E Shtunë, 31 Tetor 2026

U denoncua nga nusja e djalit për ngacmim seksual

 Gjykata e Korçës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për 72-vjeçarin Karafil Topi, i cili u denoncua nga nusja e djalit të tij për ngacmim seksual. Gjatë seancës gjyqësore, 72-vjeçari i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nusja e djalit ka sajuar gjithçka. Avokati mbrojtës ka kërkuar një masë më të lehtë sigurie për shkak të moshës, por gjykata ka vendosur të mbajë në burg 72-vjeçarin.

Dy ditë më parë Fatime Topi, nga fshati Bitinckë i rrethit të Devollit, ka deklaruar para bluve, se vjehrri i saj, Karafil Topi e ngacmonte seksualisht që prej disa muajsh, madje në prezencë të 5 vajzave të saj.

"Vjehrri ishte i fiksuar dhe më ndiqte në çdo moment në shtëpi, duke më prekur në trup. Këto veprime i bënte në sy të mbesave të tij. Ai flinte në të njëjtën dhomë me mua e tim shoq, pasi prej 30 vjetësh ishte i ve. Rasti i fundit ishte i një dite më parë, kur vjehrri nisi të më ngacmonte dhe djali i tij e kapi në flagrancë", - është shprehur 37-vjeçarja në polici.

Pas denoncimit të gruas, policia ka marrë në pyetje rreth ngjarjes dy vajzat më të rritura të gruas; 14 dhe 12 vjeçe. Në prani të psikologut, minorenet janë shprehur në polici se e kishin parë shpesh gjyshin e tyre që u ngacmonte nënën kur babai i tyre nuk ishte prezent, por kurrë nuk kishin mundur të flisnin për këtë ngjarje.

INTERVISTA E GRUAS PER GAZETA SHQIPTARE

Fatime Topi, në një intervistë për "Gazeta Shqiptare" tregon me detaje se si përndiqej e terrorizohej nga 72-vjeçari.
Si ka ndodhur ngjarja?

Kisha kohë që jetoja me ankth dhe frikë. Vjehrri im i moshuar më ndiqte këmba-këmbës dhe më prekte në trup duke tentuar të abuzonte seksualisht me mua. Gjithçka ndodhte kur burri shkonte në punë, më ngacmonte në sy të fëmijëve. Isha përpjekur për muaj me radhë ta sqaroja se unë isha nusja e djalit të tij, dhe nëse ai dëshironte diçka të tillë duhej të gjente dikë tjetër. Kam pesë fëmijë dhe jetoj në varfëri të plotë. Kam heshtur për hir të fëmijëve. Por ai vazhdonte. Dje isha duke gatuar bukë, dhe ai më erdhi në dhomë duke më prekur. E shtyva me sa kisha fuqi, dhe kjo skenë u pa dhe nga bashkëshorti im. Ai nuk po u besonte syve për atë çka po tentonte të bënte babai i tij. U alarmuan edhe fëmijët. Në ato momente i tregova burrit për vuajtjen time për muaj me radhë. Nuk pritëm më dhe shkuam tek kryeplaku i fshatit të dy, i cili na tha që të shkonim dhe ta denonconim rastin në polici. Më pas e denoncuam në komisariatin e Devollit.
Pse nuk i kishit treguar më herët bashkëshortit?
Ai e ka baba, dhe kisha frikë se ndoshta dhe nuk do të më besonte. Pastaj kam edhe pesë fëmijë. Kisha vendosur të heshtja, por hija e tij më ndiqte kudo dhe situata po bëhej dhe më e padurueshme.
Prej sa kohësh ju ngacmonte vjehrri juaj?
Që prej muajit prill. Nuk e di as vetë pse nisi të ngacmohej. Ai jetonte me ne prej vitesh, madje flinte me ne në të njëjtën dhomë.
Flinte me ju në të njëjtën dhomë?
Po, në të njëjtën dhomë flinim. Nuk kishte ku të flinte. Madje edhe krevatet i kishim ngjitur. Vajzat flinin në dhomën tjetër, në tokë. Por kur ishte burri, vjehrri nuk guxonte të bënte ndonjë veprim të tillë. Madje natën shpesh ngrihej pa arsye dhe ndizte dritën. I lutesha ta mbyllte, por nuk merrte vesh. Një Zot e di çfarë kishte në mendje. Pastaj dita ishte ferri për mua.
Pse thoni "ishte ferri"?
Shkoja të punoja tokat dhe kur kthehesha në shtëpi më ndiqte kudo. Më prekte në trup. Dhe tani më hyjnë të dridhurat. Madje ai bënte veprime të tilla edhe në sy të fëmijëve, por të gjithë heshtnim para një fakti të tillë. Kishim frikë ta denonconim dhe të tregonim të vërtetën. Ndërkohë që kohët e fundit kisha filluar edhe të sëmuresha, pasi nuk e mbaja dot më këtë ngjarje vetëm për vete.
Po në fshat si sillej?
Si një njeri i ndershëm. Nuk na është ankuar njeri. Por ai nuk dilte në fshat, punonte vetëm bahçen në shtëpi.
Si sillej i moshuari me vajzat tuaja?
Ato nuk i ngacmonte, shyqyr Zotit për këtë!
Po tani si ndiheni?
Ende jam e terrorizuar. Më duket sikur do hyjë nga momenti në moment sërish në shtëpi dhe do bëjë të njëjtat veprime. Kam frikë.
Çfarë kërkoni aktualisht?
Kërkoj që vjehrri im të dënohet. Nëse ai kthehet në shtëpi, unë do të marr fëmijët dhe do zhdukem. Ndoshta dhe do mbytem. Me atë në të njëjtën çati nuk mund të jetoj më. Është e tmerrshme dhe e frikshme të të përndjekë vjehrri në shtëpi dhe të jetosh çdo moment me terror./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›