Qeveria zbardh skemën e re të pagave dhe pensioneve
Kush përfiton më 1 maj nga rritja e re
Berisha: 500 milionë dollarë për pagat dhe pensionet
Pensionistët dhe punonjësit e administratës publike, që nga data 1 maj janë përfitues të rritjes më të re të pensioneve dhe pagave. Nga rritja përjashtohen zyrtarët e lartë të shtetit. Qeveria miratoi mbrëmë skemën e re të kësaj rritjeje, më e larta, krahasuar dhe me vendet e tjera ish-komuniste. Kryeministri Sali Berisha mblodhi Këshillin e Ministrave për të zbardhur shifrat e rritjes për të gjitha kategoritë përfituese. Sipas tij, të ardhurat pensionale, duke mos llogaritur këtu 5-mijëlekëshin në fund vitit, rriten nga 49 për qind, sipas llojit të pensioneve, në 135 për qind. Pra, kemi të bëjmë me dyfishimin e pagave dhe pensioneve. Janë 500 milionë dollarë që qeveria “Berisha” ka vënë në dispozicion të rritjes së pagave dhe pensioneve përgjatë këtij mandati kundrejt 127 dollarëve që përdori PS-ja gjatë 8 viteve të qeverisjes së saj. Në këtë mënyrë, Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen jashtë radhe vendimin për rritjen e rrogave dhe pensioneve, vendim i cili do të hyjë në fuqi që nga data 1 maj 2009. Rritja e rrogave dhe pensioneve, sipas Kryeministrit Berisha, merret në përputhje me premtimet e dhëna nga qeveria shqiptare dhe mazhoranca aktuale në pranverën e vitit 2005. Kryeministri theksoi se “kjo qeveri ka vendosur gjatë këtyre 4 viteve në rroga dhe pensione, rreth 500 milionë dollarë, kundrejt gjithsej 127 milionë dollarëve të vendosura në 8 vite të marra së bashku nga qeveritarët e mëparshëm”. Kryeministri Berisha e konsideroi këtë vendim si “një nga arritjet më të mëdha të karrierës politike, pasi ne ia dolëm në përputhje me programin qeverisës që të realizojmë këtë premtim”. “Ne dyfishojmë sot rrogat e 44 mijë punonjësve të arsimit, krahasuar kjo me 4 vite më parë. Me rritjen aktuale, dyfishohen pagat e punonjësve të arsimit, sektorit të shëndetësisë, mjekëve dhe infermierëve, si dhe për 104 mijë punonjës buxhetorë, paga mesatare e të cilëve kalon nga 273 mijë lekë që ishte në vitin 2005, në 459 mijë lekë në muaj ose 68 për qind më e lartë”, - tha Kryeministri Berisha.
Në mënyrë të detajuar kreu i qeverisë sqaroi se “mësuesit e arsimit parauniversitar nga një pagë prej rreth 230 mijë lekësh kalojnë në një pagë prej rreth 460 mijë lekësh, punonjësit e infermierisë nga një pagë prej 130 mijë lekësh kalojnë në një pagë prej 310 mijë lekësh, pra qind për qind më e lartë sesa në vitin 2005”. “Duke arritur një pagë të tillë mesatare,- tha Kryeministri Berisha, - Shqipëria kalon qartësisht me mbi 30 për qind pagën mesatare të dy vendeve anëtare të BE-së dhe barazohet me 3 vende të tjera ish-komuniste”.
Kryeministri theksoi se “paga mesatare për punonjësit e mjekësisë rritet nga 226 mijë lekë në 470 mijë lekë, pra 108 për qind”. Sipas Kryeministrit Berisha, “këtë vit nuk do të rriten pagat e zyrtarëve të lartë”. Kryeministri theksoi se “kjo qeveri ia ka dalë të ngushtojë në mënyrë të ndjeshme diferencën midis rrogave më të larta dhe rrogave mesatare dhe minimale”. “2 vjet më parë diferenca mes rrogës maksimale dhe asaj mesatare të administratës ishte rreth 11 herë, sot është rreth 1 me 5, sepse rroga mesatare në këtë vend arrin në rreth 460 mijë lekë, pra arrin në 460 dollarë”, - tha Kryeministri Berisha. Duke u ndalur te rritja e pensioneve, Kryeministri informoi se të ardhurat pensionale rriten nga 49 për qind sipas llojit të pensioneve në 135 për qind. Kjo, sipas tij, përbën pa dyshim rritjen më të madhe dhe më të pakrahasueshme se çdo vend tjetër.
“Me shpërblimin që marrin pensionistët në fund të vitit zerohet e gjithë rritja e çmimeve", - siguroi Kryeministri Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se është ngushtuar në mënyrë të ndjeshme diferenca midis pensioneve në fshat dhe atyre në qytet dhe janë hedhur bazat për barazimin e këtyre pensioneve”. Për këtë Berisha pohoi: “Kjo është absolutisht domosdoshmëri e madhe morale, por edhe ligjore sepse askush nuk ka vuajtur më shumë sesa punëtori i kooperativës bujqësore, ndaj dhe duhet t’i japim pensionin që meritojnë”.
Tabelë
-Të ardhurat pensionale minimale në qytet rriten nga 8350 lekë në 12 400 lekë, pra me rreth 49 për qind.
-Të ardhurat e pensioneve minimale në fshat rriten në masën 100 për qind.
-Pensionet maksimale në fshat rriten në masën 70 për qind.
-Të ardhurat pensionale maksimale në qytet rriten në masën 30 për qind.
-Pensionet e pleqërisë në qytet kapin një rritje prej 42 për qind.
- Pensionet e invaliditetit rriten me 54 për qind.
- Pensionet mesatare familjare në qytet janë rritur me 54 për qind.
- Pensionet mesatare të pleqërisë në fshat janë rritur me rreth 80 për qind.
-Pensionet mesatare të invaliditetit në fshat janë rritur me 107 për qind.
- Pensionet mesatare familjare në fshat janë rritur me 127.4 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare të pleqërisë në qytet rriten me 51 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare të invaliditetit në qytet rriten me 59 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare familjare në qytet rriten me 55 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare të pleqërisë në fshat rriten me 95 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare të invaliditetit në fshat rriten me 123 për qind.
-Të ardhurat pensionale mesatare familjare në fshat rriten me 135 për qind
Rritja e pagave për administratën
- Paga në sektorin e shëndetësisë, mjekë dhe infermiere, dyfishohet.
- Paga mesatare për rreth 104 mijë punonjës buxhetorë, nga 273 mijë lekë që ishte në pranverën e vitit 2005, kalon në 459 mijë lekë në muaj, ose 68 për qind më e lartë. Pagat e zyrtarëve të lartë nuk rriten, por mbeten ato që janë. Duke arritur një pagë të tillë mesatare, - u shpreh Kryeministri, - ne kalojmë qartësisht me mbi 30 për qind pagën mesatare të dy vendeve anëtare të BE-së dhe barazohemi me tre vendeve të tjera, natyrisht bëhet fjalë për vende ish komuniste.
- Paga e mësuesve të arsimit parauniversitar nga një pagë prej rreth 230 mijë lekë kalon në rreth 460 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005.
- Paga e punonjësve të infermierisë nga një pagë prej 150 mijë lekë kalon në 310 mijë lekë, pra, 100 për qind më e lartë se në vitin 2005. Paga mesatare për mjekët rritet nga 226 mijë lekë në 470 mijë lekë në muaj, ose 108 për qind.
- Paga minimale në administratën publike shkon në dyfishim.
Qeveria, dyfishim edhe ndihmës sociale
Qeveria përveç skemës së rritjes së pagave dhe pensioneve, po përgatit edhe atë të dyfishimit të ndihmës sociale për shtresat në nevojë. Kryeministri Sali Berisha lajmëroi mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se janë gjithsej 7 miliardë lekë të vënë në dispozicion të atyre që përfitojnë nga përkrahja e ndihmës sociale. Sipas Berishës, ndihma sociale ekonomike me rritjen e këtij viti dyfishohet. “Në vitin 2005 fatura e ndihmës sociale në vend ishte gjithsej 7 miliardë lekë. Unë informoj qytetarët shqiptarë se sot kjo kap shumën 15 miliardë lekë në muaj. Pra, është rritur me 110 për qind. Dhe në rast se do të ekonomizohej si duhej nga qeveritë vendore, do t’u adresohej atyre që kanë nevojë siç bëjnë shumica e tyre”, - deklaroi Kryeministri,. Ai vuri në dukje: “Në të gjitha bashkitë dhe komunat ku shkoj, konstatoj se është mbidyfishuar, sidoqoftë, një skemë e re po përgatitet për këtë shtresë. Në këtë skemë, - shtoi Berisha, - qeveria është e gatshme të vendosë të gjithë sasinë e nevojshme të fondeve me kusht që ajo t’u adresohet njerëzve që kanë nevojë. Një skemë e re po hartohet e cila do të mbulojë plotësisht familjet me një prind, familjet me shumë fëmijë etj.”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.