U gëzohen vargjeve satanike

Romani i njohur ‘Vargjet satanike’ i shkrimtarit Salman Rushdie pritet të botohet edhe në gjuhën shqipe. Këtë e ka paralajmëruar botuesja Arlinda Dudaj, e cila për mediat në Shqipëri ka pohuar se ka siguruar të drejtën e botimit të veprave të shkrimtarit britanik me origjinë nga India.
Këtij lajmi duket se i janë gëzuar shkrimtarët kosovarë, të cilët mëzi presin ta kenë në duar njërin prej romaneve që ka nxitur reagime të shumta.
Për poetin dhe studiuesin Ag Apolloni ‘Vargjet satanike’ është vepra më kontroverse e shekullit njëzet. Duke e konsideruar autorin Salman Rushdie si një shkrimtar të madh, Apolloni thotë se kryevepra e tij është ‘Fëmijët e mesnatës’. Ai shprehet se romanet e tij duhet të përkthehen në shqip.
“Salman Rushdie është shkrimtar me vlera të pakontestueshme, prandaj, parimisht, unë mendoj që vetëm shkrimtarët e dobët nuk duhet të përkthehen, madje as të botohen. Pavarësisht qëndrimit parodizues që mban autori ndaj temës, ‘Vargjet satanike’ është fiksion dhe si i tillë duhet lexuar. Të gjitha veprat postmoderne parodizojnë metarrëfimet, ku bën pjesë edhe religjioni”, tha Apolloni.
Sipas tij, lexuesi shqiptar duhet ta njohë edhe këtë model shkrimi, që është censuruar në shumë vende të botës.
“I mbetet lexuesit të vendosë ta urrejë, apo ta dojë këtë vepër dhe këtë stil, por natyrisht ai së pari duhet ta njohë para se të vendosë të pozicionohet”, shtoi ai.
Apolloni mendon se botimi i kësaj vepre nga shtëpia botuese ‘Dudaj’ do të zgjojë debate dhe mund të thyejë rekorde në shitje. Mirëpo, shton se sado që botimi i këtij libri është një akt i leverdishëm për botuesen, njëkohësisht ai është edhe një sfidë për të, kur dihet që në shumë vende perëndimore botuesit e këtij romani, pak ditë pas botimit, janë gjetur të vdekur në rrethana misterioze.
“Në këtë kuptim, mendoj që ky roman do të prodhojë debate të nxehta, nëse jo diçka më të keqe”, tha ai.
Edhe poeten dhe përkthyesen Trina Gojani lajmi për botimin e romanit duket se e ka gëzuar. Mirëpo, ajo shpreson që të mos përkthehet shpejt e shpejt e në këtë mënyrë ta humbë kuptimin. E sa u përket reagimeve, ajo shpreson që të mos ketë.
“Besoj qe është mirë që vjen edhe në shqip. Fundja, duhet të pranojmë gjerat ashtu siç thuhen, por do të ishte shumë dobësi, nëse do të kishte reagime fetare, siç kanë ndodhur në botë. Nëse ‘ia vlen’ të botohet jeta e Hitlerit, atëherë pse mos të botohet edhe ‘Vargjet satanike’”, tha ajo. Gojani shtoi se duke pasur parasysh që ka pasur kritika edhe ndaj karikaturistit danez, pritet gjithçka edhe ndaj botimin të këtij libri.
“Le të jenë mendjehapur lexuesit fillimisht, e pastaj le të gjykojnë saktë. Në Kosovë edhe në Shqipëri, mund edhe mos ta duan Salman Rushdie, por kjo s'do qojë peshë te lexuesit e tij”, theksoi ajo.
Për poetin Ndue Ukaj roli i letërsisë në shoqëri është i madh, ashtu sikurse edhe roli i kësaj vepre në letërsinë e përbotshme. Ukaj tha se Salman Rushdie sot është një nga autorët me të admiruar në letërsinë e përbotshme. Sulmet ndaj tij ai tha se bëhen për aspekte joletrare dhe këto aspekte për të si shkrimtar nuk kanë rëndësi.
“Prandaj, unë i gëzohem çdo libri me vlerë që përkthehet në shqip, sidomos nëse bëhet fjalë për një kryevepër. Për mua, botimi i këtyre veprave, përbën festë libri, sepse kur përkthehet një kryevepër letrare, për çdo kulturë është festë libri. Në amullinë shoqërore që po na zotëron, ne duhet të priremi nga ide humane dhe tolerante, ato ide që letërsia gjithmonë i kërkon, që janë liria e shprehjes dhe të shkruarit. Këto premisa, kanë ndihmuar njeriun të shkëputet nga zinxhirët e robërisë së mendjes”, tha Ukaj.
Ai shtoi se ne jemi pjesë e proveniencës oksidentale, me kulturë, histori dhe letërsi, andaj kjo vepër, sipas tij, duhet të mirëpritet, sepse është vepër që komunikon në gjithë arealin perëndimor. Sipas Ukajt, mund të bëhen debate për karakterin e saj, për idetë dhe subjektin që trajton, mirëpo assesi nuk duhet ta censurojmë.
“Ne kemi vuajtur keq nga pasojat e censurimit të letërsisë, pastaj të lirisë së të shprehurit dhe të shkruarit, përgjatë periudhës otomane, komunizmit dhe ish Jugosllavisë, prandaj s’na takon të censurojmë, përkundrazi duhet të jemi kampionë të ideve tolerante dhe t’i mirëpresim ato”, tha Ukaj, duke shtuar se i duket mjerim nëse reagohet për botimin e këtij libri.
Sipas tij, ata qe e duan letërsinë, të bukurën dhe dimensionet e saj universale, nuk mund të reagojnë.
“Ndryshe, çdo shoqëri ka mjeranë dhe njerëz që priren nga ide fundamentaliste, mirëpo ato nuk thonë gjë për kulturën letrare. Salman Rushdie, deshëm apo s’deshëm ne, është një nga autorët më specifik në kulturën e përbotshme dhe njohja me artin e tij, me idetë e tij, me kulturën e tij, veçse e emancipon shoqërinë tonë dhe asgjë nuk e dëmton”, tha ai.
E a do të ketë reagime ndaj këtij libri, kjo pritet të shihet pas botimit të tij.