Turisti italian në kërkim, vodhi veturën me qera

Italiani u denoncua nga një firmë e dhënies së automjeteve me qera në kryeqytet, pasi nuk kishte kthyer veturën
Dyshohet se 49- vjeçari mund ta ketë shitur veturën tip "Fiat" për pjesë këmbimi apo mund ta ketë lënë peng
TIRANE- Turisti italian shpallet në kërkim për vjedhje dhe mashtrim të një shoqërie shqiptare që jepte autovetura me qera, pasi ai ka marrë automjetin me qera firmës së mësipërme dhe nuk ia ka kthyer mjetin e madje nuk kishte paguar as paratë e qerasë.
Xhino Konkari (Gino Concari) 49 vjeç, nga Italia, u shpall në kërkim nga autoritetet policore të Antikrimit Ekonomik të policisë së kryeqytetit. Konkari, u denoncua nga administratorët e firmës së automjeteve me qera, më tepër se dy muaj, pasi ai kishte marrë prej tyre një automjet të subjektit për përdorim.
Madje sipas burimeve të policisë, italiani Konkari ishte pajisur edhe me leje qarkullimi për brenda dhe jashtë vendit nga drejtuesit e subjektit, duke bërë që ai të kishte mundësi të merrte automjetin.
Sipas burimeve të policisë, Konkari kishte mbërritur në Shqipëri, në muajin maj të këtij viti dhe kishte hyrë nëpërmjet portit të Durrësit si turist.
Një fakt i tillë është mësuar në bazë të deklarimit të tij në pikën e kalimit kufitar, prej italianit. Ky i fundit, menjëherë sapo ka hyrë në Shqipëri, ka deklaruar se kishte ardhur për qëllime turistike në Shqipëri. Më pas ai ka mbërritur në Tiranë dhe ka marrë një automjet me qera, të një subjekti të liçensuar në këtë drejtim biznesi.
Nga kontrata e lidhur mes tij dhe subjektit përkatës, ai kishte marrë në përdorim një automjet të markës "Fiat" me targa TR 1852 R. Pas më tepër se një muaj qëndrimi në Shqipëri, italiani është larguar nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Ndërkohë, automjetin që kishte marrë me qera në kryeqytet, ai nuk e ka kthyer tek firma.Për më tepër se një muaj e gjysmë, drejtuesit e subjektit kanë pritur që italiani të rikthente veturën e marrë me qera jo pak të shtrenjtë tek ata, por kjo nuk ka ndodhur.
Në këto kushte, këta të fundit janë detyruar të denoncojnë turistin italian, duke e akuzuar atë për vjedhje dhe mashtrim. Sipas burimeve të policisë, italiani rezulton të jetë larguar në territorin shqiptar më tepër se një muaj e gjysmë më parë, por pa automjetin që kishte marrë me qera.
Dyshimet e policisë janë se ai mund t'ua ketë shitur automjetin personave të tretë apo mund ta ketë lënë atë në formë pengu. Një dyshim i tillë është krijuar për shkak se hetuesit nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të automjetit.
Ndërkaq, një drejtim që policia po verifikon është ajo e shitjes së mjetit për pjesë këmbimi në ndonjë pikë të riparimit të automjeteve për thuajse gjysmën e vlerës së saj. Në këtë mënyrë policia ka nisur verifikimet dhe kontrollet përkatëse, ndërsa ka dërguar materialet në prokurori ndaj Konkarit me akuzën e vjedhjes nëpërmjet mashtrimit.
Vlera e automjetit të vjedhur sipas burimeve të policisë kap afërsisht vlerën e 12 milionë lekëve të vjetra, shumë që tashmë do të duhet të shlyhet nga italiani i hetuar nga policia dhe prokuroria.