E Diel, 1 Nëntor 2026

U hiqet pagesa e vështirësisë, kërcënojmë me bojkot

22/04/2009  Rreth 160 mësues që punojnë në Malësinë e Madhe peticion krerëve të shtetit

“Nuk do të nxjerrim rezultatet përfundimtare të vitit shkollor”

SHKODER- Rreth 160 mësues shkodranë që punojnë në shkolla të ndryshme të rrethit Malësi e Madhe kërcënojnë me bojkot të nxjerrjes së rezultateve përfundimtare të vitit shkollor 2008-2009, në rast se nuk do t’u jepen të gjitha paratë që u takojnë. Në lidhje me problemin që kanë 106 mësues nga 160 shkodranë që janë gjithsej në sistemin arsimor të Malësisë së Madhe kanë firmosur një peticion që i është dërguar Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Kryetares së Kuvendit si dhe Avokatit të Popullit. Në këtë peticion të bërë publik nga sindikata e pavarur e arsimit në Malësi të Madhe sqarohet se mësuesve që shkojnë për të dhënë mësim nga Shkodra në Malësi të Madhe iu janë mohuar një pjesë e pagesave që duhet të merrnin për shkak të vështirësisë që sjell largësia e punës dhe sidomos punësimi nga njëri rreth në tjetrin. Në peticion janë nënvizuar dy kërkesa kryesore: pagesa e shpërblimit për vitin 2008 që nuk e kanë marrë akoma, si dhe pagesat e vështirësive të lëvizjes nga një rreth në tjetrin, të llogaritura si edhe më përpara sipas kilometrave. Mësuesit shkodranë që japin kontributin e tyre për edukim –arsimim në Malësi të Madhe theksojnë se nëse nuk merren parasysh këto kërkesa të ligjshme, atëherë do të lënë pa nxjerrë rezultatet përfundimtare të këtij viti shkollor. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›