E Shtunë, 31 Tetor 2026

U lodhëm me urrejtje

Po bëhet tashmë e famshme shprehja e Berluskonit, pas agresionit të një të marri në Milano: “Pse kaq shumë urrejtje?”. Dhe si përgjigje, pa fjalë, pa demonstrime të dukshme dhe populiste, në rrugën më civile dhe demokratike erdhi mbështetja e opinionit publik. Mbas sulmit, në sondazhin e bërë publik më 13 dhjetor, konstatohet rritje e besimit dhe mbështetjes për të, e forcën politike që përfaqëson. Kështu, nga 44 ka arritur në 48%, kjo përqindje vetëm në dy javë kohë. Kjo rritje popullariteti është shoqëruar edhe me një rënie të mbështetjes për forcat e majta që artikuluan gjuhë shumë agresive ndaj “kavalierit”. Nuk ka formë më civile e të thënit “Jo” dhunës verbale dhe fizike. Pas informimit të ministrit të Brendshëm, Roberto Maroni, mbi agresionin e shefit të ekzekutivit, shpërthyen tone tepër të ashpra, arrogante, me fajësime të ndërsjella midis forcave politike brenda Parlamentit italian. Dhe menjëherë erdhi thirrja në dhomën e deputetëve, e presidentit Xhorxho Napolitano, për të matur fjalët në politikë. Vërtet agresori i Silvio Berluskonit ishte një i sëmurë psikik prej dhjetë vitesh, por sëmundja që çoi në agresionin në Piazza D'Uomo të Milanos, ishte kolektive dhe shumë e përhapur. Në atë histeri, ai gjest konsiderohet unik, apo pjesë e një mode të përhapur në Itali, prej të paktën dy vjetësh? Agresori Tartaglia, - thotë i ati, - nuk është përfshirë kurrë në problemet politike. Mbase klima që e rrethonte në ato momente, ishte e mbushur me urrejtje politike, e dominuar nga një re mbytëse dhe helmuese ideologjie, që mund të shtynte këdo të merrte një armë dhe ta përdorte. Të dy kampet sulmojnë njëra-tjetrën. Antonio Di Pietro dhe Rosy Bindi akuzojnë Berluskonin për krijimin e një klime urrejtje. Ndërsa, sipas kundërshtarëve, këto deklarata duhen lexuar përmbys. Janë armiqtë e Berluskonit, që kanë krijuar këtë klimë urrejtje në të gjitha frontet, me fitoren në zgjedhjet e vitit 2008, prej tij. E përkthyer ndryshe dhe duke bërë një paralelizëm me atë çka po ndodh në vendin tonë, italianët kanë artikuluar një nga mënyrat e të bërit opozitë. Ata kanë zgjedhur pushtetin e katërt, median ku akuzohet një network i kompozuar nga grupe editorialiste të gazetave “Republica”, “Espresso”, emisione televizive si p.sh., “Anno Zero” i gazetarit Mikele Santoro. Në të, është përfshirë një pjesë e drejtësisë, pikërisht ajo e prokurorëve me në krye ish-in Antonio di Pietro. Kjo luftë është shndërruar në një mjet fitimi për të majtët, jo vetëm politikisht, por edhe një biznes fitimprurës për gazetarët, komikët, editorët, shkrimtarët, librashitësit. Librat më të shitur në Itali janë ata që godasin kreun e ekzekutivit, apo DVD-të me figurën e tij. “Berluskoni?- Do të më pëlqente të mos merresha më me të, por është e pashmangshme”, - thotë Enrico Deaglio i së përjavshmes “Diario”. Mund të ndjekësh edhe tituj të tillë “Si të bësh lekë duke luftuar Berluskonin” (revista "Panorama", Itali). Për të majtët figura e Kryeministrit të tyre është shndërruar në (nemico amattissimo) "armikun e dashur”, apo (il miglior nemico) “armiku më i mirë”, ku mund të nxjerrin përfitime, edhe ekonomike. Mbase në këtë periudhë krize financiare, të bësh gjithçka për biznes, apo ta shndërrosh në biznes, mund të duket normale. Me të gjithë pakënaqësitë, qoftë edhe gjuhën shumë arrogante, të artikuluar ndaj figurës së Berluskonit, askush nuk e çon nëpër mend të largohet nga Parlamenti. E gjithë politika momentalisht sado me diversitet mendimesh, po luhet brenda atij institucioni, përcaktuar nga demokracia, si fushëbeteja, ku zhvillohet lufta politike. Agresionet personale dhe ngjallja e urrejtjes nuk prodhon asgjë tjetër, veçse dhunë. Rritja e reputacionit të personit në fjalë tregoi, që kjo formë politike është absolutisht e papranueshme. “Mocionet” duhet të ndahen dhe dallohen nga emocionet. Vërtet shpesh përjetohet emocionalisht humbja, por nuk mund të ndodhë kështu në politikë. Populizmi nuk mund të mendojë që një shok emotiv të centrifugojë të gjithë; të drejtën, kushtetueshmërinë dhe detyrat e opozitës. Vendit, sidomos në momente konfuzioni, i shërbehet duke kryer gjithkush detyrën e tij dhe duke luajtur rolin që i është caktuar, apo e ka fituar. Sot, në Evropë dhe kudo, po fitojnë ato forca politike, që japin alternativa të qarta dhe produkte konkrete. Silvio Berluskoni iu ofroi italianëve stabilitet në momente tronditjeje, siç ishte rasti i tërmetit në Abruzzo (Aquila). Qeveria e tij ngriti shtëpitë e rrënuara nga tërmeti brenda shumë pak muajsh. Ndërsa kundërshtarët nuk bënë asgjë në të njëjtat kushte. Në ato zona jetohet ende nëpër çadra. Por, aktualisht cilat janë alternativat e opozitës shqiptare? Qëndrimi në rrugë nuk është alternativa e duhur për sa kohë kundërshtari yt jep alternativën e rrugës, por të konstruktuar. Ti jep destabilitetin, ai jep alternativën e Evropës, ti jep manifestime (errësirë, kaos) ai jep alternativën e një superfuqie, që të prodhojë dritë. Akoma opozita nuk po kupton domosdoshmëritë dhe nevojat e vendit. Akoma nuk arrin të përkthejë ekzigjencat e elektoratit të vet. Nocionet bazë të demokracisë, të hedhura nga forcat progresiste të majta, në Francë gjatë revolucionit të 1789-ës, “Liri, barazi, vëllazërim”, sot në prag të vitit 2010 përkthehen barazi, solidaritet me Evropën. Shembulli i Italisë, pikërisht ai i Berluskonit tregon qartazi, që nuk është alternativë goditja e vazhdueshme e njëshit të qeverisë. Duke sulmuar personalisht, figurën drejtuese të një force, aq më tepër fituese, askush nuk ka fituar pikë, por i ka humbur ato. Berisha fitoi, kur Nano të gjithë fushatën e vitit 2005, e ngriti mbi një urrejtje ndaj figurës së tij. Edhe Rama nuk ka shanse kur thotë “ik Berisha”, por vetëm në qoftë se do të arrijë të qartësojë alternativa konkrete dhe vizionare, qofshin këto edhe diametralisht të kundërta (dhe natyrshëm që kështu do të jenë). Në një debat, të transmetuar në një nga kanalet televizive midis dy senatorëve kundërshtarë amerikanë, atij demokrat, Santos dhe atij republikan, Vinik, sigurisht alternativat ishin krejt të kundërta. Për probleme thelbësore, si armatimi, kriza financiare, ngrohja globale, lufta për naftën, ata paraqisnin vizionet e tyre. Ajo që evidentohej në këtë përballje ishte gjuha tejet civile, si dhe konvergimi në një emërues të përbashkët. Në fund të debatit, republikani Vinik u shpreh se të dy donin të mirën e vendit, por kishin ide të ndryshme. Kjo është gjuha, ku kundërshtarët, jo vetëm pranojnë njëri-tjetrin, por edhe shtrijnë dorën për bashkëpunim, kur flitet për një të mirë të përbashkët. Kryetari aktual i parlamentit italian, Gianfranco Fini, e shpreh ndryshe të njëjtin koncept: “Eksperiencat na kanë mësuar të gjithëve, që nëse duam reforma të përbashkëta, në mënyrë që të kemi një bazë solide dhe kredibiliteti të institucioneve për të ardhmen, nuk duhet të lodhemi së kërkuari konfrontimin, por evidentimin pozitiv të asaj çka na bashkon, duke vënë mënjanë, ose në plan të dytë, atë që na ndan”. Diversiteti nuk mund të jetë regres, por duhet parë si progres. Prandaj sot konsiderohet e domosdoshme maturimi i gjuhës politike. Me “deklarata politike” nuk mund të thuash gjithçka dhe në çfarëdolloj forme. Politika nuk është Olimp, ku të rrinë të veçuar politikanët, nga hallet e qytetarëve të tij. Politikani, që në kohën e grekëve (rrjedh si shprehje nga “poliset” (qytetet) greke) është ai që zgjidh hallet e qytetarëve, jo ai që i shkakton ato.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›