E Shtunë, 31 Tetor 2026

U hap ‘lEtra’

Në kuadër të Panairit të Librit ‘Prishtina 2011’, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, u bë hapja solemne e ‘lEtra’, ku morën pjesë shkrimtarë kosovarë dhe gjermanë. Të pranishëm qenë edhe Fernando Gentilini dhe Werner Almhofer. Nga Alfred Beka më 05 qershor 2011 në ora 14:14

Shkrimtarë të ndryshëm gjermanë zbarkuan në Prishtinë. Ata patën rastin që të takohen, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, me kolegët e tyre kosovarë dhe me ta të diskutojnë për letërsinë. Kjo gjë u bë e mundur në saje të një bashkëpunimi ndërmjet Iniciativës Europiane të Kosovës, rrjetit letrar ‘Traduki’, pastaj Minstrisë së Kulturës, Pen Qendrës e Kosovës dhe Shoqatës së Botuesve të Kosovës.

Rexhep Bajrami, udhëheqës i Iniciativës Europiane të Kosovës, u shpreh me këtë rast se ‘lEtra’ është takimi ndërkombëtar i autorëve, i cili mbahet për herë të parë sivjet në kuadër të Panairit të Librit ‘Prishtina 2011’. Ai tregoi se qëllimi i këtij takimi është që të ftojnë autorë ndërkombëtarë nga e gjithë bota, Europa dhe regjioni si dhe nga vendi dhe këtyre autorëve t’u japin mundësinë që të prezantohen para publikut kosovar dhe përmes kësaj të stimulojnë leximin dhe botimin e librit.

“Sa u përket autorëve europianë kemi synuar që fillimisht t’i ftojmë ata që ose janë botuar në gjuhën shqipe ose synojnë të botohen në gjuhën shqipe, në mënyrë që edhe lexuesit këtu të ne në Kosovë dhe më gjerë ta kenë mundësinë që të njoftohen ndoshta drejtpërsëdrejti me këta autorë”, tha Bajrami.

Në emër të Ministrit të Kulturës, të pranishmit i përshëndeti, në disa gjuhë, Hajdin Abazi, zëvendësministër në këtë ministri. Ai tha se ky takim i parë i llojit ndërkombëtar i shkrimtarëve në Kosovë është një eveniment i një rëndësie të veçantë për artin dhe kulturën kosovare. “Jemi të nderuar që sot në mesin tonë kemi emra meritorë në fushën e letërsisë”, tha Abazi. Ai u a bëri të ditur të pranishmëve se letërsia e Europës Juglindore, ku bën pjesë edhe letërsia shqiptare, është pjesë e pandashme dhe e natyrshme e letërsisë europiane. Abazi shtoi se Ministria e Kulturës është e përkushtuar që t’i përkrahë dhe t’i mbështesë ndërmarrjet e tilla të shkëmbimeve kulturore, artistike dhe letrare në nivel kontinental e më gjerë.

Ndërkaq, Antje Contius, udhëheqëse e rrjetit letrar ‘Traduki’, tha se rrjeti letrar ‘Traduki’ është themeluar në vitin 2008 fillimisht me përkrahjen e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe të Ministrisë së Jashtme të Austrisë. “Më vonë na janë bashkangjitur edhe ProHelvetia, instituti Goethe, fondacioni Ernst Fischer dhe organizata të tjera. Në ndërkohë në rrjetin ‘Traduki’ janë përfshirë 13 shtete”, tha Contius. Ajo tregoi se qëllimi pse është themeluar ‘Traduki’ ka qenë të për të përkrahur përkthimet nga tri letërsitë gjermanofolëse, gjermane, austriake dhe zvicerane në gjuhët e Europës Juglindore dhe anasjelltas, mirëpo, të përkrahen edhe përkthimet midis vet gjuhëve të Europës Juglindore.

Duke folur në emër të Pen Qendrës së Kosovës, shkrimtari Basri Çapriqi, udhëheqës i Penit, tha se një festival i tillë i ka munguar shumë ambientit tonë.

“Ky koncept i këtij takimi letrar është një koncept që përputhet shumë mirë me synimet e kartës së Penit ndërkombëtar dhe të Pen Qendrës së Kosovës për të ndihmuar qarkullimin e literaturës, përkthimin e saj dhe plasimin e literaturës së regjioneve të ndryshme, përkthimin e saj dhe bërjen e këtyre vlerave si pronë e gjithë botës”, tha Çapriqi.

Më pas, u bë edhe prezantimi i revistës ‘Lichtungen’, për të cilën foli kryeredaktori i saj Markus Jaroschka. Duhet përmendur se kjo revistë në njërin prej numrave të fundit të saj ka prezantuar disa autorë shqiptarë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›