U miratua vendimi Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe D
U miratua vendimi Për miratimin në parim të marrëveshjes së grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, dhe Qeverisë së Austrisë, të përfaqësuar nga Agjencia Austriake e Zhvillimit (ADA), për financimin e projektit "Zhvillimi rural i integruar i zonës së Kelmendit-Veriu i Shqipërisë".
Qeveria e Austrisë ka financuar disa projekte të rëndësishme në zonat veriore të vendit për ndërtimin e ujësjellës-kanalizimeve. Vendimi përzgjedh Komunën e Kelmendit në Malësinë e Madhe me një popullsi prej 5 000 banorë, si një nga zonat me burime të shumta natyrore dhe i përshtatshëm për zhvillimin e turizmit malor, për realizimin e këtij projekti. Vlera e grantit është 373 690 euro.
Projekti ka për qëllim përmirësimin e kushteve social-ekonomike të popullsisë në këtë zonë, duke mbështetur dhe përmirësuar shfrytëzimin e potencialit ekonomik të zonës, kryesisht në fushën e bujqësisë, përpunimit të drurit, peshkimit, bimëve natyrale etj.
***
U miratua vendimi Për miratimin në parim të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), në cilësinë e administratorit të fondit grant, dhënë nga Japonia, për hartimin e projektit për modernizimin e sistemit shëndetësor shqiptar.
Qeveria japoneze do të akordojë një grant prej 499 500 USD për përgatitjen e projektit për Modernizimin e Sistemit Shëndetësor Shqiptar. Projekti ka si objektiv:
- Të konsolidojë dhe të modernizojë sistemin aktual të financimit të sektorit shëndetësor;
- Të rrisë cilësinë, përgjegjshmërinë dhe eficencën e sektorit shëndetësor;
- Të fuqizojë kapacitetet menaxhuese sektoriale dhe të strukturave drejtuese.
***
U miratua vendimi "Për financimin e Bordeve të Kullimit".
Ky vendim siguron premisa edhe për mbrojtjen e digave dhe të rezervuareve për të mos bërë një rrezik potencial për popullsinë. Për këtë buxheti i Shtetit do të vazhdojë të financojë me investime Bordet e Kullimit për përmirësimin e sistemit ekzistues të kullimit, mbrojtjes nga përmbytja dhe ujitjes. Kjo do të jetë një periudhë tranzitore, derisa të përfundojë transferimi dhe vetmenaxhimi i sistemit të ujitjes nga shoqatat dhe federatat e përdorimit të ujit, duke kaluar në Borde Kullimi me vetfinancim.
***
Këshilli i Ministrave miratoi vendimin: "Për mbështetjen e qendrave racore në blegtori"
Vendimi parashikon mbështetjen, ngritjen dhe funksionimin e qendrave racore sipas programeve racore të cilat do t'i shërbejnë zhvillimit të detajuar dhe me ritme të shpejta zhvillimit të blegtorisë shqiptare. Programi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit për këtë qëllim përcakton vendosjen e rregullave të qarta për miratimin e qendrave racore dhe një kontroll rigoroz të shpenzimeve të planifikuara.