U dënua për trafik droge, i sekuestrohet pasuria
ANTIMAFIA
Gjykata e Krimeve të Rënda, sekuestroi hotelin katër katësh dhe një restorant në plazhin e Durrësit, pronë e Alket Hatisë
Pronari i objektit është dënuar se ka transportuar drejt Italisë, gjysmë ton heroinë në bashkëpunim me disa persona
TIRANË- Gjykata për Krime të Rënda në kryeqytet, me kërkesë të prokurorisë dhe bazuar në ligjin "Antimafia" sekuestroi restorantin luksoz dhe "Hotelin" katër katesh në plazhin e Durrësit i ndërtuar dhe administruar nga familjarët e Alket Hatisë, i dënuari me 16 vjet burg për trafik droge.
Ai është deklaruar fajtor për veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike" më shumë se njëherë, në bashkëpunim me të dënuarit Hekuran e Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Sajmir Gjepali.
Të gjithë këta persona, brenda 12 muajve gjatë viteve 2003-'04, duke shfrytëzuar "korrierë" të ndryshëm si shqiptarë ashtu edhe të huaj, kanë trafikuar nga Shqipëria në Itali rreth 450 kg heroinë në 13 rrugë.
Sipas vendimit të siguruar nga "Shekulli", me kërkesë të prokurorit Besnik Muçi, Gjykata për Krime të Rënda, në mbështetje të nenit 3/1 të ligjit nr.10192 të datës 3 dhjetor 2009 "Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurive" i njohur si ligji "Antimafia", vendosi sekuestrimin e objektit që ndodhet në lagjen nr.13 të Plazhit të Durrësit ku ndodhet "Restoranti" dhe "Hoteli" i familjes së të dënuarit Hatija.
Ky sekuestrim, erdhi pas hetimit pasuror të nënshtruar ndaj pronave dhe pasurive të regjistruar nën emrin e të dënuarit Hatija dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes së tij.
"Nga hetimet lidhur me procedimin penal për të cilin është dënuar shtetasi Alket Hatija, ka rezultuar se gjatë vitit 2003-'04 kur i pandehuri në bashkëpunim me personat e tjerë ka kryer veprën penale të "trafikut të lëndëve narkotike".
Nga konsumimi i kësaj akuze, i dënuari ka përfituar mjete të shumta financiare në mënyrë të paligjshme të cilat më pas i ka investuar në prona të paluajtshme në qytetin e Durrësit. Konkretisht, sipas të dhënave të regjistruara në Hipotekën e Durrësit, rezulton se me anë të kontratës me nr.2597 rep. 1711 kol. të datës 2 shtator 2002 shtetasi Alket Hatija ka blerë nga shtetasi me inicialet Q.P. një sipërfaqe trualli prej 600 metra që ndodhet në zonën kadastrale me nr.8518, në lagjen nr.13 të Plazhit të Durrësit:-thuhet në vendimin që tashmë i është njohur edhe familjes së të dënuarit Hatija.
Pas blerjes së kësaj prone, i dënuari Hatija më 13 janar 2003 ka firmosur një kontratë me një firmë ndërtimi, e cila ka ndërtuar një objekt një kat lokal dhe katër kate sipër Hotel.
"Aktualisht ky objekt funksionon si "Hotel & Restorant" në përdorim të familjarëve të të dënuarit me 16 vjet burg Alket Hatija"-thuhet në vendim. Nga ana tjetër, në vendim cilësohet se i dënuari Hatija nuk rezulton të ketë në Shqipëri ndonjë aktivitet tregtar të regjistruar, ndërsa të mirat materiale që kanë shërbyer për blerjen e truallit dhe më pas ndërtimin rezulton të jenë deklaruar si të ardhura nga emigracioni.
SEKUESTRIMET
Objekti "Hotel & Restorant" me 5+1/2 kate dhe sipërfaqe ndërtimi 240 m2 për kat në gjendje pune, së bashku me të gjitha pajisjet dhe aksesoret e bisnezit, e ndërtuar mbi truallin me sipërfaqe 600 m2 në zonën kadastrale nr. 8518, në lagjen nr.13 të Plazhit të Durrësit.
Trafiku
Droga nga Turqia drejt Italisë nga Shqipëria
Sipas vendimit të të pandehurit Alket Hatija, Hekuran e Fatbardh Hoxha, Mentor Shehu dhe Sajmir Gjepali, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në role të ndryshme, kanë trafikuar brenda 12 muajve, gjatë vitit 2003-'04, nga Shqipëria në Itali 450 kg heroinë. Mësohet se sasia e 450 kg heroinë e sekuestruar në Itali, është nisur nga Shqipëria në 13 episode dhe me sasi të ndryshme nga 12 kg deri në 70 kg heroinë për çdo rrugë. Droga fshihej në pjesë të ndryshme të makinave me të cilat udhëtonin korrierët, kundrejt pagesave të ndryshme.
Sipas vendimit, të pandehurit siguronin drogën nga vendet e lindjes, nëpër Turqi-Bullgari-Maqedoni-Kosovë ose Shqipëri dhe më pas nisej drejt Italisë me anë të korrierëve nëpërmjet portit të Durrësit në sasira të ndryshme, të cilat janë kapur të gjitha në Itali.