Thaçi: Kosova, hambar për rajonin në prodhimin e grurit

Kosova është duke u bërë hambar për rajonin në prodhimin e grurit, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, gjatë përcjelljes së mbarëvajtjes së fushatës së korrje-shirjeve. Me këtë rast, kryeministri tha se qeveria do të vazhdojë t''i subvencionojë bujqit e vendit.
Kryeministri Thaçi gjatë vizitës tek parcela e mbjellë me grurë e fermerit Fazli Berisha tha se rreth 70 për qind e fushatës së korrje shirjeve ka përfunduar:
“Mund të them se është një prej sezoneve më të suksesshme të korrje shirjeve në Republikën e Kosovës pas luftës”, tha Thaçi.
Ai tha se qeveria ka subvencionuar fermerët me rreth 6 milionë euro, 2 milionë më shumë se vitin e kaluar, me ç’rast përfitues ishin rreth 11 mijë bujq, gjë që ka ndikuar në rendimente rekorde:
“Sivjet ka pasur më tepër tokë të punueshme me grurë, është rritur edhe prodhimtaria dhe gradualisht Kosova është duke u bërë hambar për rajonin”, tha Thaçi.
Nga ana e tij, ministri Stavileci, njoftoi se fermerët e grurit janë subvencionuar me nga 125 euro për hektarë, por edhe me nga 225 euro për farën e grurit.
“Poashtu për këta fermerë do të ketë edhe mundësi tjera që të përfitojnë nga masa tjetër që lidhet nga makineritë bujqësore, në mënyrë që dalëngadalë edhe makineritë e vjetra të zëvendësohen me të reja”, tha Stavileci.
Kurse fermeri Fazli Berisha, u shpreh i kënaqur me mbështetjen shtetërore, përmes së cilës ka arritur të mbjellë me kulturën e grurit rreth 200 hektarë./Indeksonline/