Elbasan/Tentoi të vriste një shtetas, arrestohet Mirjan Dedja
Një person është arrestuar nga policia e Elbasanit, pasi ka tentuar të vrasë një person. Nga të dhënat zyrtare policore mësohet se dy ditë më parë janë njoftuar se në lagjen “Brigada 17 sulmuese”, në Elbasan, ka ndodhur një tentativë vrasje me armë zjarri. Menjëherë pas këtij informacioni të marrë, në vendngjarje u dërguan shërbimet policore, në përbërje të të cilit edhe grupi hetimor, të cilët nga veprimet e para procedurale të kryera rezultoi se, për motive ende të paqarta, është tentuar të vritet me armë zjarri pistoletë shtetasi J.P., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasan it. Sipas policisë, 29-vjeçari është plagosur nga një shtetas i paidentifikuar nga ana e policisë, i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Por, rreth mesditës së djeshme, policia ka bërë të mundur jo vetëm identifikimin, por edhe arrestimin e autorit të ngjarjes së dy ditëve më parë. Bëhet fjalë për 27-vjeçarin Mirjan Dedja, lindur e banues në lagjen “Vriserion Xhuvani” Elbasan. Gjithashtu, sipas policisë, në cilësinë e provës materiale iu sekuestrua dhe arma e krimit. Nga ana e policisë së Elbasanit po vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje kriminale, si dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme, përkatësisht për veprat penale “vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe të municioneve pa lejen e organeve kompetente”, të cilat parashikohen nga nenet 76,22, 278/2 e 25 të Kodit Penal.