E Diel, 1 Nëntor 2026

Hasan Lika, trajneri i ApolonisëApolonia do të jetë skuadra e gjashtë në karrierën e Hasan Likës, pasi ish-lojtari i njohur i Partizanit, ka drejtuar më parë Lushnjën, Partizanin, Teutën, Besën e së fundi Vllazninë.

Rrjetet sociale:

(ALBANIA SPORT) - Hasan Lika është trajneri i ri i Apolonisë, duke pasuar në bankinën fierake ish-teknikun boshnjako-serb Esad Karishik, i vetëlarguar pas humbjes 2-3 me Kastriotin në javën e 10-të të Kategorisë Superiore.

Hasan Lika e nisi sezonin në krye të Vllaznisë, me të cilën mbijetoi deri në javën e 5-të të këtij sezoni të Superligës, pavarësisht se ish-trajneri i Partizanit, kishte mundur të kalonte një tur kualifikues në Ligën e Europës kundër irlandezëve të Sligo Roversit.

Ish-trajneri i Apolonisë, Esad Karishik dha dorëheqjen si trajner i Apolonisë edhe pse kishte mundur të e formatojë një Apoloni të fortë në 10 javët e para të sezonit: 17 pikë, 5 fitore, 2 barazime, 3 humbje.

Bashkë me të nga skuadra fierake u largua edhe ndihmësi i tij, Kenan Kolashinak. Karishik ishte trajneri i gjashtë që ka dhënë dorëheqjen apo është shkarkuar në dhjetë javët e para të sezonit 2009-2010.

Apolonia do të jetë skuadra e gjashtë në karrierën e Hasan Likës, pasi ish-lojtari i njohur i Partizanit, ka drejtuar më parë Lushnjën, Partizanin, Teutën, Besën e së fundi Vllazninë.

Ndeshja a parë e Hasan Likës në krye të Apolonisë do të jetë ajo kundër Dinamos në javën mbyllëse të fazës së parë. Lika u përball gjatë këtij sezoni me Dinamon, por në rolin e trajnerit të Vllaznisë, ku të dyja skuadrat u ndanë në “Loro Boriçi” në një barazim pa gola në javën e 4-t.

Apolonia synon rikthimin në zonën e europiane, arenë që i mungon që nga sezoni 1999-2000, kur u eliminua nga Genk i Belgjikës në Kupën UEFA. Apolonia ka luajtur edhe kundër francezëve të Okserit në edicionin 1997-1998 të Kupës së Fituesve të Kupave, duke koleksionuar në total katër humbje në katër ballafaqimet e vetme ndërombëtare duke shënuar vetëm një gol e pësuar 17 të tillë.

Skuadra fierake është gjithashtu një nga 16 skuadrat e kualifikuara për në turin e dytë të edicionit të 56-të të Kupës së Shqipërisë, dhe e sheh këtë kompeticion si një mundësi tjetër të paraqitjes së saj në Europë pas gati dhjetë vjetësh.

SUPERLIGA 2009-2010
LËVIZJET E TRAJNERËVE

Shkumbini: Gugash Magani (nga java 1-2). Kristaq Mile (nga java e 3-te)
Flamurtari: Eqerem Memushi (nga java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5-të)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Vllaznia: Hasan Lika (nga java 1-5). Roland Luçi (nga java e 6-të)
Tirana: Ilija Lonçareviç (nga java 1-6). Alban Tafaj (nga java e 7-të)
Apolonia: Esad Karishik (nga java 1-10). Hasan Lika nga java e 11-të.

EKIPET QË NUK KANË NDËRRUAR TRAJNER

Dinamo: Shkëlqim Muça
Besa: Shpëtim Duro
Teuta: Mirel Josa
Skënderbeu: Gerti Haxhiu
Kastrioti: Ramazan Ndreu (nga java e 8-të në bankinë është Shaban Dollaku, pasi Ndreu është pezulluar 5 javë nga FSHF-ja)
Laçi: Stavri Nica
Numri i klikimeve - 113
  E Marte, 17 Nentor 2009
 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›