E Diel, 1 Nëntor 2026

U dënua për korrupsion, Nikolin Jaka në krye të Dhomës së Tregtisë, Ministria: E pavlefshme zgjedhjaNga TemaIsh-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i dënuar pak muaj më parë për korrupsion, është zgjedhur ditën e djeshme në krye të Dhomës

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

U dënua për korrupsion, Nikolin Jaka në krye të Dhomës së Tregtisë, Ministria: E pavlefshme zgjedhjaNga Tema

Ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i dënuar pak muaj më parë për korrupsion, është zgjedhur ditën e djeshme në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Nga 75 vota të Asamblesë së Përgjithshme, Jaka ka mundur që të marrë 60 vota. Ai u vendos në krye të Dhomës së Tregtisë, pasi Gjok Uldedaj, që u zgjodh deputet në zgjedhjet e 28 qershorit, dha dorëheqjen. Jaka u arrestua rreth tre vjet më parë në operacionin e koduar me emrin “Duart e pastra” dhe qëndroi për më shumë se nëntë muaj në burg.

Emërimi

Pasi ishte zhdukur nga jeta politike, duke qenë se ishte dënuar për korrupsion nga gjykata e kryeqytetit, emri i Nikolin Jakës ka dalë sërish në skenë. Ditën e djeshme, ish-zëvendësministri i Transporteve është zgjedhur në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Përballë tij kandidatë kanë qenë edhe Edmond Rusmali dhe Sami Çelaj, por Jaka ka mundur që të marrë numrin më të madh të votave. Kështu, nga 75 vota të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ka mundur që të sigurojë 60 vota. Duke qenë se ka marrë numrin e nevojshëm, ai është zgjedhur në krye të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, post që deri më dje mbahej nga ana e Gjok Uldedajt. Ky i fundit dha dorëheqjen, pasi gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Nikolin Jaka ka qenë edhe më parë pjesë e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, ku ka mbajtur edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Zgjedhja e tij në krye të këtij institucioni ka qenë surprizë, pasi vetëm pak muaj më parë ai u dënua nga ana e gjykatës me një vit burg për korrupsion. Jaka u arrestua, në kohën kur mbante postin e zëvendësministrit të Transporteve, gjatë një operacioni të koduar me emrin “Duart e pastra”. Bashkë me të u arrestuan edhe disa ish-zyrtarë të lartë të kësaj ministrie, Ilir Berzani, Xhevahir Muçogllava, Bashkim Kamberi dhe Arian Sheti, si dhe dy biznesmenët, Skënder Bokçiu dhe Isuf Ukperaj. Nikolin Jaka ka lënë qelinë e burgut 302 vetëm pak muaj më parë, në të cilën u mbajt i izoluar për afro 9 muaj, pasi u dënua me 1 vit e 20 ditë burg, si dhe me një gjobë prej 500 mijë lekësh nga gjykata për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Jaka, së bashku me të prangosurit e tjerë, u dënuan nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet me vetëm 8.7 muaj burg së bashku, gjysmën e asaj që kishte kërkuar organi i akuzës. Arrestimi i tyre erdhi pas denoncimeve të bëra nga ana e përfaqësuesve të disa firmave të ndërtimit, të cilët ishin përjashtuar nga tenderët që organizonte Ministria e Transporteve për ndërtimin e rrugëve. Shpeshherë ata ishin kërcënuar edhe fizikisht për të mos marrë pjesë në tenderët që organizonte ministria, duke iu lënë rrugë të lirë firmave të preferuara nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Transporteve. Zyrtarët e lartë që akuzohen për korrupsion dhe që ditën e djeshme u shpallën fajtorë për këtë akuzë, mësohet se përfitonin 10 për qind të fondit për çdo tender të fituar nga firmat, me të cilat kishin bërë paraprakisht një pakt.

Ministria e Ekonomisë: Zgjedhja e Jakës e pavlefshme, është dënuar

Ministria e Ekonomisë ka kundërshtuar menjëherë dje zgjedhjen e Nikolin Jakës në krye të Dhomës së Tregtisë dhe të Industrisë duke e quajtur atë të paligjshme. Ministria e Ekonomisë tha se në bazë të vetë statutit të këtij organizmi thuhet se askush që është i dënuar me vendim gjykate të formës së prerë nuk mund të zgjidhet në krye të Dhomës së Tregtisë. Ministria e Ekonomisë tha se Jaka nuk ka paraqitur në mbledhje asnjë dokument, ku të provonte pafajësinë e tij. Prokuroria e Përgjithshme ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e Gjykatës së Apelit që e shfajësonte z. Jaka. Kjo është e mjaftueshme, sipas ministrisë, që zgjedhja e z. Jaka të konsiderohet e pavlefshme. Nga ana tjetër, Ministria e Ekonomisë tha se zgjedhjet ishin bërë me nxitim dhe pa iu lënë mundësi kandidatëve të zhvillonin fushatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›