E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit: Kërkojmë të jemi partnerë të qeverisë në zhvillimin ekonomik



Ndërtuesit, letër Kryeministrit Berisha dhe Ramës

Kërkesat e ndërtuesve të përfshihen në programet e reja zhvilluese

Ndërtuesit kërkojnë të jenë partnerë me qeverinë, për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit. Një kërkesë e tillë për bashkëpunim është drejtuar dje nga ndërtuesit, si për Kryeministrin Berisha, ashtu edhe për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Me një letër të posaçme drejtuar krerëve të qeverisë qendrore dhe asaj vendore, Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka kërkuar nga Berisha dhe Rama të përfshihen në programet e reja të zhvillimit ekonomik të vendit, të trajtohen edhe propozimet e ndërtuesve të vendit. Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve, Maksim Muçi, tha dje në një konferencë shtypi se zhvillimet në vendin tonë detyrimisht janë të lidhura dhe me ato të krizës së ekonomisë botërore. Veç kësaj, duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare, natyrisht po hyjmë dhe në një fazë të re të zhvillimeve në vend. “Në këto kushte, ne vlerësojmë se zgjidhjet politike marrin një rëndësi të veçantë dhe ato do duhet t’i shohim në programet tuaja qeverisëse, që do i ofroni popullit dhe biznesit për katër vitet e ardhshme. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë, si përfaqësuese e një grupimi ekonomik të rëndësishëm në vend, kërkon që në programet e zhvillimit ekonomik të vendit të trajtohen dhe propozimet e saja për sektorin e ndërtimit. E gjithë kjo, në interes të rritjes së ekonomisë, të punësimit, forcimit të biznesit dhe përfitimit më të madh publik”, - ka deklaruar dje Muçi.

Kërkesat kryesore të ndërtuesve

Ndërtuesit në kërkesat drejtuar kreut të qeverisë, kërkojnë partneritetin e Administratës Publike me Grupet e Interesit si mjet efektiv i zhvillimit racional të ekonomisë në vend. Shoqata e Ndërtuesve të Shqipërisë ka objektiv dhe kërkon të jetë një partnere serioze e përfaqësimit të biznesit të ndërtimit në raport me administratën publike dhe në mënyrë të veçantë me qeverinë. Sipas tyre, bashkëpunimi në partneritet është marrje informacioni nga njësitë ekonomike, testim i zbatimit të programeve politike, njohje reale e tregut të punës, ndërgjegjësim i biznesit për detyrimet e tij, transparencë dhe bazë programimi në planet qeverisëse. Duhet të themi se në këto vite bashkëpunimi, midis administratës publike dhe biznesit, si grup interesi, nuk ka funksionuar sa dhe si duhet dhe as me transparencën e pretenduar për zhvillimin e demokracisë në Shqipëri, kjo sigurisht nuk sjell progres ekonomik, por të kundërtën. “A ka sens që ministritë dhe bashkitë të jenë bunkerë, ku aksesi është i pamundur? Ne e konsiderojmë të prapambetur sjelljen e titullarëve, të cilët as me biznesin e organizuar nuk gjejnë kohë për takim për diskutimin e problemeve, për të cilat duhet të funksionojë ajo administratë”, - theksoi Muçi. Ai shtoi se administrata publike duhet të kanalizojë interesat e aktivitetit privat në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së vendit, duke garantuar tregun dhe iniciativën e lirë. Ata përmendën bashkëpunimin me institucione të tilla si hipotekat, të cilat duhet të jenë banka të ruajtjes së vlerave të pasurive të paluajtshme dhe që marrin pjesë në momentin e parë dhe të fundit të finalizimit të një investimi. Nga ana tjetër, Muçi theksoi nevojën për rishikimin e legjislacionit ekzistues në aktivitetin e ndërtimit dhe pjesëmarrës të tij. Ai përmendi miratimin e manualit të analizave dhe çmimeve në ndërtim. Sipas tij, parashikohet që të gjitha detyrimet tatimore për objekte publike ose private, të realizuara nga shoqëritë ndërtimore, do të llogariten mbi bazën e çmimeve dhe analizave të miratuara nga ministria. Po kështu, me vendimin 285 të Këshillit Ministrave është përcaktuar niveli i pagave referuese për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe tatimit mbi pagat. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, administrata tatimore ka miratuar një listë çmimesh për mallra e artikuj të ndryshëm të ndërtimit. Pra janë caktuar çmimet e materialeve që blejmë, janë caktuar rrogat dhe çmimet e punimeve tona. Ndonjë ditë do kemi dhe administratorin e qeverisë në shoqëritë tona.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›