Vrasja e Tan Dishës, dëshmon shoferi
Armand BajramiShoferi që ka transportuar katër prej të akuzuarve të "Bandës së Durrësit", në pritën ku është ekzekutuar me armë Dritan Disha në vitin 2000, ka dëshmuar te Krimet e Rënda dy ditë më parë, në procesin në ngarkim të Bujar Gashit. Në një seancë me dyer të mbyllura, dëshmitari E.C. ka "konfirmuar" në vija të përgjithshme dëshminë e të penduarit të "Bandës së Durrësit", Adriatik Coli, dhënë më parë, për episodin e vrasjes së Dritan Dishës. Bëhet e ditur se seanca e dëshmisë është shoqëruar me debate të ashpra mes të pandehurit Bujar Gashi dhe dëshmitarit me iniciale E.C. Burime pranë seancës bënë të ditur se dëshmitari ka pohuar se ishte faturuar si taksi nga Klodian Saliu. Shoferi i fugonit ka thënë se nuk dinte asgjë për "misionin" e pasagjerëve të tij, të cilët vranë Dritan Dishën. "Klodian Saliu më kërkoi që t'i çoja miqtë e tij në një varrim. Për këtë më dhanë 10 mijë lekë të vjetër dhe më mbushën dhe makinën me karburant", mësohet të jetë shprehur dëshmitari. Sipas dëshmisë së dhënë prej tij te Krimet e Rënda, u mësua se ai ka marrë në makinë Adriatik Colin, Endrit Taullain dhe Endrit Doklen. Po sipas dëshmitarit, te shtëpia e Met Saliut ata kanë marrë në automjet edhe Bujar Gashin. "Diku afër Spitallës djemtë zbritën nga automjeti që drejtoja unë dhe më pas u largova", mësohet të jetë shprehur dëshmitari. I penduari Coli gjatë dëshmisë së tij te "Banda e Durrësit" ka pohuar se shoferi i automjetit, të cilin e thërrisnin "Cupja", i kishte parë armët e tyre, ndërsa vetë dëshmitari është shprehur dy ditë më parë në gjyq, se "Coli kishte një çantë sportive. Nuk e di se çfarë kishte brenda saj". Dëshmia e "të penduarit"Gjatë dëshmisë së tij "maratonë" te Krimet e Rënda, në procesin e të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit", i penduari Adriatik Coli ka "servirur" në gjykatë ngjarjen e ekzekutimit të Dritan Dishës. Sipas të penduarit, vrasja e Dishës kishte si zanafillë vrasjen e Mehmet Saliut në korrik të vitit 2000. Sipas Colit, duke dyshuar se Mehmet Saliu ishte vrarë nga Erjon Lame "banda" vuri në "shënjestër" Tan Dishën, pasi ai shoqërohej me Lamen. "Ai i tha që personi që e thërrisnin 'Cupe', që kishte një fugon ngjyrë të bardhë me targa Durrësi, që punonte si taksi në linjë Spitallë-Durrës. Klodi i tha 'Cupes' që do marrësh këta çunat dhe do t'i dërgosh deri në Shënvlash. Ai pranoi. Unë me Indritin e vogël morëm secili nga një kallash te shtëpia e Klodit, i pastruam dhe i morëm me vete në fugon. U nisëm me fugon unë, dy Indritë, Bujar Gashi dhe si shofer Cupja që i pa armët. Të armatosur ishim unë me Indritin e Vogël me kallash dhe Indriati i madh me pistoletë. Shkuam në Shënavlash te shtëpia e vëllait të Mehmetit. Aty pritëm sa u errësua pak. Aty priti dhe 'Cupja'. Pasi u errësua Bujari kishte lënë një djalë, për ta ruajtur te lagja e Tan Dishës, se kur do të dilte Tani për në Durrës. Unë nuk e dija se kur ishte ky djali. Dolëm me makinën e Cupes dhe zbritëm poshtë. Cupja iku. Unë me Indrit Doklen dolëm dhe zumë pritë rreth 300 - 400 metra larg shtëpisë së Tan Dishës, kurse Indrit Taullai me Bujar Gashin shkuan 500 metra para nesh në drejtim të rrugës që vinte nga Durrësi, që të na lajmëronin neve që Tani po vinte", është shprehur Coli për ngjarjen gjatë deklarimeve të tij.Anëtari i bandës së Durrësit, ankim për paraburgiminTIRANE - Selman Heti, një nga të pandehurit e bandës së Durrësit, është ankuar në gjykatë për pezullimin e afateve të paraburgimit, duke pretenduar se ka marrë pjesë në të gjitha seancat gjyqësore, ndërsa afatet e paraburgimit i janë pezulluar njëlloj si të bashkëpandehurve me të. Kërkesa e tij është paraqitur pak kohë më parë në sekretarinë e gjykatës dhe pas hedhjes së shortit pritet që të shqyrtohet nga gjyqtari që do të caktohet për gjykimin e saj. Që nga momenti i fillimit të procesit gjyqësor, të pandehurve të bandës së Durrësit u janë pezulluar afatet e paraburgimit disa herë, për shkak të zvarritjes së procesit nga mbrojtësit dhe disa prej të pandehurve. Duke pretenduar mosdëgjimin e dëshmive të të penduarit Adriatik Coli, të pandehurit e këtij procesi dhe avokatët e tyre shpeshherë kanë braktisur procesin, ndërsa gjykata është detyruar të mbyllë seancat gjyqësore duke pezulluar afatet e paraburgimit për të akuzuarit. Ndryshe nga të pandehurit e tjerë, Heti pretendon se ka marrë pjesë në të gjitha seancat gjyqësore dhe se, sipas tij, pezullimi i afateve të paraburgimit ishte masë ndëshkimore e pamerituar. f.m.