U bë drita!
Oratoriumi “Krijimi” quhet vepra e Jozef Hajden, gjini që i paraprin operës. Në skenën e TKOB-së, ajo erdhi e inskenuar në koreografi nga Toni Candeloro dhe e dirigjuar nga Zhani Ciko. Vështirësia për ta inskenuar edhe në koreografi këtë oratorium kaq gjeniale në veprimtarinë muzikore botërore, ka gjetur dëshirën e Zhani Cikos dhe Toni Candeloro-s të bien në akord të përbashkët, për ta shijuar edhe publiku shqiptar këtë perlë të muzikës gjermane
Zanafilla e jetës në tokë, kaosi dhe turbullira e fillimit, deri tek krijimi i gjithçkaje që ekziston ndihet e fuqishme në fillim të oratoriumit të Hajdenit, të kompozuar prej tij në moshën 66-vjeçare në vitet 1798 deri në 1799.
Mbas këtij fillimi të mrekullueshëm gjithçka fillon të qetësohet, vjen një efekt mistik dhe nis rrugën e vet rendi për krijimin e gjithësisë mbi tokë. E kështu pason ndarja e errësirës dhe dritës deri tek simbolika e krijimit të Adamit dhe Evës, këtij fillimi të historisë njerëzore.
Oratoriumi “Krijimi” quhet vepra e Jozef Hajden, gjini që i paraprin operës. Në skenën e TKOB ajo erdhi e inskenuar në koreografi nga Toni Candeloro dhe e dirigjuar nga Zhani Ciko. Vështirësia për ta inskenuar edhe në koreografi këtë oratorium kaq gjeniale në veprimtarinë muzikore botërore, ka gjetur dëshirën e Zhani Cikos dhe Toni Candeloro-s të bien në akord të përbashkët, për ta shijuar edhe publiku shqiptar këtë perlë të muzikës gjermane.
Për Candeloro-n nuk mjafton vetëm muzika, korri, solistët, fjala që të përçojnë këtë ide të madhe që ruan vepra. Ai ka guxuar dhe ja ka dalë mbanë ta gjallërojë këtë muzikë madhështore në koreografi. Atë e kanë frymëzuar bukuritë e një bote të re që pranveron nën komandën e krijuesit që thotë: “le të bëhet dritë” dhe e gjithë muzika dhe kori shpërthen: “u bë dritë”.
Prej kohësh është vënë re që vepra të shquara të muzikës simfonike, korale dhe koncertale kanë frymëzuar koreografët për të përshkruar simbolikën e fshehur vizuale që ato kanë në përmbajtjen e këtyre veprave. Dihen tashmë krijimet koreografike mbi muzikën e Bahu-t, Bethhoven, Debysi, Berlioz, Stravinski dhe Rahmaninov. Candeloro ka vlerësuar dhe përvetësuar kronologjinë e rrjedhës së oratoriumit dhe i është bashkëngjitur komponentëve të tjerë ekzekutues në një harmoni të plotë, pa shkaktuar diskordancë që mund të prishte shijen e lartë estetike që sjell vepra e Hajdenit kur e dëgjojmë.
“Krijimi”, vepra më e madhe e krijuesit që konkretizohet me mëngjesin e parë, kur Adami dhe Eva me nota intime dashurie dhe dëlirësie shfaqen në tokë, e kanë frymëzuar Candeloro-n të krijojë dhe ai me dashuri të madhe momente më sublime, që vazhdojnë ta bëjë në përjetësi ekzistencën njerëzore, në të gjitha kohërat.
Për të pestën herë ky koreograf i ardhur nga vendi fqinjë, Italia, është bashkëpunëtor në Teatrin tonë të Operës dhe Baletit. Mbas Moxartit, Vagnerit dhe Rahmaninovit, ai përsëri prezantohet përpara nesh si një individualitet i arrirë. Edhe këtë radhë, ai frymëzimin e merr nga intensiteti dramatik muzikor, nga përmbajtja e orkestracionit të veprës dhe njohuritë që disponon në artin e koreografisë, e ndihmojnë të ketë imazhe dhe perceptim të kulturuar skenik. I ngjitur në hapësirën e muzikës së Hajdenit Candeloro, ia arrin të materializojë me një gjuhë të pasur koreografike një fjalor dhe fjali imponuese, nuanca të papritura që shprehin simbolikën e nevojshme që abstragon kur dëgjojmë një vepër kaq të shquar muzikore.
Mënyra se si mban qëndrim ai mbi këtë vepër muzikore është dëshmi e një artisti që inskenimit koreografik në këtë rast, t’i japë formë dhe përmbajtje paksa bashkëkohore me mjetet shprehëse që përdor përgjatë gjithë shfaqjes. Duetet, kuartetet e të tjera skema koreografike të krijuara në këtë inskenim, janë dëshmi e njohjes së mirë nga koreografi e mundësive që ka trupi dhe gjymtyrët e kërcimtarit për t’u artikuluar drejt dhe me emocion në harmoni me dinamikën, shijen dhe mrekullinë që sjell muzika.
Vëmë re tek Candeloro vendosjen e kërcimtarëve si një tablo madhështore pikture. Leximi i kësaj gjetjeje është i qartë po ashtu siç lexohet muzika e oratoriumit. Ajo tingëllon një kompozim koreografik afër artit pamor. Fiksimet dhe larushija e skemave me një, dy, tre, katër, gjashtë dhe e gjithë trupa është një fiksim i qartë që koreografi ja ka arritur të tregojë më së miri ditët që u krijua bota, e mbi të gjitha njerëzimi. Për këtë më duhet të citoj fjalët e koreografit të shprehura në shtypin tonë: “Nuk është spektakël i lehtë. Muzika e Hajdenit është gjeniale, është muzikë që nuk ka kohë, që kur e dëgjon bën të mendosh për universionalitetin e njeriut”.
Koreografi mundohet dhe ja arrin të ngrihet dhe bashkudhëton me vlerat muzikore. Ai i qëndron besnik karakterit tregues të vetë veprës, por në mjaft raste shkëputet disi nga karakteri tregues dhe koreografisë, lëvizjes dhe plastikës së përgjithshme i jep karakterin e një simbolike të admirueshme.
I frymëzuar, ai disi ndryshe e shikon plastikën trupore dhe pafundësinë e të ndjerit të shpirtit njerëzor, duke respektuar artin e kërcimit klasik, për të mos hequr vallëzimin, pikërisht genin e artit koreografike. Me këtë mënyrë, koreografi kërkon që në materien e krijimit, të shprehë dhe të afrojë idenë universale të “Krijimit”. Noton dhe operon siç thamë me baletin klasik, por nuk insiston vetëm në teknikën e puanteve (këpucë që balerinat ngrihen në majë të gishtave). Kështu, ai shfrytëzon për trupën e baletit një dialekt paksa të ndryshëm nga ç’ka përdorur me copat solistike, duetet e të tjera. Ndonjëherë grupe lëvizjesh duket dhe janë thjesht teknikë e pastër e kërcimit klasik dhe jo në koherencë me përmbajtjen e tërësisë së gjuhës së përgjithshme. Megjithatë nuk duhet marrë kështu, nga që dhe kjo dukuri është në harmoni me stilin e përgjithshëm që përshkon shfaqjen, ndonëse edhe mund të mos përdorej. Në kërkim të një leksiku koreografik të vetin dhe sa më koherent, Candeloro ka shmangur me një vetëkontroll të përkryer largimin nga çdo tentativë eksperimentale që mund të rrezikonte ekuilibrin mes traditës koreografike dhe asaj të kohës.
Dua të theksoj momentin më madhor dhe të arritur në koreografi atë të krijimit, aktin me sublim, ardhjen e Adamit dhe Evës dhe ripërtëritjen e tyre. Shfaqjen e Candeloro-s (krijuesit) me fëmijët, kënaqësia e tij që natyra dhe bota u krijua, u plotësua krejtësisht me ardhjen e njeriut përmes bardhësisë së tij që duket sikur noton në mes hyjnores, engjëjve lart në qiell dhe poshtë në tokë. Ai lutet dhe i gëzohet mrekullisë që kjo gjë të ketë përjetësi. Nëse nuk do të kishte përsëritje të skenave me fëmijët dhe kontakti i parë fizik në mes Adamit dhe Evës të theksohej më i dukshëm, kulminacioni i realizuar do të ishte më hyjnor.
Në drejtimin e kësaj vepre, Zhani Ciko duket që, së pari ka pasur prirjen e tij për të sjellë një vizion të paparë. Ai e njeh shumë aftësinë dhe mjeshtërinë e Candeloro-s dhe prej vitesh bashkëpunimi i tyre ka qenë i suksesshëm. Candeloro tashmë për Zhani Cikon dhe ne që e kemi ndjekur krijimtarinë e tij në Shqipëri është një natyrë pasionante dhe ëndërrimtare (këtë e vëmë re dhe në interpretimin e tij në skenë) që e zotëron artin e kërcimit dhe teknikat e këtij arti me themel. Ai për këtë është shembull i gjallë përmes veprave të vëna me trupën e baletit të Tiranës. Ai muzikën e percepton dhe e analizon me gjuhën e koreografisë dhe nuk rreket të simulojë mbi të, duke shfrytëzuar temën e madhe që mbart muzika dhe të mjaftohet me një ilustrim të ngjarjes.
Baketi i Zhani Cikos, njohja në thellësi e veprës nga ana e tij, transmetoi me emocion dhe kulturë të dukshme vlerat e kësaj teme unikale në repertorin botëror muzikor. Pothuaj në asnjë rast nuk u vu re diskordancë në funksionimin në tërësi të muzikës, fjalës dhe koreografisë. Njohuritë e dirigjentit Ciko mbi gjinitë e artit skenik muzikor lehtësoi shumë këtë arritje të suksesshme të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.
Është meritë e dukshme artistike e realizimit të veprës, që dimensioni universal i saj u realizua së pari muzikalisht në gjithë korpusin e interpretimit muzikor, gjë që e bën të besueshme edhe realizimin e konceptit koreografik mbi të. Solistët këngëtarë dhe solistët kërcimtarë, trupa e baletit dhe kori e ndjejnë veten komod në këtë bashkëpunim me Orkestrën Simfonike të drejtuar nga Zhani Ciko që bashkë më këto trupa vazhdojnë të bëjnë historinë e këtij teatri.
*Kritik, artist i merituar