Transplanti u krye me sukses

Ka zgjatur rreth 9 orë intervenimi kirurgjik, respektivisht transplantimi i mëlçisë, që e bëri të martën futbollisti i Barcelonës, Eric Abidal. Mbrojtësi i majtë francez momentalisht gjendet në repartin e terapisë intensive në 'Barnaclinic' të Barcelonës.
Operacioni ka filluar kah mesi i ditës, së pari me intervenimin e dhuruesit të mëlçisë, kushëririt të tij Gerard, e më pas mjekët kanë filluar procedurën e transplantimit. Procedura ka përfunduar kah mesnata.
Intervenimin kirurgjik e ka bërë doktori prestigjioz Juan García Valdecasas, specialist i kirurgjisë në Universitat de Barcelona, shef i shërbimit të kirurgjisë në Hospital Clínic de Barcelona dhe president i shoqërisë ndërkombëtare të transplantimit (ILTS). Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, ka siguruar se gjendja e futbollistit dhe e dhuruesit është stabile.
“Gjendja e Abidalit dhe e kushëririt të tij është pozitive. Nuk mund të them asgjë më shumë, sepse familja e tij ka kërkuar të mos thuhet diçka më shumë. Por, nëse evoluimi vazhdon të mbetet pozitiv, kjo mund të jetë një ditë fantastike”, ka thënë kreu i klubit katalunas.
Trajneri Pep Guardiola i ka dhënë kurajë futbollistit të tij pas operimit në mëlçi. “Procesi është mjaft i gjatë. Ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, por jam i bindur se Abidal do ta kalojë këtë. Ai është një djalë i fortë”, theksoi Pep.
“Do të doja t’ia dedikonim fitoren Abidalit dhe kushëririt të tij, Gerard. Ishte një ditë speciale për ne. Duhet të presim për më shumë informata në ditët në vijim. U jemi mjaft mirënjohës doktorëve dhe kemi besim se ai do ta kalojë këtë sfidë”, deklaroi 41 vjeçari pas fitores 4:0 ndaj Getafes.
Në minutën e 22-të të ndeshjes, tifozët e Barcelonës e kanë shfaqur mbështetjen e tyre për Abidalin, duke e pasur parasysh se ai e mbante në fanellë këtë numër. Diçka më shumë se një vit më parë, Abidal ishte operuar për ta hequr kancerin në mëlçi.
Por, futbollisti francez iu nënshtrua të martën një intervenimi tjetër kirurgjik, atij të transplantimit të mëlçisë. Ai kishte kaluar javë të tëra duke u përgatitur për intervenimin dhe duke u njohur me llojin e operimit, të cilit do t’i nënshtrohej.