U miratua vendimi Për disa ndryshime në vendimin nr.83, datë 26.2.2001, të Këshillit të Ministarve, "Për tarifat telefonike dhe për pagesat elektrike nga personat me aftësi të kufizuar",
U miratua vendimi Për disa ndryshime në vendimin nr.83, datë 26.2.2001, të Këshillit të Ministarve, "Për tarifat telefonike dhe për pagesat elektrike nga personat me aftësi të kufizuar", të ndryshuar.
Ndryshimi i propozuar përcakton që çdo përdorues i Albtelekom, me aftësi të kufizuar ku përfshihen a) Invalidi paraplegjik dhe tetraplegjik dhe b) I verbëri, i paaftë për të lëvizur pa shoqërues, në kushte fizike të invaliditetit të grupit të parë, do të përfitojnë 2000 (dy mijë) impulse telefonike në muaj, me tarifë sa 20% e tarifës në fuqi ose 0.2 lekë për impuls. Vlera e mbetur prej 0.8 lekë për impuls, plus tarifa për "Mirëmbajtje mujore" prej 200 lekësh do t'i kompensohet Albtelekomit nga buxheti i shtetit. Nga ky vendim do të përfitojnë 978 përdorues, sipas kategorive të mësipërme. Shuma që do të kompensohet nga shteti për tarifat e reduktuara kap vlerën e përgjithshme prej 21 124 800 lekë në vit.
***
U miratua vendimi Për dhënie fondi ndihme familjeve, që u janë dëmtuar banesat, si pasojë e fatkeqësive të ndryshme.
Këshilli i Ministrave miratoi dhënien e fondit prej 28 770 000 lekë organeve të qeverisjes vendore për familjet, të cilave u janë demtuar banesat nga fatkeqësi të ndryshme. Ky fond ndahet për qarqet e Lezhës, Korçës, Gjirokastrës, Fierti, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Elbasanit, Beratit, Tiranës dhe Dibrës.
***
U miratua vendimi "Për kriteret dhe masën e shpërblimit të pagesës së papunësisë për bashkëshortin/en e ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosura".
Sipas këtij vendimi, bazuar në statusin e Ushtarakut të FA të Shqipërisë, bashkëshortit/es së ushtarakut aktiv të FA-së, i jepet pagë papunësie sipas kritereve të përcaktuara, kur emërohen me detyrë jashtë vendbanimit të tij të përhershëm Brenda apo jashtë vendit dhe qe duhet të plotësojë këto kritere:
Ndërron vendbanimin e tij së bashku me familjen, vërtetuar sipas certifikatës familjare për rastet e emërimit brenda vendit, ndërsa për rastet e emërimit jashtë vendit, vërtetuar nga struktura ku shërben:
- Bashkëshorti humbet vendin e punës
- Në vendbanimin e ri nuk ka mundësi punësimi
- Nuk ushtron aktivitete fitimprurëse
- Nuk trajtohet me ndihmë ekonomike
***
Keshilli i Ministrave miratoi edhe vendimi për lejimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të fillojë procedurat për studim-projektimin e kthimit ne identitet të ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Fëmijëve dhe për kthimin në teatër bashkëkohor të Odeonit të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.