E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet në rekord, tejmbushjen hidrocentralet

Prurjet në kaskadën e Drinit kanë kapur një shifër rekord. Ministria e Ekonomisë bëri me dije se hidrocentralet janë tejmbushur, ndërsa puna ka vijuar me kapacitet të plotë për prodhimin e energjisë. Shifrat zyrtare flasim për prurje në masën 1350 m3/s, një sasi që nuk ishte parë prej vitesh. Ministria e Ekonomisë ka vijuar me zbatimin e rregullores për shkarkimin e digave, të cilat janë plot, ndërsa strukturat e tjera po ndjekin nga afër të gjithë situatën. Hidrovorët në të gjithë vendin janë vendosur në punë për shkarkimin e ujërave, ndërsa bordet e tyre, por ndjekin situatën hap pas hapi për të shmangur çdo përmbytje. Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në një konferencë për shtyp, dje, deklaroi se ka nisur shkarkimi i digave në mënyrë që të shmangen përmbytjet. Prifti tha më tej se do të ndërpritet edhe importi i energjisë nga jashtë.
Situata
Prurjet e ujërave ne kaskadën e Drinit kanë pësuar rritje të jashtëzakonshme gjatë gjithë natës së datës 26 dhjetor, duke vazhduar ditën e datës 27, për shkak të shirave të vazhdueshme dhe shkrirjes së dëborës në zonat malore. Të dhënat e fundit tregojnë se niveli në HEC-in e Komanit ka arritur në 174.50 m (niveli maksimal 175 m), ndërkohë që prurjet në liqen janë 1220m3/s; në HEC Vau Dejës niveli ka arritur në 75.40 m (niveli maksimal 76m) dhe prurjet anësore 150 m3/s. Të dy hidrocentralet punojnë në kapacitet të plotë, Komani me 4 agregate dhe Vau i Dejës me 5 agregate. Situata është vështirësuar edhe në HEC Fierzë, në të cilin niveli ka arritur në 289.34 m (niveli i lejuar 290 m për këtë muaj) dhe prurjet 1350 m3/s, ndërkohë që HEC Fierzë është në gatishmëri të plotë për prodhim. Për shkak të rritjes së nivelit pranë kufijve të lejuar dhe shmangien e katastrofave, në përputhje me rregulloren mbi shkarkimin e plotave, në mëngjesin e datës 27.12.2009 në orën 9:10, janë hapur portat e shkarkimit në HEC Koman dhe më pas, në orën 11:20 janë hapur dhe portat e shkarkimit ne HEC Vau i Dejës, prej të cilave po shkarkohen rreth 400m3/s. Për shkak të rritjes së nivelit në HEC Fierzë, gjatë orëve të ardhshme do të duhet të vihen në funksionim agregatet e tjerë në këtë hidrocentral duke marrë kapacitetin e plotë prej tij. Një situatë e ngjashme është krijuar dhe në kaskadën e Matit e cila po prodhon me kapacitet të plotë dhe njëkohësisht po shkarkohen rreth 250m3/s për të ruajtur nivelet e liqeneve brenda kufijve të lejuar të sigurisë. Në këto kushte, megjithëse shkarkimi i ujërave të tepërt është duke u kryer në mënyrën më graduale të mundshme, duke përdorur në maksimum prodhimin vendas, ngritja e temperaturave, reshjet e shumta në rajon, parashikimi për vazhdim të tyre në ditët e ardhshme dhe futja në punë e HEC Fierzë, mund të sjellin rritje të konsiderueshme të derdhjeve në pjesën fundore të kaskadës së Drinit. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, së bashku me të gjitha institucionet e varësisë, KESH e OST janë duke ndjekur në vazhdimësi 24-orëshe dhe menaxhuar situatën nëpërmjet grupeve të punës të ngritura për këtë qëllim me urdhër të posaçëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe organet e pushtetit vendor. Gjithashtu, janë marrë masa për koordinimin me OSSH-në për uljen e importit të energjisë e cila do të kompensohet nga prodhimi vendas. Për përballimin e situatës janë njoftuar kabineti i Kryeministrit, Ministria e Brendshme, Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, organet e pushtetit vendor për marrjen e masave nëse situata do sjellë fryrje të mëtejshme të lumit Drin, gjë që mund të sjellë edhe dalje të Drinit nga shtrati. Grupi i emergjencës do të informojë në vazhdimësi mbi ecurinë e gjendjes.

Reshjet e dendura, Berisha garanton masat

Kryeministri Sali Berisha po ndjek nga afër situatën pas reshjeve të rënduara në veri të vendit. Në një njoftim zyrtar të Kryeministrisë, thuhet se Kryeministri Berisha ka urdhëruar ministrat që të dërgojnë drejt zonave të rrezikuara emergjencat civile. “Kryeministri Berisha po ndjek vazhdimisht situatën, si me ministrinë e linjës, ashtu edhe me autoritetet vendore. Deri tani nuk ka përmbytje. Kryeministri ka urdhëruar ministrin e Brendshëm që të dërgojë drejt zonave të rrezikuara emergjencën civile, si dhe ministrin e Mbrojtjes për dërgimin në këto zona të reparteve të Xhenios”, - thuhet në njoftim zyrtar. Sipas këtij njoftimi, Berisha ka kërkuar që të evakuohen banorët në rast nevoje. “Kryeministri ka kërkuar hartimin e evakuimit të banorëve në rast nevoje. Situata është nën vëzhgim të pandërprerë dhe në kontroll të plotë”, - thuhet më tej. Reshjet e mëdha të ditëve të fundit kanë sjellë rritje shumë të madhe dhe të shpejtë të nivelit të ujit në digat e kaskadës së Drinit, por edhe të Matit. Kështu, sot gjatë ditës, prurjet më kaskadën e Drinit po shkojnë në rreth 4 mijë metër kub në sekondë. Vau i Dejës dhe Komani po shkojnë drejt niveleve maksimale. Kjo situatë ka imponuar shkarkimin nga tunelet e sigurisë në Koman, Vaun e Dejës, por edhe në Ulëz.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›