E Diel, 1 Nëntor 2026

Sesilia Plasari - Kur interpretoja me Belmondon

 andeta  jupiZhytur nën jakën e madhe të palltos së zezë, ulur në një nga sallat e provave të teatrit të Metropolit, përpara kompjuterin portabël, Sesilia Plasari, duket sikur i mban enkas qepallat e syve pak të ulur, si për të mbetur e kufizuar brenda botës së saj, e pacenuar nga mjedisi rretherrotull.  Të mos ishte në mes roli që po përgatit, ajo nuk do ta kish thyer paktin me veten për të mos i vlerësuar ftesat që i bëjnë rëndom për tu shfaqur në media. “Fundja pse?! Të dëgjohem vetëm pse u riktheva?”, shpjegon. Pas çdo fjale që e artikulon gati mundimshëm, ngase edhe atyre çaste duket e lëkundur nëse duhet të flasë apo jo, bindesh edhe më, se ajo, i përket një dhome të sajën. është një botë librash në fakt dhe nuk ka dëshirë të dalë prej saj. Sepse, në të vërtetë, më mirë se kudo, ndihet në periferi të zhurmës së qytetit, që do të thotë, mrekullisht mirë, në shtëpinë e saj, atje në Paris. Jashtë këtyre kornizave, Alma e famshme e komedisë “Edhe kështu edhe ashtu”, e sheh të vështirë të dalë. Sidoqoftë, petkat e rolit me të cilin është veshur momentalisht, për shfaqen e parë të pas shumë vitesh në Shqipëri, e “detyruan” që t’i shembë muret e heshtjes së gjatë. Dhe flet për gazetën “Panorama”. E biseda më të, natyrshëm, fillon pikërisht me rolin që po përgatit... që është njëkohësisht roli i parë që e rikthen në Shqipëri qysh prej largimit të saj të shumë kohëve më parë...- ç’është ky personazh?është një vejushë, e cila ka pasur në jetë shumë fatkeqësi në të kaluarën - «ka varrosur fëmijët dhe damllosur burrin» - thotë autori, dhe që ka në fshatin irlandez ku ndodhin ngjarjet një status të dyfishtë, prej krimineleje dhe heroine. I tremben, e përbuzin, e nderojnë, por nuk le njeri indiferent. Nuk është rol kryesor, dhe nuk zë shumë vend në vepër, ndonëse unë, si e dashuruar që jam me të, mund ta përshkruaja gjerë e gjatë. Por më mirë të flas pak, e të mundohem ti jap ato që mund të thosha nëpërmjet rolit… Po... si aktore është rikthimi parë që pas largimit nga Shqipëria. Ama jo projekti i parë. Sepse ju bashkëpunuat me tarin e Korçës “Andon zako çajupi”...Ishte një komedi franceze, që titullohet “Nina” të cilën e vura në skenën e Korçës.  Me ta mbaruar, mendova se ish koha të kthehesha në shtëpinë time në Paris. Dhe as që më shkonte ndër mend se do t’i kthehesha aktrimit. Por regjisori Kiço Londo, për të cilin e përktheva pjesën irlandeze të Syngut, më propozoi të luaja njërin nga rolet. E pranova, ngaqë e kam shumë për zemër këtë pjesë. Kjo do të më mbajë këtu të paktën deri në fund të marsit.-A mund të bëni një përshkrim të shkurtër të bashkëpunimeve me Shqipërinë që nga koha e largimit tuaj prej këndej?Që prej viti 1991, kur u largova, nuk kisha punuar më asnjëherë në Shqipëri. Vija shpesh, çdo vit, e madje kur mundja, edhe disa herë në vit, se jam shumë e lidhur me familjen, por vetëm si vizitore. Viti 2009  do më sillte, për here të parë pas kaq kohësh, për arsye profesionale. Roli është vetëm fundi i një odiseje një vjeçare. E fillova vitin 2009 duke përkthyer në shqip, me kërkesë të Teatrit të Metropolit, librin «Hapsira boshe» të regjisorit dhe teoricienit të famshëm Piter Brook. Pastaj erdha në Shqipëri dhe u angazhova si pedagoge për vënien në skenë të një shfaqjeje me studentët e vitit të tretë të degës së teatrit në Akademinë e Arteve, e ftuar nga ky institucion si dhe nga programi «Brain gain» i cili, nën patronazhin e Kryeministrisë,  iu krijon mundësinë personave që kanë bërë studime dhe eksperienca të frytshme në vendet perëndimore, të mund të vijnë e të kontribuojnë edhe në atdhe. Edhe kësaj here vura në skenë një vepër që e kisha përkthyer vetë. Përfitova nga qenia këtu për të marrë pjesë si recituese (pasioni im i vjetër!) në aktivitetin që u organizua për 100-vjetorin e poetit grek Janis Ricos, dhe pastaj kalova dy muaj aktivë në Paris, duke përkthyer nga anglo-irlandishtja, përsëri me kërkesë të teatrin e Metropolit, një vepër tepër të vështirë, të autorit John Milington Synge, me titull «The Playboy of The Western World» që ne, deri tani, e kemi quajtur «Heroi i trojeve tona». Më pas erdha në Shqipëri, ku u mbylla për një periudhë të caktuar diku jashtë Tirane dhe përktheva një komedi franceze të titulluar «Nina». Eshtë pikërisht pjesa që e vura në skenën e Teatrit Andon Zako çajupi të Korçës. -Le të kthehemi prapa në kohë: Cili ka qenë roli i fundit këtu... e kam fjalën para se të zgjidhnit Parisin në vend të Tiranës?Unë kur mbarova Institutin e lartë të Arteve, të atëhershëm – alias Akademia e Arteve sot, u emërova pedagoge në atë Institut, gjë që ish për mua një nder i madh, se në atë kohë nuk punësohej kollaj kushdo në një punë të tillë, duhej ta justifikoje e ta meritoje. Ishte gjithashtu një privilegj i madh, se në atë kohë të emëronte shteti, dhe ai mund të të çonte në ndonjë vatër kulture në zona të humbura e të vështira. Por ama ishte për mua edhe një dëshpërim i madh, e kam larë me lot atë emërim gjatë gjithë verës, ndonëse  nga pikëpamja pragmatike duhej të festoja: u shemb një ëndërr fëmijërie e rinie. Unë kisha ëndërruar që fëmijë të bëhesha aktore, dhe jo profesoreshë. Të shkoja në një teatër, dhe jo t’u jepja të tjerëve, atyre që do luanin në skenë më pas, frytet që kisha mbledhur duke kujtuar se do më duheshin për lojën time… Por një pasion zëvendëson një tjetër, dhe sa kohë ishte teatri në mes, unë fillova ta bëja mësimdhënien me po aq dashuri sa do kisha bërë aktrimin. Punova tre vjet në mësimdhënie, dhe u largova. Pra unë nuk kam luajtur shumë, pas shkollës. I vetmi rol në film është Alma, tek «Edhe kështu edhe ashtu», pastaj u largova.     -Por... pse morët vendimin të ikni? Më dukej sikur kisha mësuar gjithçka që mund të mësohej në Shqipëri, vetë, apo prej njerëzve që më rrethonin. Kisha nevojë, dëshirë, etje, të dilja, të shihja se ç’bëhej gjetiu. Të provoja tjetër gjë, gjithnjë në lidhje me teatrin. Më dukej sikur ajo çka dija nuk ishte mjaft dhe doja, në se do bëja pedagogen gjithë jetën, të mundohesha t’u jepja më të mirën e mundshme studentëve të mi. Por mendoja se mund edhe të provoja të luaja në Francë, të çoja diçka që ish vetëm e imja, diçka shqiptare, që ndoshta nuk gjendej kollaj atje. Të punoja e të mësoja nga regjisorë të atjeshëm. Doja të kultivohesha, të njihja gjithë ç’nuk kishim asnjë shans ta njihnim ne asokohe, autorë të tjerë, të ndryshëm, të ndaluar, të papërkthyer. Doja të shihja shfaqje teatri, të perfeksionoja gjuhën, të përktheja, të mësoja mizanskenën… doja të bëja gjithë ato që bëra, në fakt.-Ju ishit shndërruar sakaq në një personazh publik, u bëtë e njohur, u komentuat pozitivisht për talentin… nuk mjaftonin këto për të vijuar profesionin aty ku e kishit nisur?Nuk ishte e vështirë të ishe e njohur nga publiku asokohe, me atë Tiranë aq të vogël. Mua personazh publik nuk më bëri ai të cilit i kam kushtuar gjithë jetën që në moshën 7 vjeç deri tani, dhe që nuk e kam harruar në asnjë ditë të jetës sime, preokupimi qendror i jetës sime : teatri. Personazh publik më ka bërë Pallati i Pionierëve, konkurset e recituesve në televizion, fjala poetike etj. Si dhe më pas filmi i Bujar Kapexhiut (jo se bëja unë ndonjë gjë aq të lavdërueshme në atë film, por se ai ndodhi të ish i mirë dhe i dashur për publikun). Unë mund të kisha ndenjur në Shqipëri duke mos bërë asnjë rol, asgjë, përveç punës si pedagoge, sepse as vetë nuk e dija a kisha vlerë apo jo, dhe se ç’isha në gjendje të bëja. Unë kisha vetëm dëshira, por atëherë nuk dinim të sipërmerrnim projekte, nuk i kishim njohuritë dhe besimin e duhur për t’i bërë gjërat vetë, as mundësinë. Unë mund të mos isha në shijen e personave nga të cilët varej të qenit apo jo aktiv në profesion. Unë e ndjeja se duhej të ikja patjetër, nuk e di se si do kish qenë jeta ime po të mos kisha ikur por një gjë është e sigurt, përderisa asnjë sekondë e ikur nuk më ka shkuar dëm, përderisa e adhuroj jetën time të këtyre viteve, e quaj fat, fat të madh, them se kam bërë shumë mirë që kam ikur dhe që sidoqoftë, kam bërë siç nuk mund të bëja ndryshe.  -Pavarësisht angazhimeve të tjera profesionale, ju për publikun ishit aktorja. Dhe dua të qëndrojmë këtu: Cili ka qenë roli juaj i parë?Siç e thashë edhe më parë, periudhën më aktive në Shqipëri e kam kaluar në fëmijëri, ku, duke qenë se merrja pjesë në rrethin e recituesve dhe të teatrit në Pallatin e Pionierëve, luaja në shfaqje të ndryshme të estradës apo teatrit të fëmijëve si dhe në teatrin e kukullave. Fillimet i kam pasur atëherë dhe kam qenë si një fëmijë-star, shumë e njohur, sidomos pas një roli të vitit të ri të festuar me Enver Hoxhën, në Pallatin e Brigadave. Kam luajtur plot role në atë kohë e nuk e mbaj mend se kush është i pari.-Por me siguri mbani mend rolin më të suksesshëm...Ju ngulmoni të gjeni tek unë një aktore.... Më vjen mua të parës keq që s’u a jap dot këtë kënaqësi, sepse kjo ka qenë ëndrra ime, që unë nuk e realizova dot, unë nuk ndërtova dot një karrierë aktoreje. Por nuk jam fare pishman, sepse do thosha, ngaqë nuk e realizova dot, unë e tejkalova atë ëndërr duke u marrë me shumë më tepër aspekte të teatrit se sa me aktrimin.  Unë jam edhe aktore, meqë kam luajtur në fëmijëri, në gjimnaz, në Akademi si studente, diçka edhe pasi mbarova studimet, po ashtu edhe në Francë ku kam bërë nja dhjetë role, disa madje shumë të bukur (dhe atje një rol luhet gjatë, më ka ndodhur ta luaj një, çdo ditë, për dy vjet rresht). Por unë jam më tepër një njeri i teatrit sesa aktore. Nuk kam drojën ta them se, dashuria që kam për teatrin më ka bërë të jem, ndoshta, në Shqipëri, një nga njerëzit që e njohin më mirë teatrin, në të gjitha prizmat e sektorët: dramaturgjinë, regjisurën, pedagogjinë, teorinë, praktikën, historinë e teatrit, kritikën, etj. Kjo jo vetëm se, pasi e fillova rrugën e skenës në moshë shumë të njomë, bëra nëntë vjet studime universitare vetëm për teatër, nga të cilat katër në Shqipëri dhe pesë në Francë, një vit pasuniversitar në shkollën e famshme Floran si dhe katër në Sorbonë, por edhe se unë marrëdhënien time me teatrin e kam jetuar si vokacion, si një dedikim, si përkushtim total, e jo si një profesion. Atëherë... cila jeni ju në Francë?Në Francë, kam qenë dhe jam kureshtare për gjithçka, lexoj, përkthej, shoh shfaqje, luaj kur kam angazhime, ndjek konferenca, debate e diskutime  për teatrin. Shkruaj ndonjëherë ndonjë shkrim në gazeta apo revista teatri. Krahas përkthimeve të shumta të veprave dramatike, kam shkruar një dramë, e cila është pëlqyer e vlerësuar shumë në rrethet e Sorbonës,  kam punuar, në të shumtën e kohës si asistent regjisore sepse më intereson shumë regjisura, dhe jam munduar të njoh sektorë nga më të ndryshëm të teatrit: angazhimet e mija janë në teatrin publik, në teatrin privat, me regjisorë nga më të thjeshtët, që sapo kanë mbaruar studimet, e deri tek disa që janë mite botërore si Armand Gatti, apo shumë të famshëm si Bernard Muart, i cili punon vetëm me aktorë të kalibrit shumë të lartë. Përvoja 7-vjeçare si asistente por ndonjëherë edhe si aktore e këtij mjeshtri të madh që punon vetëm me aktorë shumë të mëdhenj si Zhan-Pol Belmondo, Alen Delon, e dhjetëra e dhjetëra të tjerë, më ka vlejtur shumë. Ju pyesnit për sukses, kjo varet, unë mund të quaj si shumë të dashur rolin e Mbretëreshës së Zanave, në një pjesë të Floberit, në të cilën regjisori më kish kërkuar t’i përktheja gjysmën e tekstit në shqip, që zana të fliste një gjuhë të panjohur! Zanash! Shqip! Kurse nga ana e «prestigjit» alla shqiptarçe, normalisht një rol i vogël aktoreje që kam luajtur krahas aktorit Zhan Pol Belmondo duhet të më jepte më shumë krenari. Isha edhe asistente regjisore në atë pjesë. Të dalësh në skenë me Belmondon që të mban për qafe, në daljen e parë në publik të personazhit të tij, që pritej me padurim çdo natë, për rreth tridhjetë minuta,  dhe të shohësh se çfarë triumfi i bën publiku kur e shikon, nga dashuria dhe adhurimi, ky është një emocion që nuk harrohet kollaj.-Mesa duket një zgjidhje e mirë Franca. Ju paska dhuruar emocione të mëdha...Në Francë kam jetuar gjithçka: duke filluar që tek të mos pasurit asgjë për të ngrënë për tre ditë rresht, gjë që më ka ndodhur në fillimet e mia atje, e deri tek banketet me shampanjë si lumë, nëpër pritjet prestigjioze që i bëheshin trupave ku punoja nga burra shteti, sipërmarrës të mëdhenj, nëpër turne në shumë vende të botës. Kam njohur nga afër e kam punuar me artistë shumë të mëdhenj francezë, si dhe me regjisorë të rinj, të sapo dalë nga shkolla, me talente e ambicie shumë të mëdha, që, si edhe unë dikur, mezi ja dilnin për të jetuar, por që kishin zgjedhur teatrin për atë dhe nuk e vrisnin mendjen për tjetër gjë. -Parisi është gjithnjë nxitës i kureshtjes... më në detaje, si është jeta juaj atje? Jeta në Paris? Në Paris mund të gjesh jashtë atë që ke brenda. Po të jesh brenda shpirtit në ferr, Parisi është një ferr, por ju siguroj: një ferr Parisian, më i bukur se kudo. Por po të kesh parajsën në shpirt, atë e gjen edhe jashtë. është një vend magjik për ata që dinë ta jetojnë. E them këtë se Parisi edhe mund të të mbysë, të të groposë, të ta marrë frymën. Unë jo gjithmonë kam ditur të jetoj në Paris. Por kam dashur me shpirt të matem me të. Kur bën paqe me Parisin, them se e ke bërë me gjithë botën. çuditërisht, kur ndjeva më në fund se isha e lumtur në Paris, ndjeva gjithashtu se mund të jetoja shumë mirë, e lumtur, kudo që të më çonte fati, edhe në Shqipëri përshembull.-Kjo do te thotë se pas kësaj ju mund të zhvilloni një jetë mes Tiranës dhe Parisit?Kam dëshirë të kem një apartament në Tiranë përveç atij që kam në Paris, dhe të lëviz midis këtyre dy oazeve, sipas nevojave dhe shanseve të punës. Shqipëria është oazi im i dashurisë, i miqësisë, i komunikimit, i shkarkimit të energjive dhe afeksioneve. Parisi është vendi ku gdhihem dhe ngrysem duke mësuar gjëra të reja, duke zgjeruar horizontin, duke u frymëzuar, duke shijuar kënaqësi estetike të rralla. -E sigurisht... nuk mund të shmanget kjo pyetje: cila është jeta juaj private? Cili është bashkëshorti juaj... si jeni njohur...Jemi njohur nga një mik i përbashkët të cilët dëshironin të realizonin një dokumentar për Shqipërinë, produksionin e të cilit do ta bënte Kristiani. Unë do bëja disa përkthime për skenarin e filmit. Jemi martuar para pesëmbëdhjetë vjetësh, por nuk e morëm shumë seriozisht, sepse ishim që të dy njerëz që e shihnim martesën me frikë e me dyshim. Unë nuk isha gati të krijoja një familje, të kisha fëmijë, doja të ndjehesha e mbrojtur në një vend të huaj, dhe Kristiani donte të më mbronte, kaq. Ai e ka bërë këtë shumë mirë, brenda mundësive. Nuk e dija atëherë se edhe unë do ta mbroja. Nga vetmia e një bote që s’para krijon marrëdhënie të forta, të vërteta. Nga mungesa e afeksionit, indiferenca, vetmia që mund ta rrezikonin një njeri aq të pavarur sa ai. Nga angazhimet, që ai dhe unë nuk i kemi shumë për zemër. Ne jemi shpirtra shumë të lirë, duam, secili, të bëjmë në çdo çast atë që kemi pasion e profesion, kuptohet, pa i prishur punë tjetrit. Dhe meqë jemi njësoj në këtë pikë, kuptohemi shumë mirë. Në rrezik e në nevojë, ne kemi qenë e jemi gjithnjë pranë njeri- tjetrit.-Asnjë problem distancat që krijohen për shkak te udhëtimeve?Ne nuk e kemi të nevojshme të jetojmë gjithë kohës së bashku në të njëjtin vend. Të gjithë njerëzit që merren me profesione të ngjashme përballen me këtë lloj jete. Jemi mësuar. Madje edhe në shtëpi, shpesh secili është në botën e vet. Jemi natyra që kemi nevojë për heshtje, për vetmi, për t’u mbyllur në vetvete. Themi nganjëherë se jemi martuar për të mos qenë vetëm, gjithë duke ruajtur privatësinë dhe vetminë. Kristiani udhëton shumë për punën që ka. Edhe unë kam pasur shpesh turne apo punë jashtë Parisit. Vite pune kur jetoja gjetiu dhe vija në shtëpi disa ditë çdo dy javë. Në apartament secili nga ne ka hapësirën e vet të punës. Nuk jemi një çift klasik. Na duket vetja gjithmonë si adoleshentë. Por ne bisedojmë shumë më tepër se shumë çifte klasike, me siguri. Përshembull, në telefon flasim disa here në ditë, një orë në ditë të paktën, por ka ditë kur kjo mund të zgjasë tre katër orë, apo edhe tërë natën. (është fat që në Francë telefonin me Shqipërinë e kemi gratis). Gjatë kohës që kam qenë në Shqipëri ai ka ardhur disa here për të më parë, po ashtu edhe unë. Ne jemi shokë, në fakt. Mund të jetojmë veç e veç, por nuk e përfytyrojmë dot jetën pa vendin e shtrenjtë të tjetrit. Një vend që nuk na e jep martesa por që e kemi fituar që të dy në jetën e tjetrit e që nuk do e humbnim edhe sikur të mos ishim më të martuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›