushati hodhi në fushë edhe talentin 17-vjeçar Vasil Shkurtaj në vend të kapitenit Enco Malindi . Sulmuesi i Olimpiakosit në kampionatin grek, në fakt ishte në bankinë edhe në ndeshjen kundër Austrisë, por pa pasur mundësi të të luante.

Pas vetëm tri minutash mbërriti edhe goli i nderit i Shqipërisë, kur sulmuesi i Flamurtarit, Odise Roshi, shfrytëzoi me zgjurasi një asist të dhuruar nga e majta e sulmit tonë nga ana e Olsi Gocajt, duke mposhtur portierin bjellorus Gomelko.

Ky ishte goli i tretë i fierakut Roshi, pas dy të realizuar kundër Austrisë, një në Vjenë e tjetrin në Tiranë, por dhe goli i tretë i Shqipërisë në dy takime kundër Bjellorusisë, përfshirë dhe ato të shënuar nga Ahmed Januzi e Vilfor Hysa në humbjen 4-2 në trasnfertë.

Minuta e mbetura ishin më intensive me Shqipërinë në kërkim të golit të dytë dhe Bjellorusisë për të garantuar fitoren e çmuar në Durrës.

Portieri i Kombëtares A, Samir Ujkani, të paktën në dy raste nuk i lejoi formacionin e drejtuar nga Georgi Kondratiev të shënonte golin e tretë, së pari në minutën e 83-të, kur grushtoi një top të gjuajtur brenda zonës nga bjellorusi Skavish, dhe në rastin e dytë në minutën e 90-të, tri minuta përpara se zvicerani Lapier të vuloste përfundimisht humbjen e dytë të Shqipërisë U-21 me Bjellorusinë.

Aventura e Shqipërisë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2011 do të mbyllet me ndeshjen në transfertë ndaj Azerbajxhanit, më 4 shtator 2010.

Shqipëria pas shtatë ndeshjesh ndodhet në vendin e parafundit me 4 pikë, duke pasur në bilancin e saj: 1 fitore (me Azerbajxhanin), 1 barazim me Austrinë dhe 5 humbje (me Skocinë, 2, Austrinë dhe Bjellorusinë, po 2).

Grupi 10 kryesohet nga Skocia dhe Bjellorusia, të dyja nga 12 pikë. Austria ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, Shqipëria e parafundit me 4 pikë dhe Azerbajxhani i fundit me asnjë pikë.

NDESHJET E SHQIPËRISË

Shqipëri-Skoci               0-1
Skoci-Shqipëri               5-2
Shqipëri-Azerbajxhan         1-0
Austri-Shqipëri              3-1
Bjellorusi-Shqipëri          4-2
Shqipëri-Austri             2-2
Shqipëri-Bjellorusi        1-2
Azerbajxhan-Shqipëri    04.09.2010

RENDITJA
Skocia        5    4    0    1    12
Bjellorusia    5    4    0    1    12
Austria        5    3    1    1    10
Shqipëria        7    1    1    5    4
Azerbajxhan    4    0    0    4    0

Numri i klikimeve - 112
  E Marte, 17 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›