U kapën me 6 kilogramë heroinë në Tiranë, transferohen në Maqedoni
TIRANE - "Ministria e Drejtësisë nuk ndjek asnjë politikë diskriminuese në trajtimin e kërkesave të shtetasve shqiptarë që vuajnë dënimin në burgjet e huaja". Fakti bëhet i ditur nga Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, në përgjigjen e tij zyrtare ndaj shqetësimit të Avokatit të Popullit për "fatin" e kërkesave për transferim të shqiptarëve që vuajnë dënim në Maqedoni dhe anasjelltas. Në përgjigjen e dërguar pak ditë më parë, ministri Nishani, bënte të ditur transferimin e dy shtetasve maqedonas të transferuar nga burgjet shqiptare në Maqedoni dhe një tjetër që është në proces. "Ministria e Drejtësisë ka trajtuar kërkesat e shtetasve maqedonas, Dashamir Sllatina, Habib Rexhepi dhe Blerim Fejzullahu, nga të cilët shtetasit Dashamir Sllatina dhe Habib Rexhepi aktualisht janë transferuar në Maqedoni, ndërsa është në proces transferimi shtetasi Blerim Fejzullahu", thuhej në korrespondencën e ministrit. Ndërkohë që për transferimin e shtetasve shqiptarë, që vuajnë dënimin në burgjet e huaja, ministri Nishani theksonte se "Ministria e Drejtësisë është në proces të analizimit të çështjeve". Sipas ministrit "ky proces përfshin analizën e parimit të reciprocitetit me shtetet e huaja, kapacitetet penitenciare aktuale të sistemit shqiptar, si dhe shqyrtimin konkret të çdo rasti të veçantë". Shqiptaro-maqedonasit Blerim Fejzullahi dhe Habib Rexhepi, nga të cilët njëri është transferuar në Maqedoni dhe tjetri është në proces, janë dënuar nga drejtësia shqiptare për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve. Gjykata për Krimet e Rënda i gjeti ata fajtorë në trafikimin e një sasie prej 6 kilogramësh lëndë narkotike e llojit heroinë nga Maqedonia në Shqipëri, me anë të një automjeti të organizatës humanitare "Kryqit të Kuq" të Maqedonisë. Arrestimi i tyre dhe sekuestrimi i sasisë narkotike u bë kur ata mbërritën në Tiranë. Në maj të vitit 2007, Gjykata për Krimet e Rënda dënoi me 12 vjet burg Habib Rexhepin dhe me 10 vjet burg Blerim Fejzullahun. Në dosjen e tyre ishte edhe një i bashkëpandehur i tretë N.S., i cili u dënua me 3 vjet burg për "moskallëzim krimi". ar.ba