U pranoftë lutja e akademikut!
Ekranizimi i ri amerikan i “Ana Karenina” të Lev Tolstoit, u prit me kritikë në Rusi, ndoshta nga ata afër pushtetit
Po të tha ndonjëri, “ç’je bërë kështu?!”, zor se mund të të pritet, sa të vihesh përkundruall një pasqyre. Xhami, i lëmuar dhe i shndritshëm, i verbuar me nitrat argjendi në anën e pasme, që secilin e bën dy - virtualin përballë të gjallit - është shpikur për marrjen e shëmbëllimit të vetvetes, siç njeriu i hershëm vështrohej në sipëranën e ujërave të kthjellëta të palëvizshme apo ndiqte e ndiqej nga hija e shtatit të diellëzuar. Nevojën për t’u vetëparë e ndjenë edhe popujt e, pasqyrë për ta, u bënë ata individë të jashtëzakonshëm, siç thotë proverbi spanjoll që, çdo komb gjykohet nga njerëzit e mëdhenj që i jep njerëzimit. Përshembull, përmbytja e Shqipërisë nga kultura sovjetike, menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, u teprua me aq shumë figura, edhe të stërzmadhuara, sa u qesëndis kësisoj: çdo shpikje në Perëndim ka shpikësin binjak sovjetik, përveç shpikjeve ku sovjetiku është i vetëm! Komunizmi rus gjuante mendjet njerëzore kryqetërthorë perandorisë së madhe, për t’u vetvendosur një hap përpara kapitalizmit. Pas dy breznish, harresa u përvodh si baticë fshirjeje sa që, ndër ata pak emra gdhendur si me daltë, mbeti Tolstoi, autori i famshëm i “Lufta dhe Paqa”. Ky roman i përkthyer u botua në katër volume. Autori Lev Tolstoi, s’di pse në shqip u soll me emër perëndimoro - rus si Leon Tolstoi - dhe na u duk mirë, ndërsa po të ishte Luan Tolstoi, do të bëhej një shqiptaro - rus për gaz. Por, bashkë me romanin sagë, botën e pambarim të personazheve, shprehjeve të dendura në frëngjisht me përkthim në fund të faqes, emri Leon Tolstoi, ose shkurt Tolstoi, u bë i pashlyeshëm, por askund si Lev. Kur lexuam edhe “Ana Karenina” e më pas “Ringjallja”, nuk kish shkollar që të mos dinte për këtë gjeni të letërsisë së madhe ruse.
Aty nga vitet ’70, të shekullit të kaluar, intelektualë me interesa kulturore të spikatura, që kishin televizorë në shtëpi, blerë me autorizim e ngushticë financiare, dhe mundnin të nxirrnin kryet, të hidhnin fshehtas një sy përmatanë, në “xhamin e dritares italiane”, përmes kanalit televiziv të RAI, mësuan dhe përhapën drojshëm lajmin, ditën dhe orën e saktë, kur do të transmetohej filmi “Lufta dhe Paqa”, me skena masive të jashtëzakonshme, të regjisorit të madh Sergei Bondarçuk. Thyem këmbët, në kërkim të një miku, që kishte televizor e që ia rrokte Italinë. Ata që e kishin përpirë romanin shumëfaqësh me mbi 550 personazhe, mezi ç’prisnin të shihnin artin e fjalës të Tolstoit të shndërruar në art të figurës nga Bondarçuk.
Qysh nga prishja me Bashkimin Sovjetik, kultura kineze u përpoq e nuk e kreu dot zëvendësimin e mëtuar në shpirtin e njerëzve, siç e përcaktonte një barcaletë shkodrane që, “me sovjetikët e patëm zor me u nda, me kinezët e patëm zor me u afrue”. Mbi ne erdh e u nder një kohë gri e rëndë, e cila u trazua vrullshëm e u përça vetëm prej ndryshimesh tronditëse. Njerëzia vrapuan turravrap të preknin lirinë dhe të bënin para. Por filmi “Lufta dhe Paqa” nuk u përmend më, ndërsa romani “Lufta dhe Paqa” e “Ana Karenina” u botuan përsëri në shqip, madje për herë të parë dhe “Haxhi Murati”, me emrin e autorit si Lev Tolstoi në krye të ballinave të veprave të tij. Pak vite të shkuara, duke ndjekur në rusisht kanalin televiziv satelitor rus, kapa që, çdo të premte, mbrëmjeve vonë, transmetohej emisioni i emërtuar Kulturnaja revolucija (Revolucioni kulturor). Skenografia ishte zgjidhur me tri sheshe: i epërmi ku qëndronte drejtuesi, i vënë në mes nga dy figura të njohura të çështjes, apo i bashkëshoqëruar nga një i vetëm; disa të tjerë, po aq të ditur, rrinin më poshtë; dhe një numër pjesëmarrësish të përzgjedhur qarkonin studion, por që as pyesnin, as pohonin, as kundërshtonin - thjesht ishin shikues e dëgjues. Ndriçimi artistik i jepte sfondit të skenografisë një ngjyrë alli të pështjelluar, mbi të cilin lexohej titulli dyfjalësh në cirilike: Kulturnaja revolucija. Pra, në një nga ato të premte vonë, në qendër të debatit me nerv ishte vënë Lev Tolstoi dhe vepra e tij. Njerëz të shquar, të ftuar në emision, shqiptuan kritika të rrepta kundër gjeniut. Ne dinim nga letërsia që, Rusia kishte dy Carë: Carin dhe Tolstoin. Cari nuk mund t’ia lëkundte karriken Tolstoit, ndërsa Tolstoi ia tundte fronin Carit. Shkrimtari që kritikoi shtetin, ushtrinë dhe kishën ruse, dhe kisha e shkishëroi më 1901, si ndëshkim kundër romanit “Ringjallja”, më 2001 kisha e ripohoi shkishërimin e tij të një shekulli më parë, dhe ky -Lev Tolstoi - është tashmë edhe i papëlqyeri i qeverisjes së sotme ruse. Presidenti Putin, asnjëherë nuk ia ka zënë me gojë emrin Lev Tolstoit, në fjalimet e veta të shuma. Ky gjeni është lënë në harresë në atdheun e vet, me vepra të futura në listën e zezë, ndërkohë që në Perëndim renditet në krye të listës. Nipi i shkrimtarit, Vladimir Iliç Tolstoi, ishte i detyruar të thyente heshtjen zyrtare, duke e cilësuar heshtjen ndaj Tolstoit një gabim të madh. Ai që nuk ka ndaluar ende është treni Tolstoi Ekspres, i zbukuruar me personazhe tolstojanë, që vajtje e kthim, Moskë - Jasnaja Poljana, mbart admiruesit që vizitojnë shtëpinë e gjeniut në vendlindje, që edhe sot është ashtu siç ka qenë atëherë, dhe bibliotekën me 22 000 vëllime. Heshtje pati edhe në fillimvitin 2010, në 100-vjetorin e vdekjes së gjeniut, që ditë më ditë i binte më 20 nëntor. Kështu, ato kritika të asaj së premte vonë, në Kulturnaja revolucija, nuk paskan pas qenë shkrepje shkujdesjeje zyrtare. Një akademik i fushës së kulturës popullore, i ftuar atë natë dhe në atë emision, me kurajë vuri përballë mendimin e kundërt, të cilin e tha si një përgjërim drithëruese: ”Për hir, të Zotit, mos na e thyeni këtë pasqyrë se nuk do të kemi ku të shihemi!”. Edhe tek ne, pasi komunizmi erdhi në pushtet, e bëri copë - copë pasqyrën Gjergj Fishta! A nuk xhbrushtin si nga shkurret, disa mes nesh, sa herë avitet stina e të korrave të Çmimit Nobel, dhe vërvitin gurë mbi pasqyrën Kadare? Le të kujtojmë urtësinë e George Bernard Show se, “I vetmi shërbim që një mik mund me të vërtetë të bëj është të ta mbajë kurajën duke të vënë përpara një pasqyrë në të cilën ti mund të shohësh një figurë fisnike të vetvetes”. Pasqyra Lev Tolstoi ka marrë të krisur për rusët. Por, u pranoftë lutja e Akademikut, që thirri për pendesë, në Kulturnaja revolucija.