90 minuta mes tifozëve kuqezi në Malin e Zi
Shqipëria fitoi 1-0 me Malin e Zi në fushën e lojës, por tifozët kuqezi, të pranishëm në shkallët e impiantit “Podgorica Siti Stadium” triumfuan me “rezultat” dukshëm më të thellë përballë mbështetësve vendas. Afro 1000 të pranishmit që kishin udhëtuar nga Shqipëria e Kosova për të mbështetur skuadrën e drejtuar nga Josip Kuzhe u bënë protagonistë absolutë në miqësoren e së martës. Nën masa të rrepta sigurie fansat kanë hyrë në tribunën e izoluar të miqve, ndërsa kënga e tyre nisi rreth një orë përpara fërshëllimës së fillimit të miqësores. Entuziazmi, këngët dhe brohoritjet e grupimit “Tifozët Kuqezi”, por edhe të një numri të vogël të pjesëtarëve të “Plisave” nga Prishtina kanë tërhequr pas vetes edhe të gjithë ata që fillimisht u drejtuan në Malin e Zi si spektatorë të thjeshtë. Koreografia e përgatitur për këtë ndeshje nuk kaloi pa u vënë re nga tifozët malazezë. Madje, në disa momente sporadike ata kanë tentuar të kundërpërgjigjen, por pa rezultatin e dëshiruar. Nuk mungonin as ata që kërkonin të provokonin, por duke parë rrezikshmërinë e madhe që paraqiste kjo ndeshje, policia nuk ka toleruar askënd dhe i ka shoqëruar “ngacmuesit” jashtë stadiumit. “Paqja” mes tifozerive ka zgjatur vetëm pak çaste, në momentin e himneve, kur të dyja tifozeritë kanë duartrokitur. Më pas vazhduan thirrjet “Shqipëri etnike!”, “Duam fitore!” dhe këngët patriotike. Spikasnin edhe parullat kundër Fatos Beqirajt, kosovarit të natyralizuar si malazez. Minuta e 79-të, e cila solli golin e fitores së Salihit ngriti peshë entuziazmin mes tifozëve shqiptarë. Brohoritjet vazhduan edhe pas fërshëllimës finale, fillimisht me përshëndetjen e të gjithë skuadrës, ndërsa më pas me thirrjet për protagonistët kryesorë. Fansat nuk u kursyen as me emrin e trajnerit Josip Kuzhe, që nga ana e tij duke treguar nga zemra, i ftoi të gjithë ta vazhdonin natën mes birrave dhe këngëve.
Pas ndeshjes u regjistruan edhe disa incidente, ku të zhgënjyer, tifozë minorenë të Malit të Zi kanë goditur me gurë disa makina me targa shqiptare, në kohën kur këta të fundit largoheshin nga Podgorica. Por, as xhamat e thyer nuk i kanë frenuar mbështetësit kuqezinj të automjeteve të dëmtuara që t’i bashkoheshin festës në Tuz. Qyteti, shumica dërrmuese e të cilit ka popullsi shqiptare, u bë pikë takimi ndërmjet tifozëve dhe Kombëtares. Për afro 15 minuta, Josip Kuzhe, skuadra dhe zyrtarë të FSHF-së qëndruan në klubin e natës me fansat, ndërsa më pas u përshëndetën duke lënë takim më 2 qershor në Tiranë, për miqësoren me Andorrën. Emri i kundërshtarit nuk është shumë joshës, megjithatë në një ndeshje futbollit, mbi të gjitha të Kombëtares, spektakli garantohet edhe në tribuna.
Nga Podgorica
Erald Kodheli