Ëndrra për të ardhmenNga “The Economist”Për shumicën e njerëzve është e mirëpritur mundësia për t’i dhënë fund përqendrimit të Bashkimit Evropian në një çështje të vetme. Nëse çekët e ratifikojnë Traktatin e Lisbonës, nuk do të ketë më skema të mëdha
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ëndrra për të ardhmenNga “The Economist”Për shumicën e njerëzve është e mirëpritur mundësia për t’i dhënë fund përqendrimit të Bashkimit Evropian në një çështje të vetme. Nëse çekët e ratifikojnë Traktatin e Lisbonës, nuk do të ketë më skema të mëdha. Mirëpo në Francë gjërat nuk shikohen kështu. Francezët kanë shtruar terrenin për idenë tjetër të madhe: thellimi i boshtit franko-gjerman për të forcuar dyshen e tyre udhëheqëse dhe ta bëjnë Evropën “një nga lojtarët kryesorë të shekullit 21”.
Në një fjalim para ambasadorëve të tij në gusht, presidenti Sarkozy deklaroi se ai donte “që Evropa të bënte përsëri histori, në vend që ta duronte atë”. Modeli i tij ishte “mirëkuptimi franko-gjerman” i ndërtuar mbi miqësinë e tij me Angela Merkel, kancelaren gjermane. Ministri i tij për Evropën, Pierre Lellouche, po e përhap me shpejtësi mesazhin. “Më shumë se kurrë, miqësia e Francës me Gjermaninë do të formojë bërthamën e asaj që unë do ta quaja faza e tretë e historisë evropiane të pasluftës”, - shkroi ai kohët e fundit në “Le Monde”.
Francezët nuk sugjerojnë traktat të ri të BE, por ata kanë shumë çudira të tjera. Festimi së bashku me Gjermaninë i 20-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit muajin që vjen mund të kompensojë mospërkrahjen e François Mitterrand për bashkimin e Gjermanisë. Francezët duan ta festojnë së bashku Ditën e Armëpushimit më 11 nëntor. Gjithashtu flitet që në 2013 do të përkujtohet marrëveshja e Élysée-së për bashkëpunimin franko-gjerman.
Shumë ide qarkullojnë. Francezët duan t’i bindin gjermanët të mbështetin një strategji për të promovuar arritjet evropiane, një investim i përbashkët në teknologjinë e pastër, një plan evropian për pavarësi energjitike, një koordinim më të madh në taksa e shumë të tjera. Ata shikojnë argumente të përbashkëta në kundërshtimin e anëtarësimit të Turqisë në BE, si edhe në reformimin e kapitalizmit jo-intervencionist. Flitet për krijimin e postit të një ministri franko-gjerman. Zoti Lellouche i ka kërkuar ekipit të tij të përgatitë “një axhendë franko-gjermane të re për në Evropë”, para një takimi të përbashkët mes qeverive deri në fund të vitit. “Në konfigurimin e ri evropian, - tha ai muajin e kaluar, - marrëdhëniet franko-gjermane do të jenë kyç, sepse vetëm ato kanë edhe vullnetin, edhe kapacitetet për të realizuar projekte të mëdha.”
Pas mësymjes galike gjenden shumë shtysa. Një është ndryshimi i politikës së Evropës. Francezët e kuptojnë se britanikët do të jenë miq pa dobi, nëse zgjedhjet e pranverës së ardhshme i fitojnë konservatorët euroskeptikë. “David Cameron e bën Maggie Thatcher të duket si federaliste e vërtetë”, - thotë një politikan francez i shokuar. Ndërkohë, rizgjedhja e zonjës Merkel në krye të një koalicioni të qendrës së djathtë, ndryshe nga ish-qeveria e saj me socialdemokratët, rrit shpresat e francezëve për një qeveri gjermane më të vendosur.
Një faktor tjetër është ideja se, kur bien dakord francezët dhe gjermanët, zëri i Evropës bëhet i dëgjueshëm. Për këtë francezët numërojnë marrëveshjet për heqjen e shpërblimeve në banka, për fuqizimin e kapitalit bankar dhe zvogëlimin e parajsave taksore.
Mbi Rhine nuk ka urë
Sarkozy, që s’ka qenë kurrë gjermanofil instiktiv, pati fillim me probleme me zonjën Merkel, për shkak të planeve franceze për Unionin e Mesdheut, dhe u desh kohë që zonja Merkel të mësohej me miqësinë ekspresive të zotit Sarkozy. Por zoti Sarkozy e di që ai nuk mund t’i imponojë idetë e tij për Evropën. Në fillim ai gjeti një mundësi për të përdorur situatën antikapitaliste kundër “anglosaksonëve” dhe kërkoi një aleat. “Miqësia Sarkozy-Merkel ka pësuar një përmirësim konceptual spektakolar”, - këmbëngul një zyrtar francez.
Megjithatë, në anën tjetër të Rhine-it parapëlqehet progresi i ngadaltë në vend të projekteve të mëdha. Ministria e Jashtme gjermane kohët e fundit organizoi një takim njëditor për të diskutuar marrëdhëniet me Francën, por shumë pak debat pati për idetë e zotit Lellouche. Tek e fundit, qeveria gjermane nuk është krijuar ende. Ministri i Jashtëm socialdemokrat, Frank-Walter Steinmeier, do të largohet, ndërsa pasuesi i tij, gati e sigurt që do të jetë Guido Westerwelle i Partisë Demokratët e Lirë, nuk ka mbërritur ende. Nëse zoti Lellouche “donte sinqerisht realizimin e propozimit të tij, ai nuk duhet ta kishte shpallur në një artikull në “Le Monde”, vërejti një vëzhgues i marrëdhënieve franko-gjermane me bazë në Berlin.
Por, edhe kur zonja Merkel dhe zoti Westerwelle të marrin detyrën, nuk do të fillojë një erë e re. Anëtarja më e madhe e BE njihet që kujdeset për interesat e veta - për mbrojtjen e Opelit apo shpëtimin e bankave në zonën e euros.
Gjermania ka prioritete të tjera në politikën e jashtme përveç Francës, si përmirësimi i marrëdhënieve me Poloninë dhe vendet të tjera të Evropës Qendrore. Për çështjen bërthamore dhe anëtarësimin e Turqisë në BE, qeveria e re e zonjës Merkel është më afër pozicionit francez, megjithëse edhe këtu mirëkuptimi mund të jetë i vështirë. Kjo mund t’i mbajë centralet bërthamore hapur më gjatë, por vendet mund të mos bien dakord për shumë gjëra në politikën energjitike të BE. Dhe nuk është e sigurt që zonja Merkel do të donte të ndërpriste negociatat e anëtarësimit me Turqinë.
Çështjet ekonomike nuk do të jenë më të lehta. Amendimi i ri kushtetues për buxhetin e balancuar të Gjermanisë do ta detyrojë vendin të ndjekë politika fiskale të shtrënguara, nëse koalicioni shmang uljen e taksave. Franca, nga ana tjetër, planifikon të dalë nga deficiti i saj me ngadalë. Dallimet në deficit dhe konkurrenca do ta vështirësojë menaxhimin e zonës së euros. Gjermania do të predikojë për rritjen dhe reforma për të nxitur konkurrencën. Por, nëse ajo vetëm u jep leksione partnerëve në vend, që t’u japë politika koordinimi, rrezikon të agravojë tensionet brenda grupit euro.
Por nuk ka as marrëveshje franko-gjermane se si të çohet BE përpara pas Lisbonës. Një vendim i Gjykatës Kushtetuese gjermane në verë do të thotë që qeveria duhet të konsultohet me Kushtetutën më shpesh në lidhje me iniciativat e BE. Nuk është e qartë, nëse Gjermania ka ndërmend t’i japë BE hapësirë të madhe për veprim apo ta trajtojë atë, siç bëjnë shumë, si shërbëtore të qeverive kombëtare. Nuk ka shenja të një marrëveshjeje bilaterale për alokimin e posteve kryesore që do të krijohen nga Lisbona.
Francezët nuk janë romantikë. Ata e dinë që mund të kenë mosmarrëveshje në lidhje me uljen e deficitit. Në çështjet industriale vendet shpesh janë në konkurrencë. Francezët nuk janë të lumtur që trenat gjermanë, dhe jo ata francezë, do të lëvizin në lidhjen e shpejtësisë së lartë që do të hapet nga Moska në Shën Petërburg dhe as që Siemens po tërhiqet nga bashkëpunimi bërthamor me Areva-n. Dhe francezët nuk janë të verbër karshi nevojës për lidhje të tjera në Evropë. Ata ende shpresojnë të përfshijnë britanikët në një politikë evropiane të përbashkët mbrojtjeje, edhe me qeverinë konservatore. Për të dyja vendet është më e vështirë të drejtojnë një BE me 27 anëtarë sesa me 12. Megjithatë francezët kanë pritshmëri maksimale nga Gjermania, por nuk është e sigurt se do të fitojnë shumë.