E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë një takim me familjarë e të afërm të gjimnazistëve kosovarë që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në 14 Tetor të këtij viti

Kryeministri Fatos Nano zhvilloi sot në mesditë një takim me familjarë e të afërm të gjimnazistëve kosovarë që humbën jetën në aksidentin tragjik të ndodhur në 14 Tetor të këtij viti në Fushë Arrëz.

Në fillim të takimit, Kryeministri falënderoi familjarët e viktimave për këtë vizitë, duke u shprehur ngushellimet më të thella në emër të Qeverisë për ngjarjen tragjike. "Ju bëtë nderimin që meriton e ardhmja. Ata janë fëmijët tuaj, janë fëmijët tanë, pjese e brezit te ri që do të vazhdojë të merret me cështjen kombëtare, me cështjen e Kosovës, me forcimin e identitetit tonë kombëtarë në një botë që po na pranon në gjirin e vet", u shpreh Kryeministri.

Më tej, kryeministri tha se Kosova dhe Shqipëria humbën djem dhe vajza të shkëlqyer, por të gjithë "do të kemi forcën të përmirësojmë gjithcka, edhe jetën e kombit, edhe jetën e njeriut, edhe shtetin, edhe familjen".

"Tashmë Kosova ka Qeverinë e saj, ka demokracinë e saj, ka një sistem shoqëror që po zhvillohet, ka një sistem arsimor që po komunikon gjithnjë e më mirë edhe me nevojat e brezit të ri për shkollim, por edhe me Shqipërinë", theksoi Kryeministri, duke vënë në dukje se janë tashme një numër i madh nxënësish, studentësh që studiojnë edhe këtu nga Kosova, janë një numër petagogësh që lëvizin në shkollat shqipe në të gjitha trevat, edhe në qytetet universitare të Shqipërisë, edhe në qytetet universitare të Kosovës e Maqedonisë, si pjese e afrimit dhe e levizjes mes shqiptareve, që përherë e më shumë po shtohen.

Në këtë drejtim, Kryeministri u shprehu mirënjohjen familjarëve të kësaj tragjedie që vazhdojnë jetën dhe komunikimin me Shqipërinë.

Nga ana e tyre, familjarët e gjimnazistëve kosovarë falënderuan Kryeministrin për mikpritjen, ndërsa nënvizuan se ishte dëshira e atyre qe u goditën më drejtërdrejt nga kjo dhimbje, nga prindërit e 15 maturantëve të bënin këtë vizitë në Shqipëri.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Gani Krasniqi, i cili shoqëronte familjarët u shpreh se kjo ishte një "një nismë e mirë, në frymën e dokeve dhe zakoneve, të vlerave tona që na kanë mbajtur në shekuj, për të falënderuar Qeverinë dhe shtetin shqiptar, si dhe autoritetet lokale dhe qytetarët e Pukës e Fushë Arrëzit, aty ku ndodhi tragjedia, për angazhimin e treguar në përballimin e aksidentit tragjik". "Kjo lehtësoi dhimbjen e familjarëve, forcoi Malishevën, forcoi edhe Kosovën, por natyrisht forcuam edhe vetveten", u shpreh ai.

Më tej, familjarët u shprehën se, pavarësisht dhimbjes ishin të ndërgjegjshëm për nismën e ndërmarrë nga nxënësit kosovarë për të vizituar Shqipërinë, pasi "kjo ishte rruga për të shkuar e për të parë vendin amë". "Fëmijët tanë erdhën për të parë Shqipërinë, për të parë bukurinë, por edhe për të parë dhe prekur ato gjëra që ata kishin mësuar nga gjyshërit e baballarët dhe nga histori kombëtare, erdhën për të prekur me dorë Krujën, për të prekur Lezhën, Vlorën e kështu me radhë. Pavarësisht dhimbjes, ne erdhëm t'ju falënderojmë për atë që u bë, për ata që u shpëtuan, dhe për respektin e të gjithëve në këtë ngjarje", u shprehën ata.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›