E Diel, 1 Nëntor 2026

U rikthye nga emigracioni në Çermë të Sipërme, ferma e Gëzim Bezhit model suksesi për eksportet bujqësore

TIRANË, 15 prill /ATSH/ Prodhimet e freskëta bujqësore “Made in Albania” eksportohen aktualisht në 85 tregje ndërkombëtare, ndërsa objektivi i qeverisë është rritja e eksporteve në 1 miliard euro deri në vitin 2030.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi vizitë në Divjakë, ku ndaloi në fermën e Gëzim Bezhit në Çermë të Sipërme. Në një sipërfaqe prej 1.8 hektarësh sera, fermeri kultivon perime cilësore nga të cilat 70% destinohen për eksport dhe pjesa tjetër për tregun vendas, duke u ofruar edhe turistëve produkte të freskëta shqiptare.

Pas rreth 15 vitesh emigrimi në Kretë, Bezhi është rikthyer në Shqipëri për të investuar në bujqësi, duke zhvilluar paralelisht edhe kompaninë “ALBASEED”, një nga kompanitë lider në fushën e inputeve bujqësore. Përmes farave cilësore, teknologjisë dhe këshillimit teknik, kjo kompani mbështet fermerët në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e cilësisë.

Ministri Salla e cilësoi rastin e Bezhi-t si një shembull domethënës se si përvoja e fituar jashtë vendit mund të kontribuojë në zhvillimin e bujqësisë shqiptare.

Sipas tij, rikthimi i emigrantëve dhe investimet e tyre sjellin më shumë prodhim vendas dhe forcojnë lidhjen mes bujqësisë, eksporteve dhe turizmit.

Ai theksoi se mbështetja për sektorin bujqësor dhe rritja e eksporteve mbeten prioritete kryesore, në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Ne po punojmë dhe shumë shpejt do të prezantojmë skemën e sigurimit në bujqësi ku do të përcaktojmë pjesën që do të mbulojë qeveria dhe pjesën që do të mbulojë biznesi. Në mënyrë që të kemi të mbrojtur dhe të siguruar çdo biznes në territor nga fatkeqësitë  natyrore”, tha ministri.

Ai u ndal edhe në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në bujqësi ku vuri dukje se kjo skemë financon 10% të faturimit.

“Ne kemi vënë një dysheme 15 milionë euro por që do të nga shkoj në 40 deri 45 milionë euro. Ndaj ftoj fermerët që ti marrin faturat ti depozitojnë ato në 6 muaj në tatime dhe ne të bëjmë pagesën ndaj tyre”, theksoi Salla.

e.xh/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›