U propozua si Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sportit, Gonxhja: Ky mandat lidhet ngushtë me sfidat e “Shqipëria turistike 2030”

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Blendi Gonxhja u propozua sot nga Kryeministri Edi Rama në Asamblenë Kombëtare të PS-së për postin e ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sportit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka falënderuar Kryeministrin Edi Rama për besimin për të vijuar si pjesë e kabinetit qeverisës në mandatin e katërt.
Gonxhja thekson se “ky mandat lidhet ngushtë me sfidat e “Shqipëria Turistike 2030”: zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, forcimin e kapaciteteve profesionale, rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe integrimin e destinacioneve të reja që bashkojnë trashëgiminë kulturore dhe natyrore të vendit, turizmin e eksperiencës dhe fuqizimin edhe të eventeve sportive që gjenerojnë turizëm”.
Gjithashtu, Gonxhja nënvizon se “prioritet mbetet rritja e investimeve në infrastrukturën kulturore, zhvillimi i industrive kreative dhe mbështetja e krijimtarisë artistike e të rinjve, duke pasuruar kalendarin kulturor e turistik gjatë gjithë vitit”.
“Sporti, si kulturë dhe fuqi për të bashkuar dhe frymëzuar, është pjesë thelbësore e këtij vizioni, si përmes përmirësimit të infrastrukturës sportive dhe zgjerimit të pjesëmarrjes, ashtu edhe përmes përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, përfundon Gonxhja reagimin e tij duke i uruar suksese të gjithë kolegëve të kabinetit qeverisës në këtë kapitull të ri.
Blendi Gonxhja është lindur në Tiranë, më 15 Qershor 1970. Prej muajit janar 2024, ai ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Përpara kësaj detyre, nga nëntori 2018, Blendi Gonxhja ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Nga Tetori 2015, ai drejtoi Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të themeluar nga Bashkia Tiranë. Në vitin 2000, Blendi Gonxhja u emërua Nënkryetar i Bashkisë së Tiranës. Ndërsa Pas impenjimit si Këshilltar i Fondacionit “Rothschild” dhe “Packard” në 2003, iu dedikua aktivitetit si një sipërmarrës në fushën e shërbimeve të lidhura me transportin në Greqi dhe Shqipëri.
/a.f/ /r.e/