E Shtunë, 31 Tetor 2026

U mbajt provimi i maturës (dita e dytë)

(E plotësuar) Rreth 34 mijë maturantë sa ka këtë vit Kosova, sot në orën 10:00, i janë nënshtruar pjesës së dytë të Provimit të Maturës, në 305 qendra të testimit në gjithë vendin. Maturantët sot i janë përgjigjur pjesës së testit që ka të bëj me lëndët e përafërta me drejtimin.

Nehat Mustafa, kryetar i Komisionit Qëndror Shtetëror të Maturës ka bërë të ditur se sikur edhe ditën e parë të Provimit, edhe kësaj radhe gjithçka ka shkuar në rregull.

Për këtë mbarëvajtje të procesit të testimit, Mustafa ka falënderuar stafin e tri universiteteve publike të Kosovës që kanë qenë të angazhuar, administratorët, komisionerët, Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe policinë.
Mustafa ka falënderuar edhe mediat, të cilat i kanë kontribuuar në mënyrë të vazhdueshme informimit rreth Provimit të Maturës.

Rezultatet e provimit të maturës do të shpallen më 24 qershor. Më pas, maturantët do të kenë 3 ditë afat që të ankohen dhe më 28 qershor do të bëhet edhe publikimi i rezultateve të ankesave.

Ata që nuk do të mund të arrijnë pragun e kalueshmërisë prej 50 përqind kësaj radhe, do ta kenë edhe një mundësi në afatin e gushtit. /Indeksonline/

......................

Ashtu sikurse në pjesën e parë të testit të maturës, edhe sot nxënësit e tre gjimnazeve në Skenderaj para se të hynin në test kanë protestuar duke kërkuar liri për çlirimtarët e Zonës së Drenicës. Madje ata kanë kërkuar nga EULEX-i të dinë se kush ua vrave 38 mësues gjatë luftës.

“Eulex, kush i dogji shkollat tona”, “Eulex, kush i vrau 66 nxënës”, kanë qenë disa nga pyetjet që nxënësit i’a kanë shtruar Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovës –Eulex.

Ata, pos parullave ku kanë kërkuar liri për “Grupin e Drenicës” kanë pasur parulla ku kanë kërkuar falje nga Ministria e Arsimit, për vonesën që do të paraqiten në test.

Protesta ka qenë e paralajmëruar. Indeksonline merr vësh se maturantët e njërit nga gjimnazeve, kanë defiluar neper sheshin “Adem Jashari” për rreth 15 minuta me pllakata në duar. 

“Protesta ka zgjatur 15 minuta. Pas kësaj maturantët e tri gjimnazet po e zhvillojnë normalisht testin e maturës”, tha për Indeksonline zëdhënësi i Komunës së Skenderajt, Hajriz Koci.

Ndryshe, maturantët e shkollave të Kosovës, sot i jan nënshtruar pjesës së dytë të testit të maturës shtetërore në lëndët profesionale, sipas profileve përkatëse. Testimi do të mbahet në 305 qendra, dhe do të zgjasë 180 minuta. Kurse, nxënësve iu lejohet që të kenë me vete vetëm laps grafit HB dhe një shishe ujë të pijes. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›