U-21 dominon Poloninë, por në fund ka vetëm barazim dhe shumë tension
Një barazim 2-2 dhe tension të madh në fushë deri thuajse në konfrontime fizike: pikërisht këto ka prodhuar përballja e djeshme miqësore mes Kombëtares sonë U-21 dhe homologes nga Polonia, e zhvilluar dje në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit. Duke lënë përkohësisht mënjanë mbylljen e shëmtuar të këtij takimi, që duhej të kishte karakter miqësor, mund të themi se kuqezinjtë e trajnerit Artan Bushati kanë zhvilluar një ndeshje të mirë, të cilën e kanë dominuar në pjesën më të madhe të minutave të saj, por ajo që ua ka vështirësuar punën, ka pasur të bëjë pikërisht me faktin se është dashur të përmbysin dy herë dizavantazhin. Shqipëria U-21 ka demonstruar një epërsi të madhe që në minutat e para. Kuqezinjtë kanë administruar lojën dhe kanë kërcënuar vazhdimisht portën kundërshtare, por pa mundur të gjejnë rrugën e rrjetës. Bala, një ndër më të mirën në fushë bashke me Roshin e Cikalleshin, humbi një mundësi të artë për të shënuar, kur shmangu portierin, por një mbrojtës e ka larguar topin në vijën fatale. Në minutën e 24 janë miqtë ata që ndëshkojnë me Grosickin. Me gjitha rastet e shumta për shqiptarët, atëherë kur dukej se pjesa e parë u mbyll 0-1 për Polonia U-21. Në pjesën në dytë, skuadra e Bushatit insiston me shumë forca dhe i afrohet goli i barazimit me Roshin, Balen e Cikalleshin. Më në fund, në të 51-ën minutë Bala, lëshon një gjuajtje të bukur nga hyrja e zonës, që përfundon në trekëndëshin e portës polake. Rastet për tanët nuk mungojnë, por në 82, janë sërish polakët që kalojnë në avantazh me Kaszuba. Shqipëria nuk dorëzohet dhe në minutën e dytë shtesë, Bala fiton një 11-metërsh, të cilin e gjuan Roshi. Goditja e tij grushtohet nga Gliua, por fatmirësisht shkon sërish drejt sulmuesit tonë, i cili gjuan me kokë dhe barazon. Pas golit, Roshi feston, por kjo shkakton irritim te polakët. është Gliua, që turret drejt futbollistit tonë, i cili mban shiritin e kapitenit dhe e shtyn atë. Më pas janë edhe disa futbollistë të tjerë polakë të fushës apo dhe pankinës shtyhen me njëri-tjetrin, ndërsa tanët ruajnë qetësinë dhe paraqesin “fair-play”. Gjithsesi, Meta ka nxjerrë kartonin e dytë të verdhë dhe për rrjedhojë të kuqin për sulmuesin tonë, Roshin dhe po të kuqin edhe për polakun të ardhur nga pankina, Mariusz Gancarczyk. Një konfrontim i panevojshëm dhe jo mbyllja e duhur për një ndeshje që ka qenë gjatë gjithë minutazhit korrekte. Në stadium ishte edhe trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe.
#